Ndizet Ylli i Betlehemit në “Sagrada Familia”. Përfundon puna në një prej kullave të saj unike
Ndizet Ylli i Betlehemit në “Sagrada Familia”. Përfundon puna në një prej kullave të saj unike
15 Dhjetor 2021
Katedralja “Sagrada Familia”, kryevepra e famshme e papërfunduar e arkitektit Antonio Gaudi, është në ndërtim e sipër për gati 140 vjet. Pas kaq kohësh, një nga 18 kullat e saj, ajo e Virgjëreshës, u bë kulla e parë e “Sagrada Familia-s” që u hap zyrtarisht për publikun që nga viti 1976.
Kjo kullë e lartë 138 metra, kurorëzohet në majën e saj nga një yll qelqi 5.5 tonësh, me 12 cepa, i njohur si “Ylli i Betlehemit”. Ai u instalua në fund të nëntorit dhe më 8 dhjetor u zhvillua ceremonia zyrtare e “ndezjes së yllit”. Kur të përfundojë, kulla më e lartë e kishës – kushtuar Jezu Krishtit – do të ngrihet 172 metra mbi rrugët e Barcelonës, e kjo do ta bëjë atë kishën më të lartë në botë, duke kaluar edhe Ulm Minster në Gjermani.
Por, kur planifikohet të përfundojë i gjithë projekti? Më parë, mendohej se katedralja do të inaugurohej në vitin 2026, vit ky që shënon edhe 100-vjetorin e vdekjes së Gaudi-t. Mirëpo, pandemia e koronavirusit e ka vonuar këtë afat, pasi numri i vizitorëve është ulur dhe kjo do të thotë se fondet për përfundimin e kësaj kryevepre janë pakësuar.
Gaudi mori përsipër projektimin e kishës në vitin 1883, duke zëvendësuar arkitektin origjinal, Francisco de Paula del Villar. Shumë shpejt, projekti u shndërrua në një fiksim jetësor për Gaudi-n. Arkitekti modernist nisi madje t’i përkushtohej fesë, por në qershor 1926, ai u godit nga një tramvaj teksa po shkonte për të rrëfyer në kishën Sant Felip Neri. Kur u përhap lajmi se arkitekti kishte vdekur, mijëra njerëz u rreshtuan në rrugë për funeralin e tij. Ai u varros në dhomën e nëndheshme nën “Sagrada Familia”.
Që pas asaj ngjarjeje, për kishën kontribuuan shumë arkitektë, duke iu përmbajtur gjithmonë modeleve origjinale të Gaudit, shumë prej të cilave në fakt u shkatërruan gjatë Luftës Civile Spanjolle, në vitet 1930. Qëllimi kryesor i dizajnit të Gaudit është “të lartësojë njerëzit”, përmes madhështisë së saj, ku i vetmi tingull që dëgjohet është zhurma e hapave.
Gazeta Dita