10 Shtator 2023

Kreu i demokristianëve Nard Ndoka, njëherësh aleat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” i cilëson si qesharake lëvizjet e fundit të Lulzim Bashës që më rikthimin e tij në krye të Partisë Demokratike.

I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” Ndoka u shpreh se është qesharake të thuash që po merr një parti duke përjashtuar me mijëra demokratë nga radhët e saj.

“Lulzim Basha po bëhet qesharak me lëvizjet që po bën në Partinë Demokratike.

Sepse të bësh një ristrukturim duke hequr me mijëra demokratë nga lista e Partisë Demokratike kjo e kthen atë në qesharak.

Ai vetëm po gënjen vetveten, pasi Sali Berisha është sot PD-ja, shumica e demokratëve e kanë mbështetur.

Për momentin një lider i përgjegjshëm ose do të ngrinte një fraksion brenda partisë, ose do të krijonte një lëvizje të re përtej Partisë Demokratike.

Po ccfarë bëri ky? Ky e zgjati veten akoma edhe më shumë në batak. Shfrytëzoi egon e Edi Ramës për ta mbajtur opozitën në këtë gjendje dhe ky e mbajti vulën e partisë nëpërmjet vendimeve të dirigjuara nga Edi Rama. Kjo besoj se është kostoja më e madhe që i shkakton sot opozitës.

Ai e refuzoi të drejtën e komisionerëve dhe pjesëmarrjes në Kukës, pavarësisht se ne si opozitë i kemi kapacitetet për ti monitoruar dhe menaxhuar zgjedhjet, por akoma ai e ka këtë monopol dhe kjo është dëmi që i bën opozitës.

Nuk është sot Lulzim Basha problem votash, sepse ai është sot një kufomë politike, i cili nuk i sjell asgjë qytetarëve, madje edhe me këto rikompozimet, ku nuk pamë asnjë figurë të re, apo hapje të Partisë Demokratike.

Ai po përfaqësohet me personazhe të skalionit të tretë apo të katërt të PD-së dhe me emra anonimë.

Por kjo padiskutim që krijon një problem në opozitë. Duhet ta kemi të qartë që administrimi i zgjedhjeve akoma kontrollohet nga ai.

Në mënyrë publike e thanë që komisionerët e PD-së në zgjedhjet lokale i ka caktuar Partia Socialiste dhe kjo është drama e dëmi më i madh që i bëhet opozitës dhe ky është dëmi që shkakton Lulzim Basha. Jo pjesa elektorale, sepse ai u tërhoq në Kukës  

Pavarësisht vendimeve të mëparshme, me afrimin e tij Gazment Bardhi i dha të drejtë z. Berisha.

Nesër me një përballje në gjykatë për Vulën, Gazment Bardhi fiton ndaj Lulzim Bashës, e çfarë i mbetet më pas Bashës”, u shpreh Ndoka.

I pyetur se sa shanse ka që opozita të fitojë në zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Kukësit.

“Këta e kanë dëshmuar se bashkëpunojnë me grupet kriminale sa herë kanë zgjedhje. Atë bëri edhe në 14 maj, këtë do bëjë edhe kësaj radhe.

Opozita shkon në zgjedhje dhe jo në luftë, siç i bën z. Rama. Ky personazh është fakt që nuk heq dorë nga krimet dhe bashkëpunimi me krimin për zgjedhje.

Ne jemi në një sistem ku opozita do ta ngrejë aksionin e saj opozitar, dhe porsa kohë ne kemi këtë lloj mazhorance përballë që është si përbindësh, dhe ne do të përballemi me të.

Dhe këtë lidhje me krimin e gjejmë të faktuar në dosjen e përgjimeve të realizuar nga autoritetet franceze, ku aty dëshmohet qartë lidhja e krimit me pushtetin”, u shpreh ndër të tjera. Nard Ndoka

Nga Lili Saraçi