Ndryshimet kushtetuese, ku ndahen PS e PD me propozimet! Rezerva për ‘Territorialen’ dhe vetingun e politikanëve, dakordësi për Reformën Zgjedhore dhe…
Ndryshimet kushtetuese, ku ndahen PS e PD me propozimet! Rezerva për ‘Territorialen’ dhe vetingun e politikanëve, dakordësi për Reformën Zgjedhore dhe…
20 tetor 2021
Maxhoranca dhe opozita kanë bërë publike tashmë propozimet e tyre për ndryshimet kushtetuese që do t’i ulë ata në një tryezë dialogu siç e kërkon edhe Bashkimi Europian.
Por, ende pa deklaruar qëndrimet e tyre për propozimet konkrete të palës tjetër, si PD ashtu dhe PS, po flasin këto ditë me terma të përgjithshëm, pa çështje konkrete, duke pranuar domosdoshmërinë e një dialogu mes tyre. ka kaluar thuajse një javë që kur deputetët socialistë depozituan në kuvend nismën për ndryshimet në Kushtetutë sa i takon mandatit të organeve të vetingut me 2 vjet.
Partia Demokratike ende nuk është shprehur nëse e mbështet ose e rrëzon këtë propozim, por në heshtje ka punuar dhe paraqitur propozimet e saj, që siç është shprehur më parë kryedemokrati, për kushtetutën do të flitet me një paketë të plotë ndryshimesh, për çështje që kanë nevojë të përmirësohen. Nga ana e tyre socialistët, si kryetari Edi Rama, ashtu dhe kreu i Grupit Parlamentar Balla apo sekretari i Përgjithshëm, Gjiknuri janë shprehur të hapur dhe të gatshëm për çdo bashkëpunim me partinë demokratike për të gjetur të gjitha hapësirat e mundshme për bashkëpunim. Megjithatë, palët duket se kanë nisur shahun e tyre, duke studiuar qëndrimet e kundërshtarit dhe pa dashur që ta prishin klimën që ua kanë imponuar edhe partnerët ndërkombëtarë.
HARTA E RE
E ndërkohë që dora e socialistëve mbetet e shtrirë për bashkëpunim dhe për të lëshuar për demokratët, burime pranë selive të dy partive nuk ngurrojnë të shprehin rezervat e tyre për propozimet konkrete. Bazuar edhe në deklaratat e Kryeministrit Rama, bërë dy ditë më parë, propozimi i demokratëve për të shtuar numrin e njësive administrative të zgjedhura nga populli, duke rikthyer komunat për disa zona specifike, nuk do të marrë mbështetjen e socialistëve.
Ndoshta për këtë propozim, pa e modifikuar rrugës gjatë tryezës së dialogut, socialistët janë të mendimit se numri i bashkive nuk duhet shtuar, por duhet ulur. Rezerva socialistët duket se kanë edhe për vetingun e politikanëve, për të cilin do të mbështeten në opinionin e Komisionit të Venecias dy vite më parë që nuk e miratonte këtë operacion.
“Për t’u ulur jemi të gatshëm për gjithçka që nuk është një çështje e brendshme e PD-së. Ajo që unë thashë është që sigurisht në çdo vend demokratik të gjitha opsionet janë të hapura. Nuk ka asnjë problem që ti diskutojmë”, tha Rama i ftuar në “Euronews”.
I pyetur nëse është i gatshëm të zhbëjë ndryshimet kushtetuese të korrikut të vitit të kaluar, Kryeministri tha se “nëse do na bindin që duhet t’i bëjmë patjetër. Mbase i bindim ne ata. Duhet të ulemi në tryezë. Rëndësi ka të kemi dialog, gjërat të bëhen me dialog. Dialog jo me ultimatum, me urdhra. Nëse na bindin të gatshëm për të gjitha. Nëse na bindin për vetingun e politikanëve, të na tregojnë shembuj të vendeve të tjera, të gatshëm jemi. Unë e dua një ndarje territoriale. Dua të kemi më pak bashki në numër, sepse është më racionale”, tha Kryeministri Rama.
KODI ZGJEDHOR
Si socialistët, ashtu edhe demokratët, janë të detyruar që të ulen për ndryshimet e radhës në Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, por nuk është e qartë nëse do të gjejnë dakordësi për të ndërhyrë në Kushtetutë për të rikthyer sërish koalicionet zgjedhore. Demokratët propozuan dy ditë më parë që “Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”. Ndërsa edhe pse demokratët ende nuk janë shprehur për propozimin e PS-së për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut, palët do ta miratojnë atë për shkak se si SHBA-ja, ashtu dhe BE-ja, janë shprehur pro zgjatjes së mandatit të tyre me qëllim përfundimin e vetingut për të gjithë prokurorët dhe gjykatësit e mbetur.
Gazeta Panorama