Ndryshimet në qeveri, deputetët, krerët e bashkive dhe baza fundosin ministrat, Rama dosje me ankesa për ta, Besa Shahini paralajmëron largimin
Ndryshimet në qeveri, deputetët, krerët e bashkive dhe baza fundosin ministrat, Rama dosje me ankesa për ta, Besa Shahini paralajmëron largimin
8 SHTATOR 2020
Kjo javë do të jetë vendimtare për fatin e shumë prej ministrave të qeverisë “Rama”. PS ka në plan që të premten të mbledhë Asamblenë Kombëtare, ku do të vendoset për ndryshimin e kupolës së partisë, por nuk përjashtohet si mundësi që të kemi rifreskime në kabinetin qeveritar. Gazeta ka mësuar se brenda PS ka një situatë ankthi, sidomos në radhët e ministrave, duke qenë se sa herë ka pasur lëvizje, ata e kanë marrë vesh në momentin që Rama ka prezantuar emrat e rinj. Megjithatë mësohet se shefi i qeverisë po nxitet për të shkuar të ndryshimet edhe nga vetë deputetët, krerët e bashkive dhe baza socialiste. Burime shumë të sigurta të gazetës në kampin socialist bënë me dije se në adresë të kryeministrit janë të shumta shkresat, mesazhet në celular dhe ankesat për pjesën dërrmuese të ministrave. Shumë deputetë janë të pakënaqur me punën e tyre. Një deputet i tha gazetës se shumica e ministrave nuk denjojnë t’u hapin as telefonat, jo më të diskutojnë për investime në zonat e tyre elektorale, për të hapur vende pune apo për të zgjidhur hallet e qytetarëve. Për këtë arsye shumica i janë ankuar kryeministrit, duke denoncuar emra konkretë. Nga ana tjetër, e njëjta gjë vlen dhe për kryetarët e bashkive, ku përveç ankesave sa i takon neglizhencës nga ministrat, janë ankuar për çështjen e kompetencave. Shumë prej tyre ankohen se ministrat po ndërhyjnë në punët e bashkive. Ankesat më të shumta vijnë nga baza socialiste, e cila ankohet si për deputetët ashtu dhe për ministrat sa i takon punës në degë. Gazeta ka mësuar se çështja më e fortë që përplas palët është ajo e punësimeve. Zgjedhjet e 2021 po afrojnë dhe një pjesë e madhe e militantëve socialistë janë të papunë. Kur u bënë zgjedhjet vendore, pritej që të shkarkoheshin të gjithë militantët e PD dhe LSI në mënyrë që të punësoheshin socialistë. Në një pjesë të madhe të bashkive nuk ka ndodhur kjo, pasi përfaqësuesve të PS dhe PD u është garantuar vendi i punës në këmbim të votës. Kjo duket se ka sjellë një situatë të vështirë tani, pasi numri i të pakënaqurve po shtohet. Baza socialiste ka premtuar punësim për shumë emra në zgjedhjet e 2017 dhe të 2019, por duke mos mbajtur premtimin do ketë kosto në zgjedhje dhe kjo ka bërë që ankesat ndaj ministrave të jenë të shumta. Pra duket se presioni për ndryshime në qeveri po shtohet, duke qenë se PS kërkon mandat të tretë.
Ndryshimet në qeveri
Asambleja e PS ishte planifikuar të mbahej të premten e javës që shkoi, por kryeministri Rama vendosi që ta shtyjë. Gazeta ka mësuar se një ndër arsyet e këtij vendimi është dhe ajo e ndryshimeve në qeveri, pasi ka kërkuar më shumë kohë për të studiuar lëvizjet në kabinete. Janë disa ministra të rrezikuar në këtë periudhë që flitet. Nëse shihet situata, ndër më të sulmuarit nga mediat e majta është Pandeli Majko, i cili sipas informacioneve nuk ka raporte dhe shumë të mira këto kohë me Ramën. Nuk mbetet pas dhe Sandër Lleshaj, i cili kur mori detyrën pritej të sillte shumë në luftën ndaj krimit. Duke mos lënë pas ministren e Financave. Vendi u godit nga dy tragjedi, tërmeti e Covid-19 dhe situata ekonomike është rënduar, prandaj duhen plane konkrete për të dalë nga kjo situatë. Ndër të rrezikuarit ka qenë dhe ministrja e Arsimit, por duket se atë do e shpëtojë fakti që jemi në prag të vitit të ri shkollor. Megjithatë fjalën e fundit do e thotë kryeministri Rama, i cili sa herë ka pasur ndryshime në qeveri i ka surprizuar të gjithë. Askush përveç tij nuk është në gjendje të thotë se çfarë do të ndodhë, por në PS ka një klimë ankthi e tensioni. Shuamë deputetë duan largime ministrash (edhe pse nuk e thonë publikisht), ndërsa nga ana tjetër të rrezikuar janë dhe disa zv/ministra.
Gazeta Sot