
Ndryshon objekti i Marrëveshjes: – Gjadri burg për emigrantët e paligjshëm që kryejnë shkelje në Itali.
29 Mars 2025
Meloni e zbardh ligjin, Rama nuk guxon të kundërshtojë.
Qeveria shqiptare nuk ka dhënë ende asnjë koment mbi vendimin e fundit të kabineti “Meloni”, i cili duket se ndryshon tërësisht Marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për trajtimin e emigrantëve të paligjshëm nga “vende të treta” që mbërrijnë ilegalisht nga deti në fqinjin përtej Adriatikut.
Të premten e kësaj jave, qeveria italiane vendosi të ndryshojë objektin e Marrëveshjes për emigrantët, duke i shndërruar dy qendrat rezidenciale në Shëngjin dhe Gjandër, nga pika për strehimin e përkohshëm të azil-kërkuesve, në burgje për emigrantët e paligjshëm që kryejnë shkelje në Itali.
Ky modifikim i njëanshëm i Marrëveshjes duket se ndryshon tërësisht thelbin e paktit dy-palësh, duke ngritur edhe pikëpyetje nëse do të duhet të nënshkruhet një Marrëveshje e re, e cila duhet të kryejë sërish rrugëtimin e miratimit institucional dhe, mundësisht, edhe shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.
Ministra të qeverisë italiane deklaruan se modifikimi i Marrëveshjes nuk ndryshon thelbin e Paktit Rama-Meloni, të miratuar në nëntor të vitit 2023. Megjithatë, qëndrimi i tyre, është i natyrës politike dhe përputhet me planin e qeverisë italiane.
Por, ai qëndrim nuk do të thotë se është domosdoshmërisht i saktë. Ndaj, më së pari, do të duhet që qeveria shqiptare të shprehet publikisht dhe zyrtarisht nëse është dakord me atë ndryshim Marrëveshjeje, si edhe duhet të shpjegojë për publikun shqiptar nëse “qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm në Itali” a janë e njëjta gjë me “burgjet për emigrantët e paligjshëm në Itali”.
Shqipëria është në situatë para-zgjedhore dhe duket se Edi Ramës nuk i intereson aspak një “përplasje” me “motrën e madhe Meloni”.
Këtë duket se e di shumë mirë edhe kryeministrja italiane, e cila, për llogaritë e saj politike, po mundohet të shpëtojë sa të mundet “Projekti Shqipëria”, i cili ka kushtuar rreth 1 miliardë euro dhe e ka vendosur përballë akuzave të fuqishme të opozitës italiane.
Meloni e ka të qartë që Rama dhe qeveria e tij nuk pritet të lëshojnë asnjë zë kundër vendimit të njëanshëm të Melonit, të paktën deri në 11 Maj 2025, kur Shqipëria do të shkojë në kutitë e votimit.
Deri në atë kohë, Shëngjini dhe Gjadri mund të kthehen efektivisht në “burgje italiane” dhe nga qeveria shqiptare të mos lëshohet asnjë tingull kundërshtues.
Marrëveshje e re?
Ndryshimet e Marrëveshjes nga ana e qeverisë “Meloni” kanë elementët e një “Marrëveshjeje të re”. Për të qenë më të qartë, marrim për analogji një situatë hipotetike.
Qeveria Shqiptare dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nënshkruar një Protokoll Bashkëpunimi, në të cilën u mbështet më pas edhe Marrëveshja e kryeministrit Edi Rama me investitorin saudit Mohamed el Alabar, për shndërrimin e territorit të Portit të Durrësit në një zonë rezidenciale dhe ankorim jahtesh.
Sipas “precedentit Meloni”, tashmë, edhe Alabari mund të legjitimohet që të vendosë në mënyrë të njëanshme që, në vend të kompleksit rezidencial, të ndërtojë, fjala vjen burgje.
Një situatë e tillë hipotetike do të ndryshonte tërësisht objektin e Marrëveshjes Rama-Alabar dhe, rrjedhimisht, do të kërkonte një pakt të ri.
Për analogji, edhe lëvizja e Melonit për ndryshimin e destinacionit të qendrave të Gjadrit e Shëngjinit nga pritëse në burgje, si rregull, do të kërkonte një Marrëveshje të re me Ramën.
A do ta merrte përsipër kryeministri shqiptar të bindte opinionin publik se është i gatshëm të ndërtojë burgje për emigrantë të paligjshëm dhe me rrezikshmëri që nuk i dihet realisht pesha?
Marrëveshja e kontestuar
Në nëntor të vitit 2023, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Xhorxhia Meloni, nënshkruan në Romë një Marrëveshje Bashkëpunimi për frenimin e valës së emigrantëve në Itali, bazuar në “Protokollin ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, miratuar në vitin 2013.
Sipas kësaj Marrëveshjeje, e cila u ratifikua nga Parlamenti Shqiptar në 14 Dhjetor 2023, Italia merrte përsipër me financimet e saj ngritjen e një qendre pritjeje për azil-kërkuesit e kapur në det në Shëngjin dhe një qendër tjetër akomodimi, në Gjadër, ku do të sistemoheshin emigrantët e paligjshëm në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil nga autoritetet italiane.
Protokolli u miratua nga shumica socialiste në Parlament, ndërkohë që opozita kërkoi shfuqizimin e saj në Gjykatën Kushtetuese.
Në 29 Janar 2024, Kushtetuesja legjitimoi me shumicën e votave të gjyqtarë këtë Marrëveshje.

Sipas Gjykatës, pakti Rama-Meloni nuk cënonte integritetin territorial të Shqipërisë, edhe pse në kampet e Gjadrit dhe Shëngjinit do të veprojnë ligje italiane dhe do të ruhet nga forcat e sigurisë së vendit fqinj.
Po ashtu, për shumicën e gjyqtarëve kushtetues, Marrëveshja nuk përbënte shkelje të të drejtave të njeriut, edhe pse, më pas, gjykatat e thjeshta italiane e konstatuan diçka të tillë, me një seri vendimesh që detyruan qeverinë “Meloni” të rikthente në Itali ata pak emigrantë afrikanë që u sollën për disa orë në Shëngjin në 2-3 raste.
Qendrat e pritjes u ndërtuan në vjeshtën e vitit 2024, por ajo është populluar nga një numër minimal emigrantësh, të cilët nuk kanë qendruar më shumë se 48 orë në këto qendra.
Pas dështimeve të një pas njëshme në përballje me gjyqësorin, qeveria “Meloni” tashmë ka miratuar variantin e ri-shndërrimin e qendrave të përkohshme të pritjes së azil-kërkuesve afrikanë në Shqipëri në qendra burgimi.
Nga Gazeta Sot