Shoqata Perpjekja të studentëve shqiptarë në Beograd

22 Nentor 2022.
Nga: Fazli Hajrizi
“PËRPJEKJA” E PËRPJEKJEVE TË SUDENTËVE SHQIPTARË NË UNIVERSITETIN E BEOGRADIT
Para 65 vjetësh, pikërisht më 22 nëntor 1957, është themeluar Shoqatë e studentëve shqiptarë në Universitetin e Beogradit, e cila është pagëzuar me emrin “Përpjekja”. Ishte e para shoqatë e studentëve shqiptarë në ish Jugosllavi. U themelua në konviktin e studentëve në Beogradin e Ri (Qyteti i Studentëve), ku ishin të strehuar rreth 9000 studentë, në mesin e tyre edhe qindra studentë shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera shqiptare.
Pas përfundimit të LDB-së dhe konsolidimit të pushtetit komunist jugosllav, gjendja e popullsisë shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi u përkeqësua shumë.
Dhuna e terrori mbi shqiptarët kulmoi në mesin e viteve ’50 në kohën e aksionit të mbledhjes së armëve, kur mijëra familje u detyruan të shpërngulen në Turqi dhe në vende tjera. Studentët shqiptarë që studionin në fakultete të ndryshme të Universitetit të Beogradit, i vunë vetes për detyrë që, jo vetëm t’i kryejnë studimet me sukses e të kthehen për të kontribuar në Kosovë si kuadro profesionale, por edhe të themelojnë një shoqatë letrare për t’u organizuar e vepruar në frymën kombëtare e politike, duke promovuar e afirmuar kështu vlerat kulturore-artistike shqiptare.
Në fillim u zgjodh Këshilli nismëtar për themelimin e shoqatës, që u bë më 22 nëntor 1957. Në Kryesi, përveç Sytki Imamit dhe profesorëve Anton Çetta e Idriz Ajeti, morën pjesë studentët përfaqësues të të gjitha fakulteteve: Ali Aliu. Agim Gjakova, Avni Lama, Yll Zajmi, Zekije Budima, Kadri Kusari, Skender Skenderi, Nehat Bellçishta, Ibrahim Gashi, Rifat Osmani, Ejup Hamiti, Hysni Hoxha, Fatmir Agolli etj. Latif Berisha u zgjodh kryetar, Zekeria Cana, sekretar, Nahire Kabashi, arkëtare, si dhe Fatmir Agolli, Ali Aliu, Engjëll Berisha, Rifat Osmani dhe Agim Gjakova, anëtarë të Kryesisë. Vendimi për themelimin e “Përpjekjes” ishte një hap shumë i guximshëm, prandaj edhe pati jehonë të madhe në opinion.
Qëllimi i studentëve të Shoqatës “Përpjekja” ishte që të bëhet vatër e studentëve shqiptarë për afirmuar vlerat kulturore, artistike – letrare etj., dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në nëntor u krijua një bërthamë e shëndoshë letrare pranë Seminarit të Albanologjisë, i themeluar nga albanologu Henrik Bariq, pas të cilit erdhën Vojisllav Dançetoviq, Idriz Ajeti dhe Anton Çeta. Në sallën e mësimeve të këtij seminari organizoheshin mbrëmje letrare me poezi dhe prozë. Punimet e tyre artistike i lexonin shkrimtarët, si: Anton Çetta, Enver Gjerqeku, Rexhep Hoxha, Murat Isaku, Martin Camaj, Ramiz Kelmendi, Sytki Imami, Rexhai Surroi, Din Mehmeti, Latif Berisha, Muhamet Kërveshi, Adem Demaçi, Mensur Raifi, Hysni Hoxha, Agim Gjakova, Ali Aliu, Xhevat Tahiri, Nebil Duraku, Zekeria Cana etj. Kështu, në dhjetor të vitit 1957, anëtarët e Shoqatës “Përpjekja” vizituan Shkupin, ku mbajtën orë letrare në shkollën Normale Shqipe etj. Në pranverë të vitit 1958, u organizua një turne me karakter letrar në disa qendra të Kosovës, si: në Prishtinë, në Prizren, në Gjakovë, në Pejë dhe në Mitrovicë, ku u mbajtën orë letrare me nxënësit e shkollave të mesme (normalistët, gjimnazistët) etj.
Shoqata “Përpjekja”, përveç organizimit të mbrëmjeve letrare, kujdesej edhe për regjistrimin dhe vendosjen e studentëve të rinj në konvikte, organizonte pritjen e tyre, duke e ndarë me ta bukën e gojës dhe krevatin. Organizohej edhe pritja e Vitit të Ri, por edhe piknikë, ku studentët shoqëroheshin mes veti.
Ishin bërë edhe përgatitjet për botimin e gazetës së shoqatës “Përpjekja”, në fillim si gazetë mujore e pastaj dy javore, me përmbajtje nga letërsia, arti, kultura, historia, filozofia dhe më pastaj edhe për çështjet politike, por disa udhëheqës komunistë të kohës e ndaluan këtë iniciativë. Në këtë kohë organet e UDB-së burgosën Adem Demaçin, pastaj Agim Gjakovën, Ibrahim Rr. Gashin, Ali Aliun e të tjerë, të cilët i torturuan në mënyrë çnjerëzore në burgun qendror famëkeq, të quajtur CZ.
Edhe përkundër dhunës e terrorit shtetëror Shoqata “Përpjekja” arriti t’u bëjë ballë për disa kohë këtyre erërave të forta. ”Përpjekja”, jo vetëm që nuk u shua, por asnjëherë nuk u ndal, duke u forcuar falë punës së brezave të ardhshëm, të veprimtarëve të devotshëm që ndoqën rrugën e pararendësve të tyre, duke e zgjeruar atë në shoqatë, ku zhvilloheshin aktivitete letrare-muzikore, dramatike, sportive etj. Në vitin 1967 kryetar i “Përpjekjes” u zgjodh Rexhep Torte. Shoqata “Përpjekja” thelloi bashkëpunimin me shoqatën “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, me shoqatën studentore “Shkëndija” të Zagrebit, “Lulëzimi” të Sarajevës, me atë të Shkupit, Lubjanës etj. Në këtë periudhë u shënua edhe kremtimi i 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Në vitin 1967 u shënua 10-vjetori i themelimit të “Përpjekjes”, në vitin 1977, 20-vjetori i saj, ndërsa më 1979 doli numri i parë i gazetës “Përpjekja”, organ i Shoqërisë “Përpjekja”.
Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, filloi një fushatë e egër ndaj gjithë shqiptarëve, pra edhe kundër Shoqatës “Përpjekja”. Organet e pushtetit komunist e kualifikuan atë si frymëzuese të “nacionalizmit dhe irredentizmit” shqiptar, prandaj në fillim kërkuan që ajo të shkrihej në një shoqëri studentore që mbante emrin e një personaliteti serb. Shtypi i verdhë i Beogradit, me në krye “Veçernje Novosti”, shkruante se shkakun e shkallëzimit të nacionalizmit serb në Qytetin e Studentëve duhet kërkuar në ngjarjet “kundërrevolucionare” në Kosovë dhe sidomos te ekzistimi i “Përpjekjes”. Duke qenë se studentët shqiptarë e kundërshtuan këtë iniciativë, pasoi akuza e radhës nga nivelet partiake, duke akuzuar kryesinë dhe anëtarët e Shoqatës “Përpjekja” si nacionalistë, shumë të mbyllur e oportunistë, prandaj nuk u lejua organizimi i Takimeve tradicionale e as kremtimi i 25 vjetorit të themelimit të shoqatës. “Përpjekja” u shpall si shoqatë tërësisht private dhe e jashtëligjshme dhe kështu, më 4 shtator 1985 asaj “iu vu çelësi përgjithmonë”.
Huazuar nga FB: Fazli Hajrizi