tefta-tashko-koco

Në 70 vjetorin e vdekjes së Tefta Tashko Koços, divja shqiptare e skenës. –

Moikom Zeqo

Më 2 Nëntor  1910 lindi Tefta Tashko Koço në qytetin Fajum të Egjiptit.

Ajo qe vajza e Thanas Tashkos, një nga atdhetarët  më të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare.

Në moshën 11 vjeçare vjen për të studiuar në Shqipëri.

Por studimet e Larta për  Muzikë dhe Kanto i bëri në Francë për 9 vjet rresht.

Një shkresë e Mbretërisë Shqipëtare e datës 14.08.1933 nga Ministri i Arsimit të kohës i ndërpret bursën e studimit Teftës në Francë.

Fan Noli reagoi kundër këtij akti të neveritshëm me një artikull të tij në gazetën “Dielli”.

Tefta megjithatë u diplomua shkëlqyeshëm dhe Profesori i saj Zhan Sere ka shkruajtur mbresat e tij për taletin dhe të ardhmen artistike të Teftës.

Në këtë mënyrë nis epoka e shkëlqimit të figurës së madhe të Tefta Tashko Koços.

Tefta qe një artiste e lindur me një zë origjinal dhe tepër të rrallë.

Zëri i saj i magjishëm, qe i mëvetshëm dhe kaq harmonik sa ajo mund t’i thonte denjësisht por dhe me modesti edhe Maria Kallas “Jam edhe unë!”

Epoka që përfaqëson Tefta kulturën muzikore shqiptare është ajo e viteve ’30 kur kanë dalë poetë të mëdhenj si Lasgush Poradeci dhe Migjeni, dijetarë si Eqerem Çabej dhe Hasan Ceka, përkthyes si Skënder Luarasi apo skulptorë si Odise Paskali.

Në këtë konstelacion hyn me një shkëlqim të paparë edhe emri i Teftës, por edhe i këngëtarëve të tjera si Jorgjia Truja  dhe Maria Kraja.

Ndërkohë në Francë dhe në Europë kishte tërhequr vëmëndjen kënga popullore shqiptare por e kultivuar.

Inçizimet që kish bërë në Francë Meço Muka krijuan një tjetër dimension të njohjes së Shqipërisë.

Edhe Tefta e pakrahesueshme!

Mund të bëjmë një krahasim: Ashtu si në shekullin e XIX piktori francez Zheromë i tërhequr nga fustanellat dhe kostumet mahnitëse shqiptare i bëri të njohura ato nëpërmjet pikturave të tij në Europë edhe këngët e inçizuara me teknologjinë e kohës, me pllaka gramafoni të Teftës  e bën të njohur shpirtin muzikor të shqiptarëve  në Francë dhe në Europë.

Tefta  qe një figurë tipologjike e femrës së emancipuar shqiptare.

Ajo qe një Heroinë e emancipimit dhe Artit vokal muzikor.

Qe gjithashtu me një ndjeshmëri të lartë për të gjitha çështjet e mëdha politike dhe atdhetare të kohës.

Risia që solli Tefta qe ajo e sopranos mjeshtre të kënduarit të arieve të veprave të kompozitorëve të mëdhenj botërorë.

Ajo ka kënduar pjesë të veprave muzikore të Belinit, të Çajkovskit, të Donixetit, të Bunosë, të Leonkavalos, të Moxartit, të Mejerberit, të Oberit, Puçinit, të Rosinit, të Shopenit, të Shtrausit, të Verdit dhe Pergolezes.

Ajo shkëlqeu  dhe qe Divja  Shqitare e skenës në pjesën e parë të shekullit të XX.

Ajo qe një mjeshtre e pakrahasueshme me të tjerët.

Mua sonoriteti dhe karakteri melodioz i zërit të saj në disa këngë si psh. tek kënga “Kur më vjen burri nga stani”, më krijon një nostalgji pafund, të ndritçme, plot pritshmëri të madhe, ashtu siç krijon fjala vjen “Voltava” e Smetanës një kujtesë vezulluese të atdheut të tij.

Tefta vdiq më1947 në dhe në 70 vjetorin e vdekjes ,që është viti 2017, në vend që të nderohej me dinjitetin që i takon një emri aq emblematik që është emri i saj, u mjaftua me këtë ceremoni të bërë në Akademinë e Shkencave, ku biri i saj i mrekullueshëm Eno Koço, gjithashtu dirigjent, muzikant dhe muzikolog i shquar kish përgatitur dhe botuar dy botime plot me dëshmi ku lidhen me jetën krijuese dhe artistike të Teftës por dhe me ikonografinë e fotove të saj të jetës.

Përherë Tefta mua më kujton poezinë e mrekullueshme të Uollt Uitmanit të quajtur “Një  këngëtareje”

Na, prano këtë dhuratë !

E ruaja për një hero, orator, a gjeneral

Ndonjë,që i shërben çështjes së shenjtë, idealit,

Mbarësisë dhe lirisë së njerëzimit,

Për kundërshtarin e despotëve-rebelin trim,

Por shoh se ç’pata vluar për ata, të përket ty,aq fort sa kujdo tjetari!

Nuk ka pse Tefta ta ndjekë Lavdinë.

Është Lavdia që e ndjek nga pas Teftën.

I Paharruar në shekuj të shekujve kujtimi i Teftës.