Në artin dhe traditën ikonografike shqiptare Joan Pagëzori ka një galeri krijimesh
31 Gusht 2024
Muzeu “Onufri” në Berat ka një koleksion të pasur me objekte, që herë pas here QKMB i sjell në vëmendje. Në artin dhe traditën ikonografike në vendin tonë Joan Pagëzori (Gjon Pagëzuesi) ka një galeri të panumërt krijimesh që e paraqesin. Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat në ditën që përkujton martirizimin e tij, prezantoi një nga ikonat që paraqesin këtë figurë të rëndësishme të besimit të krishterë e ekspozuar në muzeun ikonografik “Onufri”.
Ikona është e shek. XVII-të me autor anonim.
Ikona është realizuar me mjeshtëri në tonin e ngjyrave të ngrohta brenda një sfondi të artë dhe peisazhit në perspektivë, ndërsa brerorja është realizuar nga një fletë argjendi e incizuar”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat që ka ndarë dhe foto të ikonës në faqen e saj.
Koleksioni i muzeut “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX. Herë pas here Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat publikon materiale për ikonat që janë në muze.