Në banesë iu gjetën vepra arti me vlerë 8 mln euro. – Kush është Artan Koçiu, 61-vjeçari i arrestuar në 2013-n për fshehje të thesareve kulturore
Në banesë iu gjetën vepra arti me vlerë 8 mln euro. – Kush është Artan Koçiu, 61-vjeçari i arrestuar në 2013-n për fshehje të thesareve kulturoreLexime
– 17.03.22
Një 61-vjeçar nga Tirana, i cili hiqej si zdrukthëtar, ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi iu gjetën në shtëpi rreth 4 mijë objekte të dyshuara si të vjedhura.
Objektet që dyshohet se janë vepra arti, objekte etnografike, të artit pamor, libra dhe skrivane u gjetën në shtëpinë e Artan Koçiut, i cili e kishte kthyer banesën e tij në një thesar të vërtetë arti.
Dyshohet se veprat e vjedhura i përkasin kishave ortodokse në Shqipëri dhe vendet fqinje. Operacioni është kryer nga Policia e Tiranës dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës po bëhet identifikimi i veprave dhe seleksionimi i tyre.
Veprat e artit janë të karakterit fetar dhe kapnin vlerën 8 milionë euro, ndërsa dyshohet se ato janë të vjedhura në kisha në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni.
Në dëshminë e tij pas ndalimit dhe shoqërimit, në komisariat, Koçiu përpara OPGJ-ve ka deklaruar se është restaurues i veprave të artit. Më tej ai ka shtuar se veprat e artit nuk i ka vjedhur por është koleksionues i tyre dhe i ka blerë ato.
Zbulimi i 4000 veprave të artit ka vënë në lëvizje edhe Ministrinë e Kulturës, e cila tha se do bëjë inventarizimin e veprave dhe kategorizimin e secilës prej tyre nëse janë pjesë e trashëgimisë kulturore.
Njoftimi i Policisë së Tiranës për aksionin:
Pasi policia bërë arrestimin e tij, rezultoi se Koçiu nuk ishte një njeri i panjohur për policinë pasi ai ishte arrestuar në vitin 2013 për të njëjtën vepër penale.
Artan Koçiu, i arrestuar edhe në vitin 2013 për fshehje të thesareve kulturore.
Artan Koçiu në vitin 2013 është arrestuar nga Policia në zonën e ‘Ali Demit’ ku banonte dhe ushtronte një aktivitet privat mobileri të cilën e përdorte për të fshehur ‘thesaret kulturore”.
Arrestimi i tij erdhi në kuadër të operacionit “Ikona”, ndërsa asokohe, Gjykata e dënoi Koçiun me arrest me burg, së bashku me Gjergji Thimon dhe Arben Spahon.
Avokatët mbrojtës të palëve deklaruan në vitin 2013 se, veprat e artit të sekuestruara nga policia janë koleksion i mbledhur prej vitesh nga klienti i tij, me leje edhe të Ministrisë së Kulturës.
Madje, sipas tyre, Thimo ka hapur edhe një ekspozitë në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Më tej, avokati pretendoi se kjo ngjarje u bë e madhe, pasi dikush me pushtet ka kërkuar të blejë vepra arti nga klienti i tij, por ai nuk ka pranuar.
Në lidhje me këtë operacion, reagoi edhe Ministria e Brendshme, e cila publikoi në faqen e saj zyrtare një foto të Kryeministrit Rama, i shoqëruar nga ministri i atëhershëm Saimir Tahiri dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
Gazeta Shqiptare