11 Nentor 2024

Në dekadën e fundit, Shqipëria ka përjetuar më shumë largime sesa në periudhën e parë pas rënies së komunizmit, duke sjellë një përballje serioze me një fenomen të ri të “shpopullimit.”

Kjo temë është trajtuar në ciklin e emisioneve të UNFPA Albania “Shpopullimi,” që analizon ndryshimet demografike në Shqipëri dhe shkon përtej statistikave të censusit, pasi përpiqet të nxjerrë në pah faktorët që çojnë në emigracion, si edhe pasojat e tij të shumëfishta.

Kukësi, një nga qytetet i marrë në analizë për të interpretuar në mënyrë klasike se si boshatiset një qytet, është trajtuar i fokusuar në dokumentarin e transmetuar në Euronews Albania. Dokumentari ofron një pasqyrë të efekteve dramatike të emigracionit, ndërsa në studion e emisionit, ekspertët analizuan faktorët kryesorë dhe theksuan rolin e shtetit, sektorit privat dhe vetë shoqërisë për të frenuar këtë fenomen dhe për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme.

Dokumentari e solli realitetin përmes personazheve të moshave, mjediseve e konteksteve të ndryshme në Kukës, ku gjen të moshuar të vetmuar, që i shtyjnë ditët duke parë fotografitë e fëmijëve, nipërve dhe mbesave, apo sipërmarrës që nuk gjejnë as punëtorë e as klientë për të mbajtur në këmbë biznesin e tyre.

Sipas ekspertëve, emigracioni në masë po ndikon fuqimisht në çdo aspekt të jetës shqiptare, duke krijuar një ndikim të thellë social dhe ekonomik. Me nivelet e larta të largimit të popullsisë, e veçanërisht të të rinjve të arsimuar dhe profesionistëve, vendi po përballet me një dobësim të shtyllave të shoqërisë, ndërkohë që mungesa e investimeve në arsim dhe punësim është kthyer në një shqetësim kombëtar.

Emigracioni dhe arsimi

Një ndër faktorët kryesorë që çon në emigracion është mungesa e cilësisë dhe mundësive në arsim. Ndërkohë që dokumentari tregon rrethin vizioz të një sistemi arsimor që nuk investon dot atje ku nuk ka nxënës, por, nga ana tjetër, po humbin më shumë familje, sepse nuk kanë ku të arsimojnë fëmijët, sidomos në zona të braktisura. Demografi Arjan Gjonça vëren: “Ndërsa politikat arsimore janë thelbësore, çështja e emigracionit dhe dobësimi i shoqërisë shqiptare nuk mund të adresohen vetëm nga ky sektor. Duhet të ndërmerren politika të gjithanshme zhvillimore që përfshijnë krijimin e vendeve të punës, investime në industri dhe përmirësimin e standardeve ekonomike për të ndaluar largimin masiv.”.

Por kjo ndikon në ulje të cilësisë së arsimit, që, siç thotë eksperti ekonomik Dr. Enriko Ceko: “Rezulton në një alfabetizëm funksional, ku mësuesit dhe nxënësit dinë të lexojnë dhe shkruajnë, por nuk janë të përgatitur për të marrë vendime të ndërgjegjshme dhe komplekse. Me një buxhet të ulët prej 0.5% të PBB-së të alokuar për arsimin, pretendimet për përmirësime reale duken larg.”.

Arsimimi profesional si zgjidhje për zhvillimin ekonomik

Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, thekson “nevojën për të rikthyer fokusin te arsimi profesional si një strategji për të ofruar mundësi të qëndrueshme për punësim dhe zhvillim në vend.”. Duke propozuar subvencione dhe bursa për shkollat profesionale, Topuzi thekson se “Modelet e arsimimit profesional në vendet europiane kanë qenë të suksesshme në ndihmën që u japin të rinjve për të krijuar një jetë të qëndrueshme dhe të sigurt ekonomikisht.

Arsimi profesional duhet të kthehet në një emergjencë kombëtare për Shqipërinë. Propozimi i subvencioneve dhe bursave për shkollat profesionale mund të ndihmojë që të rinjtë të gjejnë një profesion që i siguron mirëqenie.”, – thotë Topuzi, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për modelet e suksesshme.

Çfarë duhet/mund të bëhet?

Në përballjen me këtë sfidë të ndërlikuar të emigracionit, Shqipëria sipas ekspertëve duhet të fokusohet në disa drejtime kryesore:

  1. Rritja e investimeve në arsimin e përgjithshëm dhe profesional, për të ofruar mundësi cilësore për të rinjtë dhe për të ndaluar largimin e tyre.
  2. Krijimi i mundësive për zhvillim ekonomik dhe industrial. Diversifikimi i sektorëve ekonomikë dhe krijimi i vendeve të punës që mbështeten nga zhvillimi teknologjik.
  3. Forcimi i politikave për të siguruar një shoqëri aktive dhe të qëndrueshme. Politikat duhet të kenë në fokus krijimin e një shoqërie që mbështet të rinjtë dhe i inkurajon ata të mbeten dhe të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre.
  4. Përmirësimi i sistemit të remitancave dhe mundësive të investimit. Për të mbajtur një pjesë të ardhurash të qëndrueshme nga diaspora dhe për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik.
  5. Për UNFPA, analizimi i popullsisë dhe dinamikave të saj duhet bërë me qëllim adresimin e arsyeve thelbësore të emigracionit. Migrimi duhet të jetë një zgjedhje dhe jo një nevojë jetike. Kjo do të thotë që arsyeja pse njerëzit qëndrojnë në vendin e tyre është se sigurohet barazi për të gjithë. Dhe kjo lidhet me qeverisjen e mirë, zbatimin e ligjit, aksesin në drejtësi, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe eliminimin e konflikteve dhe dhunës. Kjo do të thotë që arsimi, punësimi, paga dinjitoze, kujdes i përballueshëm shëndetësor dhe strehim i denjë duhen siguruar për të gjithë njerëzit që të mos tundohen të largohen për t’i gjetur këto diku tjetër. Politikat e migracionit duhet të bashkërendohen me nevojat e tregut, që dhe aftësitë e njerëzve t’i përshtaten mundësive për punësim brenda vendit.
  6. Vetëm përmes një strategjie gjithëpërfshirëse që përfshin arsimimin, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e të rinjve, Shqipëria mund të fillojë të frenojë valën e emigracionit dhe të ndërtojë një shoqëri më të qëndrueshme dhe me shpresë për të ardhmen. Euronews.