Gusht  2020

ALMA MILE/ Deri në rrëfimin e 21-të, gjithçka ishte e qepur me kujdes.. Jo vetëm shkruar mjeshtërisht, ashtu si vetëm ai dinte të shkruante, por të redaktuara, me tituj, nëntituj e citime të sakta…

Të tjera histori kishte qëmtuar, shfletuar qindra faqe, pa mundur t’i çojë deri në fund.. jo ashtu si donte ai. Ikja e shpejtë e ndërpreu rrugëtimin e Noes, por falë përkujdesit të njerëzve të tij më të afërt, vajzës së tij, Borës, vëllait, Arturit, grafistit të librit, Orest Muça, që ka bashkëpunuar me të në çdo botim, botuesit e kolegut, Benet Koleka, lundërtari i përjetshëm mbërriti në breg.

“Në emër të Noes”, libri i fundit i gazetarit Fatos Baxhaku, vjen për lexuesin nga shtëpia botuese “Papirus”, një vit pas ndarjes së tij nga jeta. Një libër historish të jashtëzakonshme, burrash të fortë, kapedanësh të çartur deti, humbjesh e fitoresh; histori tallazesh…

Por nuk është thjesht një përmbledhje historish të shkëputura. Ato nuk lidhen thjesht dhe vetëm me histori personazhesh, që gjallojnë historinë e trazuar mesjetare shqiptare, por historia e vetë Arbërisë/ Shqipërisë, e përplasur brigjeve të aleancave, tradhtive, betejave mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane, si një urë mes dy superfuqish, Lindjes dhe Perëndimit.

LIBRI

Siç na tregojnë botuesit e tij, Baxhaku e kishte lënë librin tij thuajse gati. Jo vetëm tekstet e 21 rrëfimeve, por edhe fotografitë e nxjerra prej arkivave, mënyrën sesi do të dizajnohej e servirej te lexuesi.

Për të mbledhur historitë e tij, ai ka punuar më shumë se shtatë vjet, ka qëmtuar nëpër arkiva, ka lexuar mijëra faqe, duke shkëputur ato copëza, që jo vetëm përbënin hallka të rëndësishme historie, por ishin edhe interesante për këdo lexues. Bëmave të çartura të kapedanëve, ai i shtonte edhe koloritin e pasur të gjuhës dhe të stilit të tij, që u bë një shkollë për shumë breza gazetarësh.

“Tosi niste të tregonte histori të vjetra lundërtarësh shqiptarë me ëndje, me një shkëlqim të papritur çapkëni në sy dhe me një shtjellim aq të imtë të detajeve, sa ndonjë dëgjues i paduruar e nxiste t’i ngrinte më shpejt velat e të niste anijen. Në librin e tij ‘Në emër të Noes’, Fatos Baxhaku ka përmbledhur dhjetëra mijëra faqe histori të disa shekujve në një rrëfim sa pikant, aq edhe ndriçues për fatet e zulmat e kapedanëve ‘ujqër deti’ nga Arbëria në detin Mesdhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, madje edhe të nipit të tij”, shkruan në hyrje të librit botuesi i tij, Benet Koleka.

“Njohuritë e historianit dhe talenti e mjeshtëria e reportazhistit në stilin ala-Baxhaku që përqafon atë të kronikave të Mesjetës, shkrihen për të na dhënë ndoshta librin më të mirë të tij. Bëmat e lundërtarëve e luftëtarëve arbër i flasin edhe së tashmes, sepse, si shumë shqiptarë sot, ata mbijetojnë, luftojnë e njihen në botë duke krijuar identitete të tjera mbi atë të vendlindjes, pasi rreshtohen me Turkun e Madh, Venedikun, Papatin ose Spanjën. Si dje, edhe sot u dërgojnë para familjeve në vendlindje, luftojnë edhe kundër njëri-tjetrit dhe shohin se të ardhmen e atdheut e vendosin Fuqitë e Mëdha, por gjithmonë mbeten të bindur se kanë një rol për të luajtur në fatin e tyre, të vendlindjes së tyre dhe ‘më gjerë’, siç shtonte me humor Tosi.

Ashtu si anijet e ‘ujqërve të detit’ nga Arbëria, edhe ‘Noe’ e tij u përplas në shkëmbinj pasi lundroi me lavdi dhe erdhi në liman me rremtarët e Kapedan Tos Baxhakut”, shkruan ai.

PERSONAZHET

“Në emër të Noes” është rezultat i një pune të gjatë, skrupuloze, këtë e tregojnë edhe skedat dhe shënimet që ai kishte lënë për personazhet, që nuk arriti t’i çonte deri në fund. Për të treguar pak nga ai laborator krijues, nga mënyra sesi ai punonte, por edhe atë pjesë pune që nuk arriti ta finalizonte, botuesit vendosën të botojnë si pjesë të librit edhe disa prej shënimeve me shkrimin e tij origjinal.

Por, sado historikë të ishin personazhet e tij, ai dinte të gjente tek ata detajet, që do të theksonin edhe më tepër tiparet tek ata. Si ndoshta gazetari shqiptar më i mirë i reportazhit, ai përshkruan edhe ngjarje, situata, portrete, ndjesi.. personazhet ndihen si të gjallë dhe përmes bëmash bëhen edhe më të afërt për lexuesin. Në galerinë e portreteve të arbërve dhe shqiptarëve në shekujt XV-XIX, përshkruar në librin “Në emër të Noes” të Fatos Baxhakut, gjejmë bëmat e Mami Arnautit, që sipas autorit “nga të gjitha prej tyre vetëm robëria e Miguel de Cervantes do të mbetet gjatë në kujtesën kolektive të Krishterimit. Cervantes në 1605 do të botojë Don Kishotin e Mançës, një ndër librat më të lexuar në botë edhe sot e kësaj dite.

Mami Arnaut ia la në dorëzim skllevërit e tij të shtrenjtë spanjollë mikut të tij, grekut Dali Mami. Që nga kjo ditë e tutje, arbri nuk ka më asnjë lidhje me këtë histori. Cervantes u lirua nga murgjit e Urdhrit të Trinisë së Shenjtë, përkundrejt një shpërblimi të majmë në tetor të 1580. Çerekshekulli më vonë doli në dritë legjendari “Don Kishoti i Mançës”.

Për të vijuar me Murat Arnautin, që “mbahet mend në historinë detare të atyre anëve për një arritje vërtet të guximshme në lundrim. Ai ishte ndër të paktët kusarë të Algjerit që lundroi në Oqeanin Atlantik, me galera të gatitura vetëm për ujërat mesdhetare. Në ishullin e Lanzarot-it, ai sulmon me egërsi portet Teguise dhe Arrecife. Ngjarja alarmoi Spanjën. Nën komandën e fisnikut Martin de Padilla, një flotë e madhe bllokoi Gjibraltarin. Murati u strehua gjatë te miqtë e tij marokenë, deri sa një natë me stuhi, kur askush nuk e priste, u përvodh, arriti të çajë bllokadën pa u dëmtuar aspak dhe lundroi lirshëm drejt Algjerit”.

Apo “Alush Ali Pasha-Këlliçi, armik, mik e bashkëpunëtor i shumë arbërve dhe protagonist i historisë së tyre, mbylli sytë afër 80 vjeç më 1587 në Stamboll. Jeta e tij e pazakontë u mbyll me një ëndërr të parealizuar: donte të hapte i pari Kanalin e Suezit, madje thonë se punimet u bënë gati për t’u nisur.

Disa kronikanë janë të bindur se, nëse sulltani do t’i financonte punimet me të ardhurat nga Egjipti, kusari i vjetër kalabrez do t’ia kishte dalë mbanë të arrinte atë që Ferdinand de Lesseps kreu vetëm afër 280 vjet më pas”.

Gazeta Panorama