Ne Emer te Stabilitetitit, – Krize Politike e Ekonomike.
Ne Emer te Stabilitetitit, – Krize Politike e Ekonomike.
23/11/19
Është kthyer në një ide masive, popullore, se Edi Ramën, po e mbajnë ndërkombëtarët. Pra, është falë mbështetjes së tyre që ai vazhdon të qëndrojë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet se në këtë mbrapshti të madhe, në këtë krizë të thellë, në këtë mosecje në asnjë drejtim përpara, në këtë autokraci tashmë të instaluar dhe në situatën e kapjes së gjithë pushteteve, ai që është në krye të punëve, të vazhdojë të fërshëllejë majë karriges pa teklif, pa mbajtur asnjë përgjegjësi.
Nëse marrim si të mirëqenë tezën se shefi i rilindjes ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, vihemi në fakt përballë një paradoksi jo të vogël. Një e tillë mbështetje, jepet në emër të stabilitetit. Dhe për stabilitetin, faktorët e rëndësishëm të huaj, miqtë e Shqipërisë, kanë toleruar shpesh kundravajtje në demokraci, në standardet dhe cilësinë e saj.
Por pikërisht këtu duket se qëndron problemi. Investimi i madh i ndërkombëtarëve për stabilitetin, duke favorizuar qëndrimin e Ramës, ka prodhuar në fakt prej kaq kohësh, bash të kundërtën.
Një seri krizash pa fund.
Kjo është lehtësisht e vërtetueshme dhe e prekshme. Krizë politike, me opozitën jashtë sistemit. Krizë institucionale, me mungesën e dy gjykatave më të rëndësishme në vend, dhe me paralizimin e drejtësisë dhe kapjen e këtij pushteti. Rasti më i fundit, ai i Gjykatës Kushtetuese. Gjithkush e di, se mazhoranca nuk po lufton aty për parimet e së drejtës. Ata janë vetëdenoncuar se kërkojnë të çojnë në këtë zyrë të majës së hierarkisë, njerëzit e tyre besnikë. Sepse vendimi mbi 30 qershorin dhe për aktin e Presidentit, është fondamental.
Rrëzimi i atyre zgjedhjeve nuk është një nga shumë ngjarjet e rënda për të cilat qeveria dhe shumica nuk pyesin. Një vendim i atillë, patjetër ka efekt dhe nga aty do të lindë një moment i ri politik në vend, çka do ta detyronte Ramën të tërhiqej.
Kriza tjetër e rëndë është ajo ekonomike. Financat dukshëm në rënie, dhe mungesë parash për rritje pagash e pensionesh. Ndërkohë që alarme të forta e të përsëritura po vijnë nga institucione si BB për korrupsionin apo për favorizimin e koncesioneve të oligarkëve.
Krizë tjetër e panglizhueshme është mungesa e thellë e shpresës dhe e besimit, dhe si pasojë, largimi masiv i njerëzve nga Shqipëria. Të gjitha këto, janë kriza që kanë aftësinë të prodhojnë të tjera e të tjera. Dhe kemi ardhur në ditën, që kriza është gjendja normale në vend.
Çka të ndërmend se investimi i madh ndërkombëtar te Kryeministri, nuk solli aspak stabilitet. Po krejt të pangjashmen me të. Edhe pse është vonë, tani ka ardhur momenti që miqtë e Shqipërisë të heqin dorë nga ai kurs, dhe të investohen në parimet që sjellin kurimin e krizave. Kryesori, e mbi të gjitha, melhemi më dobiprurës, afrimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Mapo.al