Në gjurmët e Enver Hoxhës: – Retorika sovraniste e Edi Ramës, çfarë do sjellë ky shpërthim anti-SHBA dhe anti-BE?
Por, mjafton t’i hidhet një sy deklaratës së Numrit Dy të PS, Damian Gjiknurit për të kuptuar gjithçka.
“Bota është plot paragjykime. Ca të keqe ka që çunat e Londrës të legalizojnë paratë e tyre? Njerëz janë dhe ata si të gjithë, që kanë marrë rrisqet e veta…”, tha Gjiknuri në një takim në Britaninë e Madhe.
“Ata që na kritikojnë për firmat piramidale, i kanë bërë më herët në vendet e tyre”.
Kështu do të shprehej rreth dy dekada e gjysmë më parë, një ish-funksionar i lartë i Partisë Demokratike, kur u pyet përse shteti nuk ndërhyri në kohë t’i mbyllte ato.
Në një farë mënyrë, zyrtari i lartë i kundërpërgjigjej amerikanëve, duke u kujtuar atyre se skemat “Ponzi” e kishin origjinën prej andej. Dhe në logjikën e tij, meqë “piramidat” u shpikën në SHBA, amerikanët s’kishin gojë t’u kërkonin llogari shqiptarëve që pse i lejuan ato në vitet ‘90 (!)
Kjo është një mënyrë infantile të menduari si dje, edhe sot.
Paradoksalisht, të njëjtën logjikë dhe ligjërim antiperëndimor po përdor pasardhësi në qeveri i Sali Berishës. “Kush na kritikon për amnistinë fiskale e ka bërë më herët në vendin e vet. S’na bëjnë dot budallenj”, tha dje kryeministri Edi Rama, në një konferencë të mbledhur enkas për këtë çështje.
Aq i bën atij se Komisioni Europian u shpreh qartë kundër projektit të amnistisë fiskale. Aq i bën se ambasadorët e vendeve që mbajnë në këmbë BE-në, Franca dhe Gjermania e bojkotuan hapur fjalimin e tij, madje duke theksuar se “ndajnë qëndrimin e delegacionit të KE” për këtë çështje.
Aq i bën se të gjitha organizatat ekonomike dhe ato të tregtisë, të gjitha partitë e opozitës, ekspertët, ish-funksionarët e qeverisë së tij, që të gjithë pra, e quajnë të rrezikshme idenë e tij për amnisti fiskale.
Rama sot kamuflohet duke thënë se nuk synon legalizimin e parave të krimit. Por, mjafton t’i hidhet një sy deklaratës së Numrit Dy të PS, Damian Gjiknurit për të kuptuar gjithçka.
“Bota është plot paragjykime. Ca të keqe ka që çunat e Londrës të legalizojnë paratë e tyre? Njerëz janë dhe ata si të gjithë, që kanë marrë rrisqet e veta…”, tha Gjiknuri në një takim në Britaninë e Madhe.
Pra, do legalizohen paratë e atyre që kanë marrë rrisqe. Eshtë mëse e qartë. Rrisqe nuk merr punëtori i ndershëm i ndërtimit, por ai që merret me drogë, prostitucion, pastrim parash, etj. Ja, këto para do të legalizojë Rama.
Pak ditë më parë Dhoma Amerikane e Tregtisë tha se kjo nismë është e rrezikshme. Sipas Dhomës, nuk ka asnjë garanci që nuk do legalizohen paratë e aktivitetit kriminal.
Dhoma Amerikane e Tregtisë rekomandoi tërheqjen e projektligjit.
Këtu Rama “u tërbua”. Ai e quajti këtë rekomandim fletërrufe dhe mungesë respekti!
Njësoj si diktatori komunist që e sundoi dhe izoloi Shqipërinë pothuajse gjysëm shekulli, Rama iu përvesh të gjithë faktorëve ndërkombëtarë duke i akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme.
Retorika sovraniste ngjan qesharake, sot, njësoj si 50 vite më parë. Deri diku, ajo mund të jetë e mirëkuptueshme kur je në opozitë, por kur je në pushtet, është e rrezikshme.
Shqipëria ka një eksperiencë të hidhur të politikave dhe qëndrimeve izolacioniste. Por, mesa duket, 45 vitet e komunizmit nuk shërbyen për të mësuar mësimin.
Shqipëria sot është vend kandidat i BE, vend anëtar i OKB, i KiE, i NATO-s, në partneritet me FMN, Bankën Botërore dhe çdo institucion tjetër financiar që operon në këtë pellg. Ekonomia dhe financat tona janë aq të lidhura me ato europiane dhe botërore, sa sovranizmi financiar sot është një utopi.
Aq më tepër, që gjysma e shqiptarëve jetojnë nëpër botë. Shqipëria nuk ka mundësinë, edhe sikur të dojë, që të izolohet nga të tjerët.
Shqipërisë nuk i duhet një Enver i dytë. Izolimi sjell rrënim. E provoi Enveri dhe ndonjë pasardhës tjetër i tij. Këmbanat duhen dëgjuar sa je në kohë. Ndryshe, i hyn një rruge pa kthim. Mund ta vazhdosh rrugën, por në fund, do të izolosh vetëm veten, jo kombin.
Gazeta Shqiptare