Nga: Elmas Bogdani

Një tjetër goditje e madhe në radhët e mazhorancës pritet të ndodhë këtë javë, sipas deklaratave të avokatit Arben Llangozi. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka paralajmëruar se ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, është në prag të arrestimit dhe se qelia e tij në Durrës është tashmë gati. “Në Durrës është duke u bërë gati dhe qelia e Taulant Ballës. Rama është duke arrestuar ministrin e tij të radhës. Rasti konkret është bërë gati ministri i shtetit. Këtë javë do të shohim surpriza.

Shpresojmë që Tao të jetë afër shokëve të vetë, Ilir Beqaj me kompani. Kjo është organizata kriminale që po zhduket çdo ditë”, u shpreh avokati Llangozi. Problemet e Ballës me drejtësinë janë të hapura dhe dosja që e ka mbajtur dhe vazhdon ta përndjekë prej kohësh është ajo e aferës “Toyota Yaris”. Kujtojmë se vitin e kaluar Balla ka qëndruar prej më shumë se 1 orë brenda SPAK. Nuk dihet nëse është prerë fletë-arresti për Ballën, siç paralajmëron dhe Llangozi, por në kampin opozitar, kryesisht nga ish-kryeministri Sali Berisha janë hedhur akuza shumë të rënda drejt ministrit, madje që kreu i PD pretendon se këto janë të faktuara dhe nga SPAK.

Akuzat dhe përgjimet

Jashtë dyerve të SPAK, Sali Berisha edhe ditën e djeshme ka nxjerrë biseda të reja nga aplikacioni i enkriptuar “Sky Ecc”, duke pretenduar se ato i referohen ministrit Taulant Balla. Më konkretisht, në biseda mes dy personave, ata bëjnë me dije se “Bujari”, ka takuar një ditë më parë “Taon”, i cili i ka dhënë garanci se kundërshtari i bandës “Nefi” do të shkojë në SPAK me 100% siguri. Madje sipas Berishës, ata i bëjnë presion “Taos” se nëse nuk ia rregullojnë këtë gjë, ai nuk do i ketë më në krah. “Vazhdon historia e Taos, i cili siç e dini ju, pasi arrestoi me policinë dhe prokurorinë e Elbasanit rivalët e bandës, pasi u mor me çlirimin e aseteve të Toyota Yaris, vazhdon krimin e tmerrshëm zgjedhor. Por kësaj here, bashkëpunëtor numër 1 ka bandën dhe Skapin e partisë. Ju lutem dëgjojeni. Me datën 17.11.2020, Target e njoftoi pinin AM5P80 se Bujari takoi Taon dje dhe ai konfirmoi se Nefi, kundërshtari i bandës do shkojë në SPAK 100 përqind siguri.

Pra, thirrjet në SPAK vendosen nga Tao dhe Edi Rama, se Tao nuk i bën pa Edi Ramën këto dhe pastaj dërgohen në Skap për t’i ekzekutuar. Me datën 23.11.2020, Target njofton pinin AM5P80 se të gjithë e kanë ‘bllokuar’ Taon në mënyrë që të kuptojë nëse nuk ua rregullon këtë, nuk i ka në krah. Pra, Taos banda i bën bllokadë të plotë, ose qëndroji fjalës, ose me ne do kesh punë. Me datën 24, një ditë më vonë, Target informon të njëjtin pin se sot ata informuan Taon, ose ti bëje këtë për ne, ose nuk do lejojmë në anën tuaj zgjedhje. E kuptoni ku vendoset fati i zgjedhjeve dhe i votave? Vendoset në bodrumet, vendoset në shpellat e klaneve më mafioze të Edi Ramës.

Dhe pastaj kësaj thirrje, këtij paralajmërimi, këtij ultimatumi, Tao tha: Nesër ndodh! Pra, të gjitha urdhërohen nga banda, ultimatumit të bandës që ose vepro, ose nuk do ketë zgjedhje siç i do, pra nuk do vjedhim vota për ty, Tao u përgjigjet: Nesër ndodh. Këto janë krimi elektoral, dosjet e krimit të shëmtuar të Taulant Ballës, Edi Ramës, mbi të cilat fle Skapi i partisë dhe ky është një krim monstruoz kushtetues. Nuk e kam të qartë se kush është Target në këto përgjime. Nuk mund ta them, nuk krijoj dot… që është eksponent i krimit, kjo nuk ka diskutim, por nëse është një anëtar i bandës me kollare apo me llërë të zhveshura dhe me automatik në dorë, nuk mund ta them. Një gjë dua të them, që për mua si përgjegjës, si kryetar i partisë kryesore opozitare, krimi elektoral është krimi i parë, krimi më i shëmtuar, më i rëndësishëm, më antikushtetues.

Ramën, Gjiknurin, Manjën dhe të tjerët i ka amnistuar Altin Dumani, kjo dihet që ata janë kriminelë elektoralë. Por këto të dhëna të reja që paraqes unë për krimin elektoral, këto dëshmojnë amnistinë ndaj këtij krimi të shëmtuar nga Skapi i partisë, dëshmojnë hipokrizinë e pretendimit të tyre se do hetojmë krimin elektoral. Ndërkohë, duhet të jemi realistë, Tao në dokumente figuron më i lidhur me disa banda. Jo me një, me disa banda. Prandaj Tao, që është një kriminel i vërtetë që mban portofolin e ministrit dhe mandatin e deputetit, është më kriminel se bandat, të cilave u shërben…”, u shpreh Berisha.

Dosja e Ballës

Kreu i PD ka përmendur pak kohë më parë dhe dosjen e SPAK me numrin “26/1”, e cila sipas tij përmban çështje në të cilat janë të përfshirë Edi Rama dhe Taulant Balla. Sipas Berishës, kjo është një dosje, nuk po hetohet vetëm nga SPAK, por edhe nga agjenci dhe shërbime të huaja. “Dosja 26/1 është dosja e ferrit dhe e tmerrit Balla – Rama. Po të vini re ju edhe në konferencën e fundit të Ramës, kur i thotë gazetari për dosjen, atij i dridhet zëri. Ka të tjerë më shumë se unë, tha ai.

Sepse ka edhe një faktor ndërkombëtar shumë të rëndësishëm. Televizioni kombëtar belg i nxori emrin atij. Nuk ia nxori Altin Dumani emrin, por ia nxori televizioni kombëtar i Blegjikës”, tha Berisha. I pyetur se për çfarë çështjesh bëhet fjalë në këtë dosje, ish-kryeministri dha pak detaje. “Për Ramën mund të mos ketë çështje që nuk është i përfshirë. Rama është i zhytur në gjëra nga më të pakonceptueshme. Dosja 26/1 në dijeninë time është dosja, Balla-Rama, por atë nuk e ka vetëm Dumani, e kanë disa agjenci dhe shërbime të huaja. Çështja e luftës kundër kriminalitetit është çështje e sigurisë kombëtare”, – tha ai. Berisha tha se të gjitha përgjimet e publikuara prej tij ku përmenden eksponentë të rëndësishëm të PS janë të bazuara në fakte dhe dosje konkrete. Kreu i PD u shpreh se të gjitha i ka të provuara dhe SPAK nuk mund ta përgënjeshtrojë.

“Unë jam njëri i ligjit dhe pas gjithë këtyre proceseve nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme. Kur unë gjej dosjen që më vjen nga SPAK apo burime të tjera kur thuhet Tao mori porosi të shkojë e të lirojë 2 vrasësit që i vunë Lulzim Kullës tritolin në shalën e biçikletës, akt i mirëfilltë terrorist…a mund të them gjë tjetër veç organizatë kriminale. Shembull tjetër Toyota Yaris është implikuar në të gjitha etapat e atij krimi, e kanë dosjen aty… SPAK nuk më përgënjeshtron dot si i nxjerr dokumente, nuk mundet kurrë unë… mund të bëjë një gjë ndonjëherë për të mbrojtur dëshmitarët i spostoj pak këtej pak andej. Një nga një do ju faktoj shqiptarëve se ata janë një organizatë e mirëfilltë kriminale”, tha Berisha.

Nga: Gazeta Sot