Në Libohovë e kishin marrë kalanë nga… brenda.-

Nga: Entela Resuli

Për të shkuar në Libohovë të Gjirokastrës, sa lë pas rrugën nacionale të shoqëron gjelbërimi.  Ndjen freskinë dhe aromën e barit. Dalëngadalë të shfaqen shtëpitë me avlli të mbushura me trëndafila, bahçe të punuara dhe njerëz që kujdesen për prodhimet e tyre.

Vizita e parë ishte drejt kalasë. Me vështirësi gjeta një nga hyrjet e saj, edhe pse në tabelën lajmëruese tregohej se kishte tre të tilla.

Pasi u futa në portën një shtëpie, m’u desh të kaloja edhe një portë tjetër për t’u gjendur në kala. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë diçka e tillë. Ja që Libohova e ofronte edhe këtë gjë.

Aty merrte kuptimin parësor shprehja “ta merr kalanë nga brenda”.

Kështu kishte bërë edhe Ladi nga Libohova; e kishte marrë kalanë brenda në shtëpi. Banesa e tij dikur kishte qenë Shtëpi Kulture, ndërsa pas viteve ’90 ai tha se e kishte privatizuar, dhe tashmë ishte bërë e tija.

Kështu, për të vizituar kalanë duhet të kaloje nga shtëpia e Ladit!

I zoti i shtëpisë (Vladimir Ruçi), një libohovit krenar për origjinën e tij, na thotë se kalaja vizitohet nga shumë turistë, të cilët vijnë për të parë fshatin, por edhe këtë objekt me rëndësi kulturore dhe historike.

Kalaja kishte një pozicion strategjik dhe kontrollonte gjithë luginën. Ajo është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në vitet 1796 –1798. Ai ia bëri dhuratë motrës, Shanishasë me rastin e martesës me një nga anëtarët e familjes Libohova.

Te rrapi

Në qendër të fshatit është qetësi! Sheshi kryesor, ku gjendet edhe shtëpia e Myfit Bej Libohovës, sapo i është nënshtruar projektit të Rilindjes Urbane.

Është shtruar i gjithi me pllaka guri. Për ta quajtur të përfunduar ka mbetur edhe pak punë.

Një nga krenarit e Libohovës është edhe pema e rrapit, për të cilin thonë se është më shumë se 560-vjeçar. Kush e di sa njerëz kanë qëndruar nën hijen e tij në më shumë se 5 shekuj!

Të shumtë kanë qenë ata që janë rritur duke luajtur në degët e rrapit. Njerëzit janë larguar nga kjo botë, ndërsa rrapi ka vazhduar të zgjas degët e tij, ndaj edhe sot, ai është shpallur monument natyre dhe mbrohet nga shteti.

Shumëçka është prishur, thyer e prerë në Shqipëri vitet e fundit, çudi që nuk ia kanë vënë sharrën edhe rrapit të famshëm! Edhe për rezistencën që i ka bërë barbarisë njerëzore për të shkatërruar çka u ka dalë përpara, meriton të ketë statusin e monumentit…

Gjatë ecejakeve në qendër takova Sedatin, një libohovit i cili nuk e ka braktisur fshatin, si shumë të tjerë. Ai na tregon se Libohova nuk e ka më gjallërinë e dikurshme, pavarësisht se është dhe mbetet një fshat me tradita.

E megjithatë, Sedati, me profesion kuzhinier, në bar-restorantin e tij të vogël në qendër të fshatit pret e përcjellë të huaj dhe shqiptarë që vizitojnë Libohovën.  Ai thotë se jeton mirë me këtë punë!

Burim të tjera të ardhurash për ata që jetojnë dhe punojnë në Libohovë janë bujqësia, blegtoria dhe ndërtimi. Libohovitët njihen si mjeshtër të gurit, ata punojnë shumë me ndërtimin e shtëpive dhe çative.

Në foto: Shtëpia e Myfid bej Libohovës

Gjithashtu bien në sy ,në qendër të fshatit, sarajet e bejlerëve të Libohovës.

Aty ngrihet edhe shtëpia e Myfid bej Libohova, një prej burrave më të rëndësishëm të historisë që njihet si bir i kësaj zone. Banesa e tij qëndron e mbyllur me një flamur kuq e zi që valëvitet në ballkon, në pritje të ndonjë rikonstruksioni.

Myfid bej Libohova (1876 -1927) ka qenë diplomat i Perandorisë Osmane, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, nënshkrues i Shpalljes së Pavarësisë, disa herë ministër i shtetit shqiptar, si dhe themelues i Bankës së Shqipërisë.

U largova nga Libohova me aromën e trëndafilave dhe barit të njomë. Edhe pse u futa në fshat me idenë se do të takoja burra me bastun që tregonin për të parët e tyre, gra të veshura me kostume tradicionale… por jo! Ndoshta këto, tashmë në 2018-n, do të mbeten përgjithmonë si pjesë e së kaluarës.

Libohova paska ndryshuar…!

Dita