Në malet shqiptare BBC gjeti bimët e shumëkërkuara mjekësore
Në malet shqiptare BBC gjeti bimët e shumëkërkuara mjekësore
9 KORRIK 2021
Elizabeth Gowing rrëfen për BBC Travel udhëtimin e saj në veri të Shqipërisë, në Kukës. Një reportazh kushtuar bimëve mjekësore që mblidhen në këtë vend, e që tashmë po kërkohen kudo në botë, duke i ofruar kështu industrisë vendase mundësi të mëdha ekonomike, por mbi të gjitha edhe pavarësi grave.
Elizabeth e nis përshkrimin e saj duke kujtuar fragmente nga takimet me banorë të shumtë të zonës, si dhe një thënie të Kanunit mbi gratë, “gruaja është një thes për t’u përdorur mirë”. Kështu vëmendjen e saj e tërhoqën gratë me shamia të bardha e gërsheta të zeza, që mbanin thasë të ngarkuar me bukë, çarçafë ose bimë të egra. Të gjitha grumbulluese bimësh të ndryshme mjekësore, që prisnin t’i shisnin, qoftë edhe për një euro kilogrami.
Destinacioni i saj kryesor ishte fshati Çajë, një zonë 77% malore me një klimë dhe tokë mesdhetare që i bëjnë bimët e mbledhura të egra shqiptare të kërkuara ndërkombëtarisht. Kjo industri ofron mundësi të mëdha ekonomike për gratë e zonës, megjithëse të korrat e tyre duhet të përmbushin standardet ndërkombëtare si p.sh. të mos kenë shumë material të papërdorshëm – si kërcell apo gjethe të panevojshme, por më së shumti lule.
E mirëpritur në bujtinën Musaj, Elizabeth, shpresonte se do mund të provonte çajin e malit, por në vend të tij iu shërbye një çaj tjetër bimor prej boronice. “Ne kemi mbledhur 100 kg boronicë vitin e kaluar”, tregon Donika Musaj për të. Kjo familje, është vetëm një nga më shumë se 100 000 familje shqiptare të përfshira në kultivimin ose korrjen e bimëve medicinale dhe aromatike. Në të gjithë vendin, kjo do të thotë se një në shtatë shtëpi është e lidhur me këtë sektor, i cili gjeneron deri në 28 milionë dollarë në eksporte. Në vitet 2018 dhe 2019, rreth 12 000 tonë bimësh të ndryshme mjekësore dhe boronicash u eksportuan për gastronominë e huaj dhe tregjet farmaceutike.
Sasi të mëdha nga bima primula veris që gjendet në këto zona të Kukësit janë përbërësi kryesor për industrinë kozmetike, në prodhimin e serumeve, maskave dhe kremrave më të njohur në botë, të përdorur për shkëlqimin, përsosjen dhe antiplakjen e lëkurës.
Megjithatë, të mbledhësh këto lule nuk është aq e thjeshtë. Gratë tregojnë se gjatë sezonit nga maji në shtator punojnë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 18:00. Ndonëse nuk shkojnë aq larg sa burrat për të grumbulluar bimë, apo nuk mbledhin aq sasi sa ata, pavarësia që ekonomia e bimëve medicinale u ofron grave vendase, është shumë i dukshëm.
“Ky sektor u jep mundësi grave të kenë të ardhura dhe të bëhen të pavarura ekonomikisht nga burrat. Por gratë nuk duhet të jenë vetëm punëtore që mbledhin bimët, por edhe vendimmarrëse në tregtimin e produktit”, shprehet Anila Aliaj që aktualisht punon me më shumë se 1000 fermerë.
Aishe Ivani, infermierja e fshatit Çajë, iu bën jehonë bimëve medicinale që ndihmojnë komunitetin e saj. Ajo gjithashtu shkon në male duke mbledhur bimë dhe thotë se “me natyrën që Zoti na ka bekuar, ne jemi mjekët e vetes”.
Gra që mblidhnin bimë aromatike, Elizabeth i ndeshi edhe në fshatin Gruemirë, që madje i kërkuan asaj edhe një fotografi, teksa punonin për të gjetur lulet që sigurojnë bukurinë dhe rininë e përjetshme.