“Në ‘ML’ u gjetën 50 euroshe, emra dhe formularë patronazhimi”! Lala e Bajrami: – Si gënjeu Ardi Veliu për vrasjen e Xhuvanit
28 Qershor 2022
Gazetarët e kronikës, Klodiana Lala dhe Armand Bajrami, thanë në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24, se Policia e Shtetit gënjeu publikisht për ngjarjen e Elbasanit katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku u vra Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër persona të tjera.
Të dy gazetarët drejtuan gishtin nga kreu i Policisë së Shtetit në atë kohë, Ardi Veliu, i cili në deklaratën për media pas ngjarjes tragjike tha se “Në mjetin “ML”, pa targa, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundraligjshme, që mund të përdoreshin për shit-blerje të votës”.
Lala: Mua më shqetëson se përse, sot që flasim, Ardi Veliu, gënjeu? E detyruan, e bëri për arsye politike, për interesa personale, se ishte i shantazhuar nga krimi? Pse gënjeu? Alfred Shehu është sot në SPAK, kishte një listë me emra. Pse gënjyen ata?
Bajrami: Në fakt rezulton se në këtë makinë janë gjetur, përveç dy prerjeve nga 50 euro dhe një prerje shqiptare 2 lekë, janë gjetur një lloj blloku me emra, numra, karta identiteti, një dokument A4 me formularë patronazhi. Policia mohoi që kishte gjetur materiale zgjedhore. Këtu ishte pika e parë e deformimit të ngjarjes. Më pas, mbërritëm te kjo situatë, që është po aq e pashpjegueshme, për masën e “arrestit të shtëpisë” për tetë zyrtarët e policisë. Kemi të bëjmë me një frymë, jo me veprime individuale. Është e pamundur që 8 persona, zyrtare policie, të mos thonë të vërtetën. Mendoj se kanë qenë deklarata të diktuara, por nuk di të them nëse janë bërë me ndikim nga politika apo nga bota e krimit./ BW