Në moshën 85 vjeçare piktori Hasan Nallbani vjen me një ekspozitë të re

18 Janar, 2020

Në emisionin chic në News24 do të flasim për piktorin e mirënjohur Hasan Nallbani. Është pikërisht platforma Harabel Contemporary që ka krijuar një moment krejtësisht të veçantë, dedikuar këtij artisti shumë të njohur, që do të prezantohet jo vetëm me një ekspozitë por me një strukturë të tërë aktivitetesh, të cilat do të përmbledhin dhe promovojnë emrin e këtij artisti të njohur të artit figurativ në Shqipëri.

Me realizimin e këtij aktiviteti do të merret kuratori Vladimir Myrtezai, i cili është i ftuari i sotëm i Chic me Fjodora Fjoran. Është pikërisht Myrtezai që së bashku me Ajola Xoxën ka krijuar dhe organizuar këtë event. Ai do të flasë më tepër për këtë aktivitet si dhe pikturat e Hasan Nallbanit që nisin që nga koha e realizmit socialist e deri në ditët e sotme. Hasan Nallbani ka pasur disa ekspozita të rëndësishme, që nxirrnin në pah figurën femërore, një lloj pikture moderne që ka sjellë një risi në artin figurativ shqiptar dhe me këtë rast është mbledhur e gjithë krijimtaria e tij për t’u përcjellë në një formë ndryshe nga ky aktivitet.

Hasan Nallbani

-Hasan Nallbani vjen me këtë ekspozitë në moshën 85 vjeçare. Cdo të thotë sipas jush të vish me një ekspozitë në këtë moshë?

Ekspozitën e Hasan Nallbanit e kam bërë me shumë përkushtim dhe dashuri sepse unë jam nxënësi i tij, pra është një lidhje shpirtërore, që më detyron ti rrijë mirë këtij formati dhe këtij autori. Pavarësisht se 85 vjeç ai ka një energji të paparë, më dërgon mesazhe natën si një adoleshent më thotë të pëlqen kjo piktura dhe të ekzaltosh mësuesin tënd në këtë mënyrë është një kënaqësi shumë e madhe.

Është një akt bashkë kuratorial, pranova të punoj me Harabel dhe me Ajola Xoxën, për një arsye sepse marr energji prej tyre, sepse janë edhe më të freskët, me bashkëkohore, por edhe i rri pranë sepse besoj tek ata që dinë të bëjnë gjëra dhe që kanë energji pozitive, që nuk kanë komplekse ndaj historisë së artit.

-Cfarë do të shohim nga ana piktoreske e Hasan Nallbanit ?Cili është këndvështrimi që keni zgjedhur?

-Hasan Nallbani është një figurë e stampuar nga opinioni publik, ka një opinion për pikturën e tij, ka një marzh historik, ka një fillim, një vazhdim, një fund dhe është një energji në lëvizje pafund dhe është një artist i hapur me mjetet e tij, të cilat nuk i tradhton kurrë.

-Hasan Nallbani ka një gamë të madhe krijimesh. Cfarë linje zgjodhët për të mbajtur në këtë ekspozitë dhe çfarë do të shohim ndryshe në këtë ekspozitë?

-Është piktura mbushëse e para, piktura emocionale që vjen fort për mendimin tim dhe që Nallbani e ka pasur dhe e ka prapë, ekuilibrat brenda një kuadrati ai i organizon shumë mirë, ose edhe kur do të ndërhyjë me subjektin edhe aty është shumë interesant, mënyra si e fragmenton dhe si e sjell pikturën.

-Kam dëgjuar që ekspozita nuk do të jetë thjesht një ekspozitë ajo do të pasohet nga evente që i kushtohen krijimtarisë dhe figurës së Hasan Nallbanit. Cfarë pritet të ndodhë ekzaktësisht?

-Do të jetë një aktivitet ndryshe por preferoj disa gjëra ti lëmë surprizë

-Nëse do të bënim një përkufizim të asaj që përfaqëson Hasan Nallbani me figurën e tij të artistëve të brezit të tij ju si do e quani?

-Hasan Nallbani është një aset kombëtar, kaq besoj mjafton.

(da.xha/BalkanWeb)