Në një vend ku të burgosurit votojnë 100 % qeverinë, nuk ka demokraci
26 Maji 2023
Analisti Fatos Lubonja, është shprehur se në Shqipëri nuk ka demokraci, por regjim të kryeministrit Edi Rama.
Komentet Lubonja i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin “Open” në News 24, ku tha se Rama ka kërcënuar qytetarët për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ai solli në vëmendje rastin e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, si dhe vendimin për logon e PD-së, për të treguar se zgjedhjet e 14 majit nuk ishin të lira.
“Mazhoranca fiton 52 nga 61 bashki, nuk mund të jetë demokraci apriori. Në një vend ku burgjet votojnë 100% qeverinë, s’ka demokraci, në një vend ku kryeministri thotë se nëse votoni opozitën, nuk do merrni asnjë k*qe leku, nuk ka demokraci. Këtu nga ka demokraci, por regjim. Në një vend ku drejtësia është e kapur dhe përdoret, si rasti Beleri, apo vula e PD, ka shumë argumente.
Nuk ka zgjedhje të lira, e po nuk pati nuk mund të flasim se kush humbi. Ne vazhdojmë e bëjmë sikur jemi në demokraci. Ne bëjmë këtë debat këtu dhe themi kush humbet duhet të ikë. Kush humbet ikën, këto janë rregullat e demokracisë. Ndërsa në një vend që dhe opozitën e drejton regjimi, nuk duhet diskutuar se kush do ikë. Padyshim që opozita ka 1001 probleme, por të mos harrojmë krahun tjetër.
As nuk dalin në debate, gjysma janë analfabetë nga këta kryetarët e komunave. Unë nuk jam i kësaj teze, ta derdhim zemërimin te opozita… për mua kjo është e gabuar. Nuk mund të presësh një shpëtimit që të vijë të na shpëtojë. S’mund të presim një burrë të mirë, se politika nuk është një burrë i mirë. Politika është luftë interesash. Ata afro 100 mijë vota që mori Tom Doshi, pse nuk ndenjën në shtëpi ata? Dolën nga shtëpia dhe dolën e votuan.
Ti më blen votën, ndenjjen në shtëpi dhe pastaj thotë që i falënderoj që ndenjën në shtëpi. Pse more çfarë të mirë po u bën atyre? Pse duhet të shkojnë te Tom Doshi? Pashë tani, 64 vota të Partisë Repubilikane kanë shkuar nga ky grupi. Unë gjykoj që primare është mazhoranca, opozita padyshim që ka probleme. Përçarja e PD është e lidhur me aktivitetin përçarës të Ramës”, u shpreh Lubonja.
Gazeta Sot