Në oborrin e banesës së saj bashkëjetojnë 27 qen dhe 11 mace
Në oborrin e banesës së saj bashkëjetojnë 27 qen dhe 11 mace
7 maji 2022
Aldo Mustafa
Zamira Kuçi, vajza që i kushton jetën rritjes së kafshëve të braktisura! Në oborrin e banesës së saj bashkëjetojnë 27 qen dhe 11 mace
Të mbajturit e kafshëve të shoqërimit, për disa është kënaqësi dhe për disa të tjerë kthehet në mision të jetës. Në një kohë që disa zgjedhin t’i keqtrajtojnë kafshët e rrugës, ekzistojnë dhe engjëjt e tyre mbrojtës të cilët në heshtje bëjnë punë të pakrahasueshme për t’i mbrojtur. Një ndër këta misionarë është dhe Zamira Kuçi, kafshëdashëse dhe njëkohësisht vullnetare pranë organizatës “Jeta, Kafshët dhe Njerëzit”
Rrit madhesinë e shkrimit Zvogëlo madhesinë e shkrimit
Vajza durrsake, Zamira Kuçi prej më se dy vitesh e ka kthyer oborrin e banesës së saj në një strehë për 27 qen dhe 11 mace të pastreha.
Gjithçka nisi me qenushin e parë që adoptoi dhe njohja përfaqësuesen e organizatës “Jeta Kafshët dhe Njerëzit”, Xheni Hasanaj.
“Unë kam pasur kafshë shtëpiake qe e vogël, por skam pasur mundësi të kujdesem. Kjo ndodhi kur u lidha me organizatën ku jam. Gjatë punës hasim problematika ndaj edhe kafshët e kastruara nuk mund ti lëshojnë në habitatin e tyre pa i mjekuar.
Dita nis me pastrimin e oborrit dhe kolibeve, ndërkohë që vazhdon me përkujdesin për kafshët që trajtohen me mjekime.
“Zgjohem në mëngjes, u hedh ujë dhe ushqim dhe largohem për punë. Është e vështirë, por kur është dashuria për kafshët mendoj se lodhja ikën vetë”.
E gjendur përballë kësaj dëshire dhe numrit të lartë të rasteve të qenve të braktisur , lindi nevoja e krijimit të një qendre të posaçme për kurimin e qindra kafshëve të rrugës në qytetin e Durrësit. Ambientet janë vënë në dispozicion nga bashkia e Durrësi, ndërsa shpenzimet mbulohen nga vullnetarët e organizatës.
“Këtu në strehëz janë 34 qenushë, të gjithë të braktisur. Është e vështirë ti sterilizosh e kastrosh, sepse organizata nuk ka fonde shtetërore, mbahet vetëm me donacionet e vullnetarëve”.
Së fundmi një lehtësim ka qenë dhe adoptimi i kafshëve të pastreha në disa shtete të Evropës si në Gjermani, Zvicër, Poloni, Itali, etj.
“Ne kemi hapur database, ku mbajmë qenushët që japim për adoptim të gjitha me microchip. Kryesisht tentojmë ti adoptojmë jashtë vendit. Po na ka ndodhur kemi shumë raste që kemi dhënë për adoptim jashtë vendit”, vijon ajo.
Në të paktën 5 vitet e fundit në qytetin e Durrësit përllogariten afërsisht 5000 kafshë endacake të cilat janë sterilizuar dhe vaksinuar si një ndër praktikat më të mira për parandalimin e shtimit të tyre në rrugë, gjithçka kryer dhe asistuar nga vullnetarë si Zamira Kuçi.
Gazeta Shqiptarja.com