Në Rrënjët Ilire dhe Indoeuropiane të Shqipes. –
Në Rrënjët Ilire dhe Indoeuropiane të Shqipes
Dr. Nelson R. Çabej
(Pjesa e parë)
Shqipja është e vetmja nga gjuhët e pashkruara të Ballkanit të lashtë (ilirisht, trakisht, maqedonisht e dakisht), që ka mbijetuar deri sot. Por dokumentet e shkruara më të vjetra që njohim për gjuhën shqipe, formula e pagëzimit e Pal Engjëllit dhe fjalorthi shqip-gjermanisht i pelegrinit Arnold von Harff, na vijnë vetëm nga shekulli XV. Kjo është më vonë se tekstet e para të gjermanishtes së lartë të vjetër, që dalin në shekullin VI, të frëngjishtes së vjetër dhe të sllavishtes kishtare (përkthimi maqedonisht i Biblës nga Cirili e Metodi) në shekullin IX, të kroatishtes e sërbishtes në shekullin XII, polonishtes në shekullin XIII, etj. Por, sidoqoftë, shqipja e shkruar dokumentohet para disa gjuhëve të tjera europiane si rumanishtja, letonishtja, lituanishtja, që dalin të shkruara së pari nga shekulli XVII.
Vetë gjuha shqipe, fjalori i saj i trashëguar, është dëshmia më e vjetër për prejardhjen dhe lashtësine e saj. Në evolucionin e fjalëve e në strukturën gramatikore është gdhëndur historia e saj sipas një kodi vetiak, që është mishëruar në regullat e fonetikës dhe gramatikës së saj. Duke ndjekur evolucionin e fjalëve të shqipes deri në burimin e tyre më të hershëm indoeuropian të 5-6 mijë vjetëve më parë, gjuhëtarët kanë rindërtuar format e njëpasnjëshme të atyre fjalëve deri në format e sotme shqipe, duke krijuar kështu një pamje të përgjithëshme të lindjes dhe etapave të zhvillimit historik të saj.
Familja e gjuhëve indoeuropiane
Shqipja bën pjesë në familjen gjuhësore indoeuropiane, që përfshin thuajse tërë gjuhët e sotme të gjalla të Europës dhe disa gjuhë të gjalla e të vdekura të Azisë. Familja e gjuhëve indoeuropiane është studiuar më shumë e njohur më mirë se sa çdo familje gjuhësore e botës dhe deri me sot nuk ka qenë e mundur të provohet shkencërisht se ajo lidhet gjenetikisht me ndonjë familje tjetër gjuhësore.
Lindja e gjuhësisë indoeuropiane rëndom është lidhur me emrin e William Jones-it (1746-1794), ndonëse më shumë se një shekull para tij, studiuesi hollandez Marcus Zuerius van Boxhorn (1612 –1653) kishte ardhur në të njëjtin përfundim me të, se disa gjuhë të Europës dhe persishtja e indishtja e vjetër kishin dalë nga një gjuhë më e vjetër, tanimë e zhdukur. Nga fillimi i shekullit XIX deri në ditët tona, kjo ide nxiti një ortek studimesh të panjohur ndonjëherë më parë në fushën e gjuhësisë, të cilat i shpunë gjuhëtarët në përfundimin se të gjitha gjuhët e sotme dhe ato të zhdukura të Europës (veç baskishtes, hungarishtes, finlandishtes dhe estonishtes) dhe gjuhë të tjera të sotme (indishte e vjetër, persishte, etj.) dhe të zhdukura të Azisë, ishin bija të një gjuhe të vetme. Kjo gjuhë ishte folur nga një popull që, shumica e historianëve, gjuhëtarëve dhe arkeologëve besojnë të ketë jetuar mbi 6 mijë vjet më parë në një truall që shtrihej në stepat e Europës lindore, midis maleve Urale, Detit Kaspik dhe lumenjve Vollga e Don. Procesi i formimit të gjuhëve bija të asaj gjuhe nënë të familjes së sotme indoeuropiane mendohet të ketë nisur rreth 5 mijë vjet më parë
Ndër gjithë popujt indoeuropianë, ata që e shkruan të parët gjuhën e tyre, qysh në shekullin XVIII p.e.s., ishin hititët, një popull anatolian që jetonte në Turqinë e sotme e në Sirinë e veriut. Tre-katër shekuj pas tyre, rreth shekullit XIV p.e.s. datohet mbishkrimi i parë në greqishten e vjetër, i ashtuquajturi Linear B.
Sot gjuhët indoeuropiane përfaqësojnë grupin e gjuhëve më të përhapura të botës, me rreth 3 miliard veta që i flasin ato si gjuhë të nënës dhe rreth 1 miliard – si gjuhë të dytë.
Shqipja në pemën gjenealogjike të gjuhëve indoeuropiane
I pari që u mor me prejardhjen e gjuhës shqipe ishte “Aristoteli i kohëve të reja”, por njëkohësisht edhe “një dijetar i hershëm i vërtetë i gjuhës shqipe”1 filozofi gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz (1646–1716), në përgjigje të një kërkese të Bibliotekës mbretërore të Prusisë për të dhënë një mendim se ç’ishte dhe nga vinte gjuha shqipe2. Me etimologjizimet e tij, mjaft të sakta për atë kohë, ai erdhi në përfundimin se shqipja ishte gjuha e ilirëve. Pastaj, në një punim të veçantë kushtuar shqiptarëve dhe shqipes, Josef Ritter von Xylander (1794-1854) gjithashtu arriti në përfundimin se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, që ishin “të lidhur nga gjaku me trakët”3. Por vetëm nga mesi i shekullit XIX, gjuhëtari gjerman Franz Bopp (1791-1867), një nga themeluesit e gjuhësisë krahasimtare indoeuropiane, në një punim të veçantë kushtuar prejardhjes së gjuhës shqipe, vërtetoi përfundimisht se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoeuropiane4.
Disa vite më vonë, nën ndikimin e frymës evolucioniste darwiniane, August Schleicher (1821-1868), paraqiti skemën e parë të pemës gjenealogjike të familjes së gjuhëve indoeuropiane dhe përcaktoi vëndin e shqipes në të, krahas tetë gjuhëve të tjera indoeuropiane5. Sipas asaj gjenealogjije, të gjitha gjuhët indoeuropiane rrjedhin nga një burim i përbashkët, nga një gjuhë e stërlashtë indoeuropiane (indogermanische Ursprache).
Figura 1. Gjenealogjia e parë e familjes së gjuhëve indoeuropiane (gjermanisht, lituanisht, sllavisht, keltisht, italisht, shqip, greqisht, iranisht, indisht), sipas Schleicher-it (1861).
Më poshtë është një klasifikim më i ri i prejardhjes së gjuhëve të sotme indo-europiane, të formuara rreth vitit 1000 p.e.s.
Gjenealogjia më e re kompjuterike e familjes së gjuhëve indoeuropiane (figura 3), natyrisht, ndryshon nga ajo e Schleicher-it, ndonëse edhe ajo mbetet e bazuar në konceptin darwinian të evolucionit.
Figura 3.Një klasifikim i ri i grupeve të gjuhëve indoeuropiane në bazë të gjuhësisë kompjuterike. Në këtë gjenealogji, lidhjet më të ngushta të prejardhjes shqipja i ka me grupin e gjuhëve gjermanike.
Nga fundi i shekullit XIX indoeuropianisti gjerman Gustav Meyer, krijuesi i fjalorit të parë etimologjik të shqipes6, arriti në përfundimin se shqipja është gjuha bijë e një dialekti të Ilirisë së jugut, tezë që u mbështet edhe nga Paul Kretschmer-i7, një nga helenistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve.
Shqipja dhe rruga e ardhjes së paraardhësve të ilirëve në Ballkanin perëndimor
Të gjithë popujt e sotëm indoeuropianë janë përhapur në kontinentin tonë duke filluar nga mijëvjeçari i tretë deri në të dytin p.e.s., në një proces që njihet si indoeuropianizimi i Europës, me që ardhësit iu mbivendosën aty një popullsije të mëparëshme.
Shtegtimi i popullsive indoeuropiane ka ndodhur në kohën parahistorike, andaj për përcaktimin e periudhës kur erdhën në Ballkan paraardhësit e ilirëve mund të mbështetemi vetëm në të dhënat gjuhësore dhe arkeologjike. Josef R. von Xylander(1799-1854)8, e më vonë gjuhëtarë të tjerë, vunë re një numër të konsiderueshëm përputhjesh në fjalorin e shqipes dhe gjuhëve balte, që u përcaktuan si huazime nga njera tjetra. Ky fakt fliste qartë për një fqinjësi të dikurshme të paraardhësve të shqiptarëve me popujt baltë. Kjo hamëndje mbështetet edhe nga fakti që Eric Hamp e gjuhëtarë të tjerë e kanë futur shqipen në grupin veri-perëndimor të gjuhëve indoeuropiane9,10. Me që në tërë periudhën historike këta popuj kanë qënë gjeografikisht të ndarë, është logjike të mendohet se dikur gjatë shtegtimit të tyre të gjatë parahistorik, mbase disa-shekullor, drejt Ballkanit perëndimor, paraardhësit e ilirëve kanë qënë fqinj me popujt baltë. Në mbështetje të kësaj vjen dhe një e dhënë arkeologjike: rendi kohor i përhapjes nga veriu drejt jugut të kodërvarreve (një shënjë tipike dhe e pagabueshme e karakterit indoeuropian) në territorin e Ballkanit perëndimor e të Shqipërisë së sotme.
Ilirishtja si stad i mëparshëm i shqipes
Ilirishtja është një gjuhë për të cilën nuk janë gjetur dokumente të shkruar dhe materiali bazë për studimin e saj janë:
– emrat e vëndeve dhe të njerëzve, që dalin në burimet e shkruara të lashtësisë,
– një numër fjalësh ilire që na japin autorët e lashtë dhe
– rreth 300 mbishkrimet mesape të gjetura në Italinë e jugut (mesapishtja është një gjuhë ilire a një dialekt i ilirishtes, siç mendojnë thuajse njëzëri gjuhëtarët).
Nga studimi i këtij mateiali gjuhësor janë zbuluar disa tipare gramatikore të përbashkëta të ilirishtes me shqipen e sotme. Kështu, psh., grupet e bashkëtingëlloreve indoeuropiane bh, dh dhe gh në ilirisht dhanë përkatësisht b, d dhe g, gjë që vihet re edhe në shqipen11,12. Si në ilirishten dhe në shqipen e sotme dallohet mirë ndrimi i o-së së theksuar indoeuropiane në -a-, formimi i shumësit të emrave mashkullorë me mbaresën -i (Scupi), dhe i atyre femërorë me -a (Scodra), apofonia e-o, prania e gjinisë asnjanëse të emrave etj., si dhe pozicioni unik i ilirishtes dhe shqipes midis grupeve kentum dhe satem të gjuhëve indoeuropiane.
Kur flitet për kalimin e ilirishtes në gjuhën shqip, nuk kuptohet një dukuri e befasishme, por një proces disashekullor i evolucionit të saj në drejtim të thjeshtimit të gramatikës dhe të fjalëve që u intensifikua në Lashtësinë e Vonë. Periudha të tilla ndryshimesh të përshpejtuara njihen thuajse për çdo gjuhë tjetër dhe përcaktohen nga faktorë të brëndshëm e të jashtëm. Në rastin e kalimit nga ilirishtja në shqip, ndër faktorët e brendshëm janë prirja gjithësore e gjuhëve për të evoluar në drejtim të thjeshtimit të fjalëve dhe të gramatikës. Ndër faktorët e jashtëm specifike për evolucionin e ilirishtes në shqip duket se kanë qënë:
- Invadimi i fjalorit të ilirishtes me fjalë latine, për llogari të fjalorit të trashëguar të saj,
- Ndikimi i latinishtes në fjalëformim,
- Stresi social që shkaktuan ndër ilirët invazionet rrënuese barbare,
- Reagimi vetëmbrojtës i nënvetdishëm ilir, që u shpreh edhe në rikthimin në ritet e të parëve (varimi me pajisje) dhe artin primitive ilir, duke përfshirë shfaqjen e kulturës arbërore Koman-Krujë.
A do të mund ta kuptonim ne sot menjëherë një dokument të shkruar në ilirisht? Duke marrë parasysh që një grek i zakonshëm sot nuk e kupton dot një fjalim të Perikliut e as një italian një fjalim të Ciceronit, gjasat janë që edhe një shqiptar sot nuk do ta kuptonte një tekst të shkruar në ilirisht. Ky pohim mbështetet edhe nga fakti se shqipja, si një gjuhë që është shkruar vonë, duhet të ketë evoluar më shpejt se greqishtja dhe latinishtja.
Fjalët e ilirishtes “kanë kaluar vetëm nëpër gojën e shqiptarëve”
Interes ka ngjallur prania e emrave turq, latinë, grekë, por sidomos sllavë të fshatrave të Shqipërisë. Interesi i disa studiuesve të huaj, sidomos të vëndeve fqinjë, ka qënë motivuar nga synimi për të nxjerrë një argument kundër autoktonisë së shqiptarëve. Por, siç ka theksuar me forcë Eqrem Çabej, në shqyrtimin e problemit të atdheut të lashtë të shqiptarëve rëndësi kanë vetëm emrat e vëndeve (qyteteve, maleve e lumenjve) që dalin në dokumente të lashtë. Emrat e fshatrave përgjithësisht nuk dalin në ato dokumente sepse, si regull, në Ballkan fshatrat janë vëndbanime relativisht të reja e të lëvizshme dhe, për këtë arsye nuk kanë vlerë për identifikimin etnik të banorëve të trojeve iliro-arbërore në Lashtësi.
Duke ndjekur evolucionin, deri në ditët tona, të emrave të vëndeve ilire që dalin në burimet e shkruara të Lashtësisë ne mund të kuptojmë se regullat fonetike të cilës gjuhë e kanë përcaktuar atë evolucion. Në vitet 20-të të shekullit XIX Bartold Georg Niebuhr (1776-1831)vuri re se emri i qytetit ilir Dimallum shpjegohej logjikshëm me fjalët shqipe di (dy) dhe mal, që përputhet edhe me vendosjen e qytetit mbi dy kodra13. Në po atë shekull vrojtime thellëshikuese rreth evolucionit të emrave ilirë të vëndeve në bazë të regullave fonetike të shqipes bënë udhëtari dhe studiuesi anglez William Martin Leake (1777-1860)14dhe helenisti Paul Kretschmer (1866-1956)15.
Me prurjen vetiake madhore, dhe duke bërë sintezën e arritjeve të albanologjisë, në vitet 60-70të, Eqrem Çabej provoi dhe i bëri të njohur botës shkencore se evolucioni emrave të qyteteve, maleve dhe lumenjve ilire të trojeve shqipfolëse, nga format e lashtësisë që dalin në burimet e shkruara greke dhe romake deri në format e tyre të sotme, ka ndodhur në pajtim të plotë vetëm me regullat e fonetikës historike të shqipes ose, siç shprehej ai, ato emra kanë kaluar vetëm përmes gojës së shqiptarëve. Me këtë provohej përfundimisht se, të paktën gjatë tre mijëvjeçarëve të fundit, në këto troje ka banuar vetëm popullsi iliroshqiptare.
Në këtë grup bënin pjesë 18 emra vëndesh ilirë, duke përfshirë emrat e qyteteve Ulqin (Oulkinion), Shkodra (Scodra), Drisht (Drivastum), Lesh/Lezhë (Lissus), Çamëria (Thyamis), Arta (Arachthos), Vlora (Aulon), Durrës (Durrachium), Shkup (Scupi), Shtip (Astibos), Nish (Naissus), Rush (Ragusium), Kunavia (Candavia), Pulët (Polatum), të lumenjve Ishm (Isamnus), Shkumbin (Scampinus), Mat (Mathis) dhe Mali i Sharrit (Scardus mons).
Kjo listë mund të zgjatet duke shtuar edhe emrin e fshatit Amonica që ka dalë nga Amantia, Ballësh nga Bulis, Bajkaj nga emri i vëndbanimit prehistorik epirot Baiake(Βαιάκη), në Delvinë, Butrint nga Buthroton (Βουθρωτόν), Domosdova nga Damastion (ΔΑΜΑΣΤΙΝΩΝ), Gjashta nga Onhesmus (Ὄγχησμος), Palokastër nga Panotë, Peqin nga Clodiana, emri i fshatit Zgërdhesh, rëzë të Malit të Krujës nga emri i vëndbanimit të lashtë ilir Skydreon(Σκυδρέωνπόλις), emri i lumit Erzen nga Ardaxanus, emri i malit Tomor nga Tomarus/Tmarus dhe Nemërçka nga Ameron16, emri i krahinës Dropull nga Adrianopolis17,18.