Në shqip një nga librat simbol për Kombin Shqiptar.
Në shqip një nga librat simbol për Kombin Shqiptar.
Prej një muaji në libraritë e Tiranës dhe Biblotekat e qyteteve kryesore tashmë është i disponueshëm në shqip një nga librat simbol për Kombin Shqiptar, libri i quajtur “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime”. Ky libër i 1847’ës është shkruajtur nga një figurë shumë e ndritur e Kombit tonë, por pak e njohur. Vincenzo Dorsa, që arbëreshët e quajnë në të folurën e tyre, Vinçenc Dorsa.
Nga: Brizida Gjikondi
Qershor 2021
Prej një muaji në libraritë e Tiranës dhe Biblotekat e qyteteve kryesore tashmë është i disponueshëm në shqip një nga librat simbol për Kombin Shqiptar, libri i quajtur “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime”. Ky libër i 1847’ës është shkruajtur nga një figurë shumë e ndritur e Kombit tonë, por pak e njohur. Vincenzo Dorsa, që arbëreshët e quajnë në të folurën e tyre, Vinçenc Dorsa.
Duhet ngulitur fort në mendje emri i Vinçenc Dorsës, një shqiptar ndër më të shquarit, ndaj dhe ndoshta pak i njohur; duhet mund për të kuptuar një tru gjenial, ndër më gjenialët e Rilindjes Kombëtare. Veprat e tij janë mirëfilli kërkime dhe studime shkencore. Por kryevepra e tij, që për herë të parë vjen në shqip, është “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime”. Vetëm 24 vjeç në 1847-n e largët, Dorsa jo vetëm përjetësoi dhe i ngriti “një monument kombit të tij”, por ishte i vetmi rilindës shqiptar që në ato vite epokale për njerëzimin (1847-1848) dhe sidomos për Evropën, që u pushtua me ritëm nga revolucionet, bashkoi penën, shpresën dhe historinë e ndritur të shqiptarëve me historinë dhe ndryshimet që kishin përfshirë të gjithë popujt e tjerë. Sot e kësaj dite, evropianët dhe italianët, sidomos, kur duan të shprehen për revolucione ose ndryshime rrënjësore qeverisëse dhe kombëtare, thonë se “è successo un ‘48” (ndodhi një ’48). Të dhëna historike, gjuhësore, letrare, folklorike, etnografike, gjeografike, demografike mbi shqiptarët dhe Shqipërinë shpalosen dhe ndërthuren në këtë vepër simbol të Dorsës, e para në llojin e saj enciklopedik 10 dhe hulumtues, ku përmblidhet gjithçka që është tipar dallues i një kombi. Pavarësisht brishtësisë së trajtimit të ndonjë teme, kjo vepër e vitit të largët 1847 e përcakton me prova dhe jo me fjalë Vinçenc Dorsën si të parin historian të letërsisë shqipe.
Referimi shkencor, gjuha ende e paunifikuar italiane dhe mendimi dantesk janë tipare të kësaj vepre, çka është mund i bukur për lexuesin dhe përgjegjësi e madhe për kë e sjell në shqip. Vetë Dorsa shprehet për sintezën e mendimit të tij: “Është zakoni im të qenit i shkurtër në gjërat e gjata dhe akoma më i shkurtër në të shkurtrat”. “Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime” është pararendëse dinjitoze e veprës që u shkrua në gjurmët e saj, por 52 vjet më vonë, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Kapitulli i fundit i Dorsës është edhe mishërimi më elitar i mendimit rilindës që do të vinte më pas. Janë monumentale fjalët e tij se në ngjarjet që po zienin në ato kohë, ai lexonte përgatitjet e stuhisë që po afronte dhe agimin e ditës që do të pasonte e kthjellët e kjo do të ishte për Shqipërinë ngjarja më e paharrueshme dhe solemne; do të mbaronte kështu misionin e saj luftarak dhe do të fillonte kultivimi i shkronjave atdhetare.
Po kush është Vinçenc Dorsa, ky shqiptar dhe mendimtar i madh, që shënjoi jo vetëm Rilindjen shqiptare, por edhe atë kalabreze? Vinçenc Dorsa është bir i një prej familjeve më të shquara të arbëreshëve të Italisë; nip i kontribuuesve ndër më të mëdhenj të kombit në atë kohë, Mikel dhe Domeniko Belushi; djalë i avokatit dhe gjyqtarit 11 të shquar Françesko Dorsa nga Frasnita e Kalabrisë, që ish ndër miqtë dhe mbështetësit më të paepur të revolucionarit epokal Garibaldit, për shkak të të cilit u burgos në burgjet më mizore të Napolit. Jetëshkrimi i Dorsës sonë është shumë i pasur, kontributet kombëtare akoma më shumë, erudicioni i tij nuk ishte vetëm në fushën e albanogjisë, gjuhësisë, historisë, folklorit, etnografisë, gazetarisë, filozofisë etj., por ndryshe nga rilindësit e tjerë shqiptarë, Dorsa kishte një mendim shkencor dhe filozofik të thellë dhe unik për autorët dhe veprat më të shquara të letërsisë, filozofisë, historisë, jurisprudencës, ekonomisë botërore etj. Shkrimet dhe mendimet e tij novatore mbi Danten, Giambattista Vico-n, Saint-Simon, Antonio Serrën, Cesare Marinin, Biderën etj., ende sot mbeten të pakonkurrueshme në origjinalitetin dhe thellësinë e mendimit. Editorialet e tij në gazetat italiane më të zëshme të kohës, si “Il Calabrese”, “Il Bruzio”, “Il Calabrese Rigenerato” etj., tashmë janë pjesë e arkivave të çmuara në çdo bibliotekë të qyteteve italiane. Editoriali i tij, i shkruar në ditët historike për bashkimin e Italisë në gazetën “Il Calabrese Rigenerato”, më 16 prill 1848, është një vepër e mirëfilltë gazetareske, si edhe një thirrje kurajoze kombëtare shumëdimensionale, fiks siç edhe e kishte titulluar Dorsa: “Protesta kombëtare”.
Kontributet e Dorsës për çështjen kombëtare shqiptare kanë qenë kolosale, jo vetëm në planin e produkteve të penës së tij, por edhe me veprimtari të mirëfilltë atdhetare. Fatmirësisht ka shumë materiale për figurën e tij, korrespondenca, studime, dorëshkrime 12 dhe informacione zyrtare. Korrespondencat e tij me De Radën, Dora D’Istrian, Kamardën etj., si dhe kontributi i tij i vlefshëm dhe i çmuar për krijimin e alfabetit shqip, për fat, gjenden dhe lexohen në Arkivin e Shtetit falë vlerësimeve dhe citimeve që bëjnë bashkëkohësit e tij, si Thimi Mitko etj. Vinçenc Dorsa, për fat, ka lënë vepra të çmuara, tashmë lehtësisht të aksesueshme, por ndër më kontribuueset për gjuhën, letërsinë dhe vlerat kombëtare mbeten: “Studimet etimologjike mbi gjuhën shqipe”; “Mbi poezinë shqipe”; “Dasmat shqiptare”, si dhe vepra e tij e shkruar tërësisht shqip, e titulluar “Ungjilli i Shën Mateos, përkthyer nga teksti grek në dialektin kalabrez-shqiptar të Frasnitës” e vitit 1869 dhe e shtypur në Londër.
Shumë vepra të Dorsës janë përkthyer dhe referuar nga rilindës dhe akademikë shqiptarë dhe shpesh janë cituar edhe nga shkrimtarë dhe figura me peshë botërore. Dorsa ish një poliglot, filozof, filolog dhe profesor i shquar i gjuhës dhe letërsisë greke dhe latine. I takon atij merita e nismës që, si një nga titullarët e Këshillit komunal të Kozencës, mori për hapjen e bibliotekës së qytetit. Në çdo organizim intelektualësh të Napolit dhe Kozencës së asaj kohe, Dorsa ishte një ndër anëtarët e nderit, ku mendimi dhe fjala e tij ishin përherë në altarin e vlerësimit dhe respektit dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për rrethin e intelektualëve arbëreshë. Tashmë është e ditur që Dorsa ishte një ndër anëtarët kryesorë të shoqërive sekrete të kohës dhe kjo tregon shumë për çka ai përfaqësonte për kohën kur jetoi. 13 Por gjithsesi, në çdo dokumentacion historik që lexova mbi Dorsën, pavarësisht udhëve, shtigjeve që shkonin drejt tij nga studiues të ndryshëm, të gjithë bashkoheshin në një pikë: qëllimi i Dorsës përgjatë gjithë jetës së tij ishte të shikonte të ndritur kombin e tij, të cilit i bëri dhe dedikimin më sublim në hyrje të këtij libri, që unë me modesti po e sjell në shqip: “Kombit tim të ndarë dhe shpërndarë, por një”.
Pavarësisht se po bëhen dy shekuj, ky dedikim mbetet dhimbshëm aktual. Sjellja në shqip e kësaj vepre për mua ishte një kontribut i përulur gati pesëvjeçar, mes Tiranës, Frasnitës, Kozencës, Napolit, Barit, Romës e kudo që shkeli këmba e Dorsës, atje ku shkroi e punoi dhe atje ku prehet. Pavarësisht se tashmë mendimi shkencor shqiptar, sidomos ai për sa i takon botës arbëreshe, po kalon krizat që po kalon edhe shoqëria shqiptare, unë do të doja, ashtu siç shprehet dhe Dorsa, të tregoj dhe jo të diskutoj për të çuar drejt arsyes. Dorsa është një ndër diamantet e kurorës së Rilindjes shqiptare, asaj kurore ku nuk ka të parë dhe të fundit, asaj kurore ku secili ka rolin dhe ndriçimin e tij.
Shqiptarja.com