Nga OraNews

Shumë qytete të Shqipërisë po zbukurohen ndryshe nga çdo vit tjetër në pragun e hyrjes së 2025 dhe në largimin e vitit 2024.

Duket një atmosferë shumë festive, pozitive. Nga ana tjetër, qeveria jep shpërblime për pensionistët, mund të ketë shpërblime për administratën, të gjitha i bashkon një orientim, ndoshta politik, i shumicës në pushtet, të vetë kryeministrit Rama, për të krijuar atmosferë sa më shumë festive dhe lumturie pasi në vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhjet.

Përtej strategjive politike, Tirana bën diferencën. Janë zbukuruar Berati, Shkodra, Korça, shumë qytete, por Tirana duket edhe më e fortë në zbukurime me drerët, me pemët plot drita të Vitit të Ri, me bredhin që ka marrë ndriçim tjetër në sheshin “Skënderbej”, me Tiranën që ndriçon më shumë nga rrugët e saj.

Duket pak më ndryshe Tirana, duket sikur ka një festë tjetër, festën për arrestimin e Erion Veliajt, aq të pritshëm, jo vetëm nga banorët e Tiranës, por të gjithë Shqipërisë.

Në të gjitha sondazhet del njeriu më i urryer Erion Veliaj për shkak të skandaleve dhe aferave.

Por, Erion Veliajn nuk e arreston dot kush me gjyq popullor apo me sondazhet që e nxjerrin figurë të urryer apo me Edi Ramën që e ka çuar në cep, apo me faktin që ai lufton lart e poshtë duke theksuar se i ka mbyllur llogaritë me SPAK-un, pavarësisht se ka 6 dosje, njëra prej të cilave është më e rëndësishme, është nën hetim pasuror, ku zor se ia hedh dot kush.

Më tej, festa në Tiranë do të ishte edhe më e gëzueshme në rast se drejtësia do të shkonte në vend edhe për një personazh si Erion Veliaj, njeriu që mendonte se ishte i gjithëpushtetshmi në PS dhe do ta trashëgonte atë pas Edi Ramës, sot ka një karrierë të shkatërruar politike për shkak të organizatës së tij të hajdutëve në Bashkinë e Tiranës, për shkak të dhimbjes që la shembja e teatrit, për shkak të dosjes famoze të inceneratorëve, për shkak të shembjeve te “5 Maji”, për shkak të gjobave masive që u vihen në kryeqytet, këto diku edhe ligjërisht, por edhe me skema skandaloze si mosapelimi.

Ndaj, në gjerdanin e festave dhe yjeve që vendosen në Tiranë, ndriçimit që i jepet kryeqytetit, festa më e madhe ndoshta për qytetarët, mund të ishte çuarja e Erion Veliajt para drejtësisë dhe vënia e kaq shumë dritave ndoshta do të çojë në një moment tek ajo që duan shumica. Erion Veliaj, në bankën e të akuzuarve për shumë bëma dhe gjëma, të cilat nuk i mbulojnë dot dritat e përkohshme të festave të fundvitit./ Burimi: CNA.al