Ne Theth njerëzit kane jetuar të paktën që prej vitit 1000 Para Krishtit.
– Një ekip arkeologësh ka njoftuar se malet në veri të Shqipërisë, ndoshta një prej zonave më të largëta në Europë, kanë qenë një strehë e fshehtë, shumë e sigurt, për një kohë të gjatë. Një ndër ekspertët e ekspeditës, arkeologu Michael Galaty i kolegjit Millsaps në Jackson, Misuri, ka raportuar për ekspeditën e kësaj vere tani që është kthyer nga lugina e Shalës në malet në veri të Shqipërisë, fundi i Alpeve. “Rreth pesëqind vjet më parë, njerëzit e arratisur nga perandoria otomane vinin këtu për t’u fshehur. Ne prisnim të gjenim gjurmët e tyre”, – thotë Galaty. Në një kep në afërsi të fshatit Grunas, ndodhen rrënojat e mureve, që sipas ekipit të arkeologëve dukeshin si të një ndërtese që datonte në vitet 1500, kohë në të cilën të arratisurit u vendosën në këtë rajon, për t’i shpëtuar kontrollit të perandorisë së re. Gjithsesi, gërmimet treguan se kishte një llogaritje të bërë gabim lidhur me muret. Ata ishin shumë të vjetër dhe disa prej tyre ishin shumë të mëdhenj, të vendosur pranë njërit-tjetrit, të lidhur bashkë pa materiale të tjera, një stil që është tipik për perandorinë mikenase të epokës së Bronzit në Greqi. Në vend të një strehe mesjetare, ekipi zbuloi rrënojat e një kështjelle të epokës së Bronzit, që daton në vitet 800 para Krishtit, siç tregojnë edhe të dhënat nga objektet e baltës dhe “veglat e punës” që u gjendën në këtë vend.
“Për çfarëdo lloj arsyeje, duket se njerëzit kanë jetuar në këtë luginë rreth 3 mijë vjet më parë”, – thotë Galaty. Ky zbulim është shumë interesant për disa arsye, shton ai. Në vitin 800 Para Krishtit, në këtë rajonin të Europës në veri me Greqinë, ndodhi kalimi nga epoka e Bronzit në epokën e hekurit. Grekët e lashtë po dilnin nga një epokë e errët që kishte zgjatur me shekujt të tërë dhe ishin lidhur edhe me mbretëritë ilire në bregdetin e Adriatikut, në rrëzë të maleve në Shqipërisë veriore.
Ilirët ishin të fuqishëm dhe romakët u frikësoheshin piratëve të tyre, që i ndiqnin ata në një luftë të gjatë për dominimin e Mesdheut, që përfundoi në vitin 160 para Krishtit. A ishte fortesa e Grunasit një strehë e sigurt e piratëve të deteve në botën e lashtë apo pjesë e mbretërisë? Këtë Galaty dhe kolegët e tij ende nuk e dinë. Këtë verë, me ndihmën e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, ekipi i Galaty u kthye sërish në Shqipëri për të zbuluar historinë e fortesës së Grunasit. Për habinë e tyre, ata zbuluan të paktën pesë ndërtesa (dy prej tyre prej guri), disa “shtëpi gjigande” për më shumë se dhjetë persona, themelet e një kulle vrojtimi, portën dhe disa tarraca të mëdha.
Galaty beson se qindra vetë ndoshta jetonin në këtë fortesë, “mosha” e së cilës është konfirmuar edhe nga analizat kimike të poçeve prej balte të gjetura aty rrotull. “Ata kanë harxhuar shumë kohë dhe mund për të ndërtuar këto mure këtu”, – thotë ai, duke vënë në dukje se muret e tarracës ishin shumë të trashë dhe arrinin në disa metra lartësi. Ekipi i arkeologëve arriti në përfundimin se njerëzit kishin jetuar në këtë vend të paktën që prej vitit 1000 Para Krishtit. Ata zbuluan se tarracat ishin projektuar dhe ndërtuar me shumë kujdes, një praktikë e zakonshme në botën klasike greke, por e panjohur në zonat veriore shqiptare. Edhe pse anëtarët e ekipit, ku bëjnë pjesë edhe Olsi Lafe i Institutit Shqiptar të Arkeologjisë dhe Zamir Tafilica i Institutit Historik të Shkodrës, po përpiqen të kuptojnë se kush ka jetuar në Grunas, pjesa më e madhe e poçerisë që ata kanë zbuluar, duket se ka ardhur nga zonat më në jug të Shqipërisë në epokën e hekurit. Banorët në luginën e Shalës mund të kenë mbajtur lidhje me ilirët, nëse nuk u janë fshehur atyre, thotë Galaty. “Në fund të fundit, historia përsëritet”. “Pushtimi” i ardhshëm mund të mos jetë nga piratët apo ndërtuesit e perandorive, shton ai, por skiatorët, e tërhequr nga dëbora që mbulon këtë zonë. “Ky vend është shumë i bukur për t’u fshehur përgjithnjë”, – thotë Galaty.