Në Tiranë janë tre organizata me rrënjë në lidhjet e komunizmit? RAI analizon mafian shqiptare: – “Funksionojnë si Ndragheta”.

20 janar  2022

Në Tiranë janë tre organizata me rrënjë në lidhjet e komunizmit? RAI analizon mafian shqiptare: “Funksionojnë si Ndragheta”

“Ekspert i mafieve të reja”, konsiderohet nga media itakiane Vincenzo Musacchio. Në një intervistë për Rai, ky i fundit flet për mafien shqiptare. Sipas tij, ajo është bërë shumë e ngjashme me Ndranghetën.

“Ata kanë kontakte në portet e Antwerpen (Belgjikë) dhe Roterdam (Holandë), në të cilat mbërrijnë dërgesat nga Amerika Latine” – thotë ai.

Më poshtë pjesë nga intervista:

Si është e strukturuar mafia shqiptare? Cila është veçantia e tyre?

Mafia shqiptare, shumë e ngjashme me ‘Ndrangheta’, ndjek rregullat strikte të kodit të heshtjes. Ka një kod nderi që e quajnë “Besa” që për shumë shqiptarë është ende kodi më i lartë etik në vend. Besa në shqip do të thotë “nder”. Për mafiozët konsiderohet një kontratë që zgjidhet vetëm me vdekje.

Struktura e tyre organizative, siç thashë më herët, është e ngjashme me ‘Ndrangheta’ dhe përbëhet gjithmonë nga një grup familjesh të lidhur me afërsi gjaku. Shoqëria mafioze është pothuajse e padepërtueshme.

Ku ndodhet baza e tyre strategjike në Shqipëri?

Nuk ka asnjë bazë strategjike. Në Tiranë janë të paktën tre organizata kriminale të strukturuara shumë të fuqishme që e kanë nisur aktivitetin e tyre kriminal tashmë nën regjimin komunist dhe kanë arritur të rezistojnë dhe me rënien e komunizmit janë forcuar shumë për lidhjet e tyre të korrupsionit me politikën dhe biznesin vendas.

Në Shkodër besohet se janë të paktën katër “klane” të mëdha mafioze që janë të përfshirë edhe në aktivitete të ndryshme kriminale. Këto katër familje kryesisht merren me trafikun e drogës, armëve, organeve dhe qenieve njerëzore.

Në Durrës shumë grupe kriminale nga i gjithë vendi kanë investime në sektorin e turizmit hotelier dhe qyteti në kohët e fundit shërben deri diku si pikë takimi apo edhe si strehë për shumë të arratisur.

Në Vlorë kanë rrënjë shumë familje mafioze. Në Fier, organizatat kriminale merren kryesisht me zhvatje dhe trafik armësh dhe janë ndër grupet kriminale më të sofistikuara në historinë e tranzicionit politik në Shqipëri. Në Berat, krimi i organizuar ka investuar në turizëm prej kohësh dhe vazhdon të jetë prezent edhe sot.

Në Elbasan ka grupe kriminale në konflikt të fortë me njëri-tjetrin, nuk është rastësi, në fakt, që vitet e fundit vrasjet janë rritur ndjeshëm, duke treguar kështu se qyteti i Elbasanit është një pikë e nxehtë ku aktiviteti mafioz është i pranishëm.

Çfarë roli luan mafia në korrupsionin e Shqipërisë?

Shqipëria është një rast unik në Evropë, pasi shumë trafikantë nuk janë të jashtëligjshëm në periferi të shoqërisë, por kanë lidhje me klasën politike dhe shpesh janë në bashkëpunim me policinë dhe gjyqësorin, të cilët në teori duhet t’i kundërshtojnë. Nuk është rastësi që Transparency International e tregon Shqipërinë si vendin më të korruptuar në të gjithë zonën e Ballkanit. Parlamenti dhe qeveria ndoten nga mafia dhe të ardhurat nga trafiku i drogës janë një pjesë thelbësore e sistemit ekonomik dhe politik: mënyra më e mirë për të siguruar votat e njerëzve është t’i paguash ato me para në dorë, dhe burimi më i mirë i prodhimit të parave vjen nga tregu i drogës.

Gazeta Dita