Në vigjilje të Pashkëve/ Dëshmia rrëqethëse e At Zef Pllumit. –
Në vigjilje të Pashkëve/ Dëshmia rrëqethëse e At Zef Pllumit. –
Nga: mapo.al.
Vuajtjet e At Zef Pllumit, kolegëve dhe të njohurve të tij, në dhomat e Sigurimit të Shtetit dhe paraburgim. Torturat që i bënin njerëzit të luteshin të mos jetonin më dhe gjyqi në redaksinë e Hyllit të Dritës, që do të dënonteme pushkatim tre priftërinj katolikë. Kujto.al, mbështetur në librin me kujtime të At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, tregon për këtë valë terrori që u ngrit mbi Shqipëri sapo u vendos regjimi i diktaturës komuniste.
Sa herë afrojnë Pashkët, të gjithë ata që e njohin historinë e krishterë, mendojnë për vuajtjet e një të pafajshmi. Në vitin 1946, Át Zef Pllumi, i solli nëpër mend më të gjalla se kurrë ato vuajtje, jo sepse po afronin Pashkët, as sepse ishte duke predikuar historinë e dashurisë dhe sakrificës së madhe të Krishtit, por sepse po fyhej dhe po torturohej, pa faj, diku larg Jeruzalemit, në Shkodër, në shtëpinë ku Sigurimi i Shtetit kryente hetimet dhe torturat.
Nga libri i tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”, mund të mësohet jo vetëm një pjesë e mirë e historisë së përndjekjes së klerit katolik në Shqipëri, pas vitit 1944, por dhe torturat çnjerëzore që Át Zef Pllumi dhe të arrestuarit e të dënuarit e një kohe më të, kanë vuajtur gjatë atyre viteve.
Në dhjetorin e 1946-ës, Kuvendi Françeskan u mbyll dhe anëtarët e mbetur të tij u shpërndanë. Zef Pllumi shkoi në Melgushë, adresa më e afërt me Shkodrën për të, ku jetonte xhaxhai. Nuk kaluan as tri ditë, kur ia behën në shtëpinë e xhaxhait kryetari i Këshillit dhe tre ushtarakë që kërkonin “francezin” Zef Pllumi. “Françeskan” për ta nuk përkonte me asgjë tjetër që kishin dëgjuar më parë, veçse “francez”.
Ca metra më tutje, i lexuan formulën e arrestimit, i shtrënguan duart pas me tel dhe u nisën për në postën e Bushatit, më pas në Komandën e Shkodrës, 13 km në këmbë, në ngricën e dhjetorit, ku e lanë një natë të tërë në një dhomë, pa e lejuar as të kryente nevojat personale. Të nesërmen e morën që aty për ta çuar drejt shtëpisë së torturave, Sigurimit të Shtetit, mes për mes qytetit, me duart ende të pazgjidhura. Kaloi 30 orë në atë gjendje. Torturat sapo kishin nisur.
Oficeri Dul Rrjodhi e bëri të nënshkruante një procesverbal dhe më pas me një batanije kokës, kaloi një natë të tërë në oborrin e shtëpisë. Të nesërmen në mëngjes takoi një oficer të ri i cili tha vetëm që ta linin “të mejtohej”. Tani do të mendohej ndryshe. I varur me një litar nga sqetullat, në degën e një peme pjeshke. Nga ai çast do të prezantohej me shumë mënyra torture që do i ndiente mbi vete ose do i shihte të aplikuara te të tjerë të arrestuar, disa të njohur e disa jo.
Juristi, Paulin Pali, ishte kthyer në një qenie që nuk njihej më, me mjekër deri në gjoks, këmbët zbathur, të shtrënguara me zinxhirë dhe duart të lidhura para. Pranë tij, një tjetër i lidhur, Taipi, që tashmë e kishte humbur arsyen, anash një i shtrirë përtokë i kruspullosur nën një batanije dhe përballë katër të tjerë me fytyrë nga muri e batanije mbi kokë. Gjendej i rrethuar nga tortura nga të gjitha anët. Të nesërmen, zbuloi që, dikë tjetër, Guljem Sumën, e mbanin prej më shumë se dy muajsh brenda një rafti nga ai lutej vetëm ta vrisnin…
Në hetim e priste Nesti Kopali, një oficer bukurosh, me çizme të lustruara dhe një pyetje e pazakontë: “Na trego përse të kemi arrestuar?” Zefi iu përgjigj se atë gjë nuk e dinte ai, por ata. Atëherë oficeri nisi ta godiste me shufrën e hekurit që përdorte për të shprishur zjarrin e sobës së ndezur deri sa u lodh dhe pastaj e varën sërish në oborr, këtë herë përballë WC-së sepse dega e pjeshkës ishte e zënë. Në atë kohë, shkruan At Zef Pllumi, në librin e tij, iu kujtua ngjashmëria e tij dhe të arrestuarve të tjerë, me Krishtin në Pretorium.
Pasdite, kishte një seancë tjetër. Çizmet e lustruara këtë herë At Zef Pllumi i ndjeu mbi kokë, në brinjë, në këmbë, në shpinë…Oficeri ndaloi vetëm kur pa gjakun që kishte nisur të rridhte. Një pushim i shkurtër e më pas vendosi “të ndryshojë filmin”. Mori një aparat të vjetër telefonik, dy telat ia lidhi në veshë dhe një ndihmës nisi të rrotullojë manivelën. Rryma elektrike nisi t’i përçonte miliona gjilpëra në të gjithë trupin dhe kokën për ndoshta nja një orë që iu duk ora më e gjatë e gjithë jetës. Kur mbaruan, nuk mund të fliste, por mund të lutej në heshtje: O Zot ma merr jetën!
E varën sërish te pjeshka. Në mes të të sakatosurve të tjerë, ca të shtrirë e ca në këmbë pas murit, të gjithë me batanije kokës. Më pas e çuan në një birucë, pa dritare, ku të zihej fryma nga tymi i fenerit të vajgurit e ku gjeti disa veta të shtrirë, por atë e urdhëruan të rrinte në këmbë. Përsëri te oficeri për të tjera goditje, shqelma, grushta dhe të shara dhe pastaj e hodhën në një bodrum të errët, të ulët sa një njeri në këmbë. Me duar arriti të dallonte që ishte dhe diçka tjetër në atë hapësirë të errët, një thes…jo, një njeri, që rrinte prej një muaji aty, kot, vetëm sepse kishte të njëjtin emër me një malësor që kishte vrarë një partizan. Kapanxha hapej vetëm një herë në ditë për racionin e bukës dhe ujit, nevojat personale kryheshin po aty.
Zefin e çuan prapë te oficeri. Një tjetër seancë grushtash dhe më pas nisi biseda “serioze”. At Zef Pllumit, si pjesë e Klerit Katolik iu kërkua llogari për kryqëzatat, inkuizicionin dhe djegien e Xhordano Brunos. Këto pika do të bënin pjesë në akt-akuzën zyrtare të gjyqit që iu bë At Zef Pllumit dhe 9 të tjerëve, nga të cilët 3 do të dënoheshin me pushkatim, por deri sa të vinte dita e gjyqit, që u zhvillua në redaksinë e dikurshme të “Hyllit të dritës”, në fillim të vitit 1948, kishte tortura të tjera. Shqelma, grushta, net te dega e pjeshkës, ndërsa në oborr disa nga të dënuarit zhdukeshin e të tjerë vinin, tela korenti, presion për të treguar lidhjet me reaksionarët që luftonin maleve kundër komunizmit, për të treguar për politikën që bënte Kleri për të rrëzuar Pushtetin Popullor, për këtë e për atë…Dhe meqë At Zef Pllumi nuk kishte çfarë të thoshte, oficeri thërret kapterin dhe i thotë që të bëjnë gati skuadrën e pushkatimit për ta hequr qafe atë “qelbësirë”.
Nuk do ta mësonte kurrë nëse ky ishte një dënim i vërtetë, apo një masë për ta trembur, por rrugës, skuadrës së armatosur që e shoqëronte, u doli përpara dikush me biçikletë dhe pasi mësoi për çfarë bëhej fjalë, urdhëroi të ktheheshin mbrapa. Ai kishte qenë një vit para Zefit, në Lice dhe në zyrën e ngrohtë të oficerit, nisi t’i tregonte këtij që Zefi është njeri i kulturuar, një mik, një koleg…Ai i kërkon At Zef Pllumit, të bëhej “kuadër” i tyre, por frati ia kthen që vendimet mund të merren vetëm në liri. Të nesërmen, sërish e njëjta ofertë dhe sërish e njëjta përgjigje, atëherë, ishte e kotë: Partia nuk mund ta shpëtonte At Zef Pllumin. Oficeri i derdhi një kanë uji të ftohtë në shpinë dhe dega e zhveshur e pemës e priti si çdo natë në oborr. Tashmë tortura kishte marrë fund. Ishte i lirë nga përgjegjësia. Gjithçka e kishte në dorë Partia!
At Zef Pllumin e kthyen në Kuvendin Françeskan. Por ai tani ishte shndërruar në burg. Dhomat në qeli. Të burgosurit shpesh rrinin dy nga dy, të kapur për duarsh me pranga. Shoku i parë i prangave të At Zefit ishte Frat Gjon Pantalia. Torturat vazhdonin…I merrnin në pyetje, u kërkonin të pranonin të pamundurën, i rrihnin deri në shfytyrim, i linin pa bukë, pa ujë. Kishte vetëm disa çaste kur ai burg nuk ishte më burg, kur Gac Çuni, kompozitori dhe poeti i lindur, këndonte nga qelia ngjitur me zërin e tij melodioz. Nuk e la asnjëherë këngën deri sa erdhi fundi i tij tragjik. Siç njerëzit nuk e lanë humanizmin. At Zef Pllumi tregon për disa të tillë, por në këtë periudhë veçon Xhabir Dibrën, djalin e mirë të një familjeje myslimane shkodrane, që iu bë shok qelie e u kërkoi nënës dhe motrës të sillnin ushqime sa për dy, që nga ajo ditë. Siç edhe këta priftërinj katolikë nuk e lanë kurrë besimin te Krishti dhe nuk ndalën së zbatuari mësimet e tij, deri edhe te ai i fundit.
Kur, ditën e vendimit më 16 janar të vitit 1948, At Zef Pllumi, u dënua me tre vjet burg, dënimi i dytë shumë më i gjatë do të vinte vetëm disa vite më vonë dhe Imzot Frano Gjini, At Mati Prendushi, Imzot Nikollë Deda me pushkatim, gjatë skenës rrëqethëse të përshëndetjes së fundit, At Mati Prendushi iu drejtua priftit që kishte shpifur në atë sallë duke i thënë që ai e falte me gjithë zemër. Dhe duke qenë që ishin mes besimtarësh përshëndetja e tyre ishte: U pafshim në atë jetë! /Kujto.al
*Piktura “Ploja e meshëtarëve” e piktorit Lin Delija, e vendosur në kopertinën e vëllimit të parë të librit “Rrno vetëm për me tregue”.