Nënë Tereza brenda nesh
“Sot është dita e lumturimit të Nënë Terezës, nobelistes, shqiptares më të madhe të të gjitha kohërave, gruas më të shquar të shekullit të saj! Tiranës, Edi Rama i hoqi shtatoren e saj, sepse ai ka në shpirt urrejtjen atërore ndaj saj.”
Sali Berisha
“Mos prisni për udhëheqësit; bëjeni vetë, nga një njeri tek tjetri. Përhapni dashuri kudo që të shkoni. Mos lejoni askënd të vijë tek ju pa u larguar i lumtur”.
Nënë Tereza
Vetëm këta dy paragrafë do të mjaftonin për të dhënë një mesazh lidhur me situatën ku ndodhemi dhe ku duhet të shkojmë. Është një situatë që na bën të reflektojmë për ata që na udhëheqin, por jo vetëm. Reflektojmë mbi shtetin dhe të drejtën, reflektojmë mbi median dhe modelet sociale që na transmetohen, reflektojmë mbi shqiptarët që vazhdojnë të largohen, dhe së fundi – e shpresoj që këtë t’a bëjmë vërtet – reflektojmë mbi jetën tonë.
Nënë Tereza predikonte dashurinë, ndërkohë që në të gjitha fushat e jetës duket se ekziston çdo gjë, përveç dashurisë. Ekziston interesi për t’u pasuruar shpejt e me çdo kusht, ekziston dëshira për të patur një shtëpi më të madhe e më të bukur, ekziston pasiviteti dhe plogështia e të rinjve, mungesa e kuriozitetit dhe dëshirës për t’u rritur e zhvilluar, ekzistojnë të pakënaqurit me sistemin e drejtësisë, ekzistojnë shoqatat që duhet të përfaqësojnë qytetarët në marrëdhënie me qeveritarët por që pak prej tyre e bëjnë realisht këtë, ekzistojnë të papunë, ekziston krimi (në versionin më të dhimbshëm, ai brenda familjes).
Më qëllon të bisedoj shpesh me miq të mi nga vende të ndryshme të botës dhe të gjithë ata që kanë ardhur në Shqipëri më thonë që shqiptarët janë shumë të dashur. Paskemi ruajtur pra diçka nga Nënë Tereza. Po ashtu, qëllon që Shqiptarët që jetojnë jashtë ndihen akoma të tunduar për t’u kthyer, në mos përjetësisht, patjetër për pushime. Ka Shqipëria një të mirë të pashqiptueshme të cilën herët a vonë të gjithë e ndiejmë.
Megjithatë, duket se shoqëria ka hyrë në një rreth vicioz ku qytetarët vetëm ankohen dhe qeveritarët jusitifikojnë vetveten, ndërkohë që media i mbështet për interesa financiare dhe drejtësia nuk i gjykon.
Natyrisht nuk duhet pritur që Shqipëria të bëhet Suedi brenda natës. Madje, për mendimin tim nuk duhet pritur për asgjë. Duhet që thjesht të ulemi dhe të lexojmë me shumë vëmendje fjalët e Nënë Terezës më sipër. Më pas duhet bërë një reflektim se ku jemi dhe ç’duhet të bëjmë për të qenë më mirë. Ka shumë gjëra që mund të bëhen vetë, pa pritur nga Kryetari i Bashkisë apo Komunës, Ministri, Kryeministri apo Kryetari i Parlamentit. Mentaliteti i pritjes nga dikushi më i fuqishëm duket se është përgjigja e situatës ku ndodhemi sot. Në rast se secili nga ne përfundon së prituri e së shpresuari dhe vendos të marrë vetë fatin e jetës së tij në dorë, unë kam përshtypjen se shumë shpejt do të shikojmë një Shqipëri ndryshe. Le të bëjmë më të mirën në atë punë që kemi, paçka se ndoshta nuk na pëlqen, është eksperienca jetësore që vlen. Le të udhëhiqemi nga e mira çdo ditë, paçka se realiteti mund të na përgjigjet ndryshe, sërish do të ndihemi më mirë nëse transmetojmë mirësi. Le të bëjmë më të mirën për veten, edhe në rast se qëllon të jemi të papunë, ka hapësira për t’u zhvilluar dhe për të mësuar në çdo moment të jetës. Një mikesha ime përpara pak ditësh më rikujton faktin se ka një mori aktivitetesh kulturore cilësore që ofrohen falas në Kryeqytet së fundi, por sallat janë gjysëm bosh.
Nënë Tereza i drejtohet njerëzve të thjeshtë, jo liderave, megjithëse këta të fundit do të kishin më shumë nevojë për ato fjalë. Po aq nevojë do të kishte edhe media. Modeli që transmetohet thuajse çdo mbrëmje në ekranet tona është ai i urrejtjes. Lajmet pozitive zënë pak ose aspak vend. Në fakt ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, megjithatë një media që motivohet vetëm nga përfitimi financiar nuk e meriton më të quhet pushtet i katërt por thjesht biznes. Ndërkohë që një media që transmeton vlera për shoqërinë, e motivuar nga dëshira për të ndikuar pozitivisht tek njerëzit, do të ndryshonte situatën ku ndodhemi sot, ndoshta do të bënte që Shqiptarët të largoheshin më pak nga vendi i tyre, ndoshta të rinjtë do të rrinin më pak nëpër kafene, e ndoshta politikanët do të mendoheshin dy herë përpara se të shpërdoronin votën e zgjedhësve. Ndoshta, ndoshta, do të kishte më pak jetë të humbura.