Nënkryetari i Grupit të CDU/CSU ofron ndërmjetësim për krizën në Shqipëri: – S’hapen negociatat me BE pa u burgosur blerësit e votave. –

9 maji 2019

Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul flet për gazetën “Shekulli”. Problemet kryesore të cilat vihen në dukej për Shqipërinë janë: korrupsioni, krimi i organizuar, blerja e votave. Ka përgjime, por akoma nuk ka arrestime ndaj personave

Hapja e negociatave për Shqipërinë duket të jetë një proces shumë i vështirë për Shqipërinë. Janë një sërë problematikash për të cilat qeveria shqiptare nuk po u jep zgjidhje. Krimi i organizuar, korrupsioni, blerja e votës dhe mos dënimi i tyre nga drejtësia, përbën një kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të grupimit politik CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, Johann David Wadephul, tregon ato reforma për të cilat duhet të luftojë më shumë qeveria shqiptare. Ndër to renditen, lufta kundër korrupsionit, krimi i organizuar dhe blerja e votës. Por një e dhënë shqetësuese është edhe fenomeni i blerjes së votës. Mungesa e një hetimi për këtë fenomen përbën një kërcënim për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimit Evropian.

Ëadephul cili është mendimi juaj për situatën politike në Shqipëri?

Shqipëria e gjen veten në një krizë të rrezikshme politike. Kjo është e keqe për perspektivën e vendit në Bashkimin Evropian. Prandaj, është detyrë e të gjitha partive pro-evropiane në qeveri dhe opozitë, që të afrohen njëra me tjetrën dhe të jenë të përgatitur për të bërë kompromise reale. Nëse të dyja palët nuk janë të gatshme ta bëjnë këtë, ata vënë në pikëpyetje perspektivën e vendit të tyre për në Bashkimin Evropian. Dhe në të njëjtën kohë ata vetëm do të forcojnë ato forca që duan të nxisin nacionalizmin dhe të ndjekin planet për Shqipërinë e Madhe. Për më tepër, kjo do të nxiste vetëm vendet e treta për të ndërhyrë edhe më shumë në çështjet shqiptare. E gjithë kjo mund të çojë në konflikte të reja, trazira apo edhe shpërthime në Ballkan. Ta themi hapur: planet për një Shqipëri të Madhe do të çojnë në fundin e perspektivës së Shqipërisë në BE! Kjo është arsyeja pse qeveria dhe opozita kanë një përgjegjësi për të kapërcyer krizën menjëherë. Edhe nëse qeveria Rama ka shumicën në parlament, ajo duhet të jetë e përgatitur për të bërë kompromise reale. Ne jemi të përgatitur për të ndihmuar në kapërcimin e krizës, nëse të dyja palët kanë vullnetin për ta bërë këtë.

Cilat janë pengesat kryesore që duhet të kalojë Shqipëria?

Shqipëria ende ka nevojë të bëjë përparim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të pranimit. Mund të shohim se qeveria tashmë ka bërë përpjekje. Zbatimi i ligjeve është veçanërisht i rëndësishëm. Ligjet shqiptare, për shembull, ndalojnë blerjen e votave. Megjithatë, nuk ka ndjekje penale nga zyra e prokurorit publik dhe nuk ka arrestime kundër atyre personave të cilët kanë dëshmuar se kanë blerë votat me anë të regjistrimeve të përgjimit. Nëse nuk ka progres të vërtetë këtu shumë shpejt, grupi im nuk do të jetë në gjendje të pranojë hapjen e negociatave të pranimit. Sepse kjo është një çështje themelore e sundimit të ligjit dhe është ajo që duhet të garantohet.

A u arrit diçka nga takimi i Berlinit?

Po vërtet! Ka pasur një shkëmbim të vlefshëm dhe ç’është më kryesorja kritike, të pikëpamjeve për çështjen e ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimin e territoreve. Rezultati përfundimtar është se do të ketë një konferencë pasuese në 1 korrik në Paris. Atje do të diskutohen pyetje konkrete për vazhdimin e procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimi i këtij procesi nevojitet urgjentisht, ne më në fund kemi nevojë për përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve, përndryshe ekziston rreziku i konflikteve të reja.

Cili është vlerësimi juaj për opsionin e shkëmbimit territorial lidhur kjo me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor?

Shkëmbimi i territoreve është alternativa më e keqe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor! Në deklaratën përmbyllëse në takimin e Berlinit, të gjithë shefat e shteteve dhe qeverive theksuan se marrëveshjet midis Serbisë dhe Kosovës duhet të shërbejnë për stabilitetin rajonal. Ky është një refuzim i të gjitha konsideratave për një shkëmbim territori ose për rregullimin e kufijve etnikë. Besimi ndërmjet serbëve dhe kosovarëve dhe stabiliteti në rajon mund të arrihet vetëm nëpërmjet marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, jo përmes diskutimit të shkëmbimeve territoriale.

Johann-Wadephul

Wadephul: Kosova të shfuqizojë tarifat

Nën ndërmjetësimin e Kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, Serbia dhe Kosova kanë njoftuar se do të kthehen në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. “Konferenca e djeshme e Ballkanit Perëndimor e ka parë Serbinë dhe Kosovën të kthehen në negociata konkrete për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, të cilat janë braktisur plotësisht prej muajsh, si rezultat i diskutimit të panevojshëm për një shkëmbim territorial. Për çështje konkrete si Asociacioni i Komunave të Serbisë, furnizimi me energji i Kosovës, mbrojtja e të mirave kulturore, njohja e diplomave, të drejtat e personave të zhvendosur, por edhe pranimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare – duke përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të Kombet e Bashkuara – do të duhet të negociohen. Prandaj është e rëndësishme që Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive të Ballkanit Perëndimor të theksojnë se një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës duhet të kontribuojë në stabilitetin e rajonit. Me fjalë të tjera, besimi ndërmjet serbëve dhe kosovarëve dhe stabilitetit në rajon mund të arrihet vetëm përmes marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme për të normalizuar marrëdhëniet, por jo përmes diskutimit të shkëmbimit territorial. Prandaj është mirë që do të mbahet një takim pasues në Paris më 1 korrik për të thelluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Grupi parlamentar i CDU/CSU do ti kushtojë vëmendje dhe, nëse është e nevojshme, të kërkojë që Bashkimi Evropian, e cila është përgjegjëse për negociatat, ta shtyjë procesin me tekstet konkrete negociuese dhe jo – si më parë – vetëm të moderuar. Për suksesin e negociatave, është e rëndësishme që Kosova të shfuqizojë tarifat e vendosura ndaj Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Të gjithë pjesëmarrësit ishin në dijeni të vlerave kryesore evropiane gjatë samitit. Tani është e rëndësishme të implementohet demokracia parlamentare, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit jo vetëm në letër në Berlin, por në terren”./Shekulli