Nënkryetari i LSI: Një shpjegim dhe një falënderim për ndërkombëtarët e Tiranës dhe standardin e tyre të dyfishtë.

Mar 16 mars 2019

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka reaguar pas deklaratave të ndërkombëtarëve, se parlamenti , sipas tyre është legjitim.

Në reagimin  e tij, Rama, teksa ka renditur fakte, që sipas tij tregojnë realitetin “e trishtë” ku është Shqipëria, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta shohin protestën ashtu siç ishte.

Realiteti shqiptar është i trishtë, është i dhimbshëm, është tragjik, e fatkeqësisht, ky realitet po iu imponohet fatalisht qytetarëve, sa ata të thonë se “ishim më mirë kur ishim më keq!

Eshtë fyese dhe poshtëruese për një popull të tërë të një vendi anëtar të NATO-s, siç është Shqipëria që prej 10 vjetësh, që nga njëra anë të pranosh në raportin zyrtar të ODIHR-it se mbi 20 përqind e votës është blerë në zgjedhjet e vitit 2017, e nga ana tjetër të dëgjosh një “ndërkombëtar” të mbajë leksione për legjitimitetin e Kuvendit të dalë me vota të blera nga kriminelë e trafikantë!

Po në cilin vend tjetër të Europës mund të ndodhë kjo shfaqje dyfytyrësie e hipokrizie?! Në cilin vend të Europës së vlerave qytetare e demokratike prej nga vini ju zotërinj ndërkombëtarë do të heshtnit po të mësonit se në dosjet e prokurorisë për grupet e krimit të organizuar, ka prova se grupet kriminale kanë blerë vota për të prodhuar deputetë për qeverinë?!”. Shkruan nënkryetari i LSI-së.

Duke iu referuar protestës së ditës së sotme, Rama u shpreh se ajo ishte ndër protestat më të mëdha dhe më qytetare që është zhvilluar ndonjëherë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tirana sot ishte në protestë. Me më shumë qytetarë se çdo herë tjetër më parë. E nesër, padyshim do të ketë edhe  më shumë se sot. Ditë pas ditë uragani i revoltës popullore do të vijë duke u rritur, sepse e keqja mundet vetëm me forcën dhe vendosmërinë qytetare! Sot Tirana dhe gjithë Shqipëria ishte në protestë. Ishte protesta më e madhe dhe më qytetare që është zhvilluar ndonjëherë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit””, thekson ai.

protesta-masive

Reagimi i plotë:

Tirana sot ishte në protestë. Me më shumë qytetarë se çdo herë tjetër më parë. E nesër, padyshim do të ketë edhe  më shumë se sot. Ditë pas ditë uragani i revoltës popullore do të vijë duke u rritur, sepse e keqja mundet vetëm me forcën dhe vendosmërinë qytetare!

Varfëria dhe dhimbja që ajo shkakton janë akuzë për qeverisjen, e prej saj shumica e qytetarëve ka zgjedhur protestën që edhe ndërkombëtarët e burokratët e Europës në Tiranë, të kuptojnë se realiteti shqiptar nuk është ai i lulishteve të Rogner-it apo i fluturave me ngjyra në zyrën e Kryeministrit.

Realiteti shqiptar është i trishtë, është i dhimbshëm, është tragjik, e fatkeqësisht, ky realitet po iu imponohet fatalisht qytetarëve, sa ata të thonë se “ishim më mirë kur ishim më keq!”

Eshtë e rëndë, është e turpshme që Shqipëria anëtare e NATO-s që prej 10 vjetësh vazhdon të jetë vendi i vetëm në Europë ku zgjedhjet blihen e vidhen dhe ku qytetari nuk e ka votën të veten!

Eshtë kriminale dhe padyshim, edhe skandaloze, e vërteta që Shqipëria anëtare e NATO-s që prej 10 vjetësh, vazhdon të tregohet me gisht si vendi i krimit të organizuar, si qendra europiane e kultivimit dhe trafikimit të drogës dhe si vendi me Parlamentin që u detyrua të miratojë një ligj për të dekriminalizuar vetveten e për të përzënë prej andej kriminelët që ishin futur me firmat e kryetarëve të partive, kur në fakt të parët duhej të ishin përzënë ata që i kishin bërë kriminelët deputetë!

Eshtë fyese dhe poshtëruese për një popull të tërë të një vendi anëtar të NATO-s, siç është Shqipëria që prej 10 vjetësh, që nga njëra anë të pranosh në raportin zyrtar të ODIHR-it se mbi 20 përqind e votës është blerë në zgjedhjet e vitit 2017, e nga ana tjetër të dëgjosh një “ndërkombëtar” të mbajë leksione për legjitimitetin e Kuvendit të dalë me vota të blera nga kriminelë e trafikantë!

Po në cilin vend tjetër të Europës mund të ndodhë kjo shfaqje dyfytyrësie e hipokrizie?!

Në cilin vend të Europës së vlerave qytetare e demokratike prej nga vini ju zotërinj ndërkombëtarë do të heshtnit po të mësonit se në dosjet e prokurorisë për grupet e krimit të organizuar, ka prova se grupet kriminale kanë blerë vota për të prodhur deputetë për qeverinë?!

Në cilin vend të Europës do të ishte normale që shteti të mos ketë Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë, të mos ketë Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur në zbatim të Kushtetutës siç ndodh në Shqipërinë anëtare të NATO-s?!

Nga cili vend tjetër i Europës vetëm në 5 vjet janë larguar mbi 400 mijë qytetarë si nga Shqipëria anëtare e NATO-s dhe që kërkojnë azil në dyert e vendeve që ju përfaqësoni zotërinj ndërkombëtarë, dhe ketë të mos e shohësh si një të vertetë alarmante, por të thuash se vendi po bën progres?!

Përse ky standard i dyfishtë? Përse kjo hipokrizi?

Apo kjo është diplomacia e ndërkombëtarëve?

Sot Tirana dhe gjithë Shqipëria ishte në protestë. Ishte protesta më e madhe dhe më qytetare që është zhvilluar ndonjëherë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Shikojeni këtë protestë ashtu siç ishte zotërinj ndërkombëtarë: si shenjë alarmi që Shqipëria nuk është lulishtja e Rogner-it dhe as zyra me flutura shumëngjyrëshe e Kryeministrit!

E nëse protesta e sotme ishte me më shumë qytetarë se çdo protestë tjetër më parë, merita është edhe e juaja. Për këtë faleminderit!

E në mbyllje të këtyre rradhëve, bashkë me falenderimin për ndërkombëtarët e Tiranës, edhe një këshillë për ta; lexojeni poezinë “Laokonti” të Ismail Kadaresë…