“Nëse bashkohen, fitojnë shumë zona në ‘lokale’”, Lubonja: – Opozita nuk ka privilegjin të ndahet, të evitohet gjuha e largimit
10 Tetor 2022
Analisti Fatos Lubonja i ftur në rubrikën Opinion në News24 ka folur mbi situatën brenda Partisë Demokratike, ndërsa tha se opozita nuk ka privilegjin të ndahet copë-copë, sidomos brenda partisë,
Lubonja shtoi se qasja për të pasur bisedime brenda palëve në PD është pozitive por është e vështirë pa pasur kushte, të cilat mund të jenë largimet e figurave si Berisha apo Basha për t’i hapur rrugë një bashkimi, por që sipas tij duhen evituar.
Ai tha se nxjerrja e kandidatëve të vetë nga Alibeaj në zgjedhje është diçka vetvrasëse dhe kjo i hap rrugën e fitores së qeverisë në pushtet, ndërsa po ashtu tha se opozita ka mundësi që në zgjedhjet lokale të jetë fituese në shumë zona nëse opozita është e gjitha në një krah.
“Opozita nuk ka privilegjin të ndahet copë copë. Do uroja të hidheshin hapa drejt një bashkimi qoftë edhe me fraksione apo kompromise ku një pjesë mund të kenë t drejtën të sugjerojnë një kandidat me të cilin ndihen më afër. Opozita kërkon një bashkim më të madh se vetëm brenda PD-së. Kjo është e nevojshme, kërkohet një frymë përtej interesave të pjesëve, përndryshe përballë një regjimi të tillë nuk sfidohet dot fitorja. Vështirë se ky lloj regjimi mund të sfidohet kollaj.
Për mua problemi është se opozita dhe primaret të jenë të vërteta, mos të jenë të orkestruara që i shërbejnë vetëm 1 lideri. Do ishte mirë që këto primare të ishin garë midis disa personaliteteve që kërkojnë diçka përveç orkestrimit nga lart. Është e vështirë dhe nuk e shoh të ndodhë.
Gjithçka do rezultojë nga takimet mes palëve brenda PD, është qasje pozitive të mos vendosen kushte, por është e vështirë të ketë kompromis pa kushte. Në mos kushte duhen lëshime që të arrihet kompromisi. Një kusht mund të jetë pranimi i të gjithëve përveç Bashës, ose bashkimi pa Berishën, këto mund të jenë kushte. Këto kushte duhen evituar, por jo duke e përçarë. Tensioni mes tyre është i ndërtuar nga këto përjashtime. Këto duhen evituar në të mirë të një interesi të përbashkët të opozitës.
Alibeaj e ndjen se nxjerrja e kandidatëve të vetë është vetvrasëse. Do marrë rolin që të fitojë Rama në fund, por shumica nuk është dakord. Të dyja palët duhet të heqin dorë nga disa kushte dhe gjuha e përjashtimit e ofendimit që është përdorur shpesh mes palëve. Një nga mbështetjet e këtij grupimi që përfaqëson Alibeaj është edhe ambasadat, por nëse këto bëhen me regji nuk është mirë.
Meqë këto janë zgjedhje lokale është më e komplikuar, në tërësinë e vet një proces zgjedhor i ndershëm me një opozitë në një krah e shoh si fituese në shumë zona, duke pasur parasysh rreziqet që ka krijuar qeveria për vendin. Rezultati nuk varet vetëm nga kjo, e shikoj opozitën që mund të jetë më e fortë për të mbrojtur votën, zgjedhjet mund të jenë më afër të të qenit të ndershme.
Protestat janë një lloj motivimi edhe i elektoratit dhe funksionojnë por nuk e di sa mjaftojnë, duhet diçka më shumë që është alternativa se çfarë ofrohet, jo vetëm me fjalë. Problemi është se si të jesh i besueshëm përtej fjalëve, me akte që i mungojnë opozitës dhe kulturës sonë.
Duhen figura ndoshta të reja por jo si këta që thërrasin Berisha e Rama sa për të qenë rrotull por figura me personalitet, ajo që shoh është se mungon diçka e tillë dhe çdo gjë rrotullohet te figurat e vjetra se ata janë ata që do luftojnë të keqen. Këto janë mangësi që shfrytëzohen nga ai që ka pushtetin më shumë”, u shpreh Lubonja.
Gazeta Shqiptare