“Nëse sulmon Serbia, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë armatim”
1 Shkurt 2024
Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj ka deklaruar se blerja e raketave Javelin nga ana e Kosovës nuk e rrit dot mbrojtjen e saj përballë Serbisë.
Duke folur në një emision televiziv, Goxhaj theksoi se shitja e raketave nga ana e SHBA-ve në Kosovë tregon se ajo nuk e lëshon kollaj shtetin e ri.
Me këtë akt, sipas tij, SHBA kërkon t’i tregojë Rusisë praninë e fuqishme të saj në Kosovë dhe në Ballkan.
Duke iu referuar pranisë së SHBA-ve në Ballkan, Goxhaj tha se amerikanët kanë nën kontroll edhe vetë ushtrinë serbe.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dashur t’i bëjnë presion Serbisë, sepse SHBA ka kohë që e kontrollojnë ushtrinë e Serbisë që prej mbarimit të luftës në Kosovë. Kanë vendosur një marrëdhënie të ngushtë me ushtrinë e Serbisë.
Aktualisht ka prej 12 vitesh që Qendra e Forcave Speciale në Evropë ka hapur një zyrë të veçantë në Beograd që monitoron të gjitha lëvizjet e ushtrisë apo edhe aktivitetet që bën ushtria serbe prej 12 vitesh. Kosova vazhdon të mbetet pjesë e gjeopolitikës amerikane për t’i treguar qeverisë së Kosovës dhe Albin Kurtit, kur kundërshton amerikanët apo aleatët. Ata e tregojnë që janë pjesë e gjeopolitikës edhe duke miratuar shitjen e këtyre armëve pavarësisht se Kosova nuk është pjesë e NATO-s dhe pavarësisht nuk ka një ushtri sepse janë vetëm Forca të Sigurisë së Kosovës. Jo më shumë për t’u treguar serbëve, por për t’u treguar rusëve që ne do të vazhdojmë të jemi këtu dhe nuk do ta lëshojmë Kosovën”, u shpreh Goxhaj.
Megjithatë, Goxhaj nënvizon se kjo nuk e bën Kosovën imune përballë një sulmi të mundshëm serb.
I pyetur nga gazetari dhe moderatori, Nolian Lole se sa shanse reale ka Kosova në një përballje me Serbinë, përfshi këtu edhe raketat Javelin, Goxhaj u shpreh se një përballje direkte mes Kosovës dhe Serbisë pa praninë e NATO-s, nuk do të mund të ndalonin dot ushtrinë serbe.
“Javelinët nuk mund ta ndalojnë një ofensivë serbe në rast se do të mbetemi në atë aspekt në një përballje direkte mes Kosovës dhe Serbisë, pa ndërhyrjen e NATO-s. Javelinët nuk mund ta ndalonin një ofensivë të forcave serbe sepse javelinët nuk mbrojnë gjithçka. Nuk ka armë të tjera për të krijuar mbrojtje të këtyre njësive të cilat mund të sulmojnë këto tanke apo autoblinda. Nuk ka armë kundërajrore, nuk ka as armë artilerie, nuk ka as raketa”, tha Goxhaj.
Madje, ai bëri të ditur se Serbia ka porositur 10 mijë dronë “Shahed” nga Irani dhe me armatimin që ka vetë Serbia, as Kosova bashkë me Shqipërinë nuk i bëjnë dot ballë.
“Serbia ka porositur në Iran 10 mijë dronë “Shahed”. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë asnjë armatim për t’u mbrojtur nga këta dronë”, shpjegoi Goxhaj.
Ish-luftëtari i UÇK-së shtoi se pavarësisht se kryeministri Rama deklaroi vitin e kaluar se “në rast se Kosova do të hynte në konflikt, automatikisht do të hynim edhe ne. Por si do të hyjmë kur nuk kemi asgjë”.
Goxhaj vuri në dukje se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë armatimin e duhur për t’u vetëmbrojtur dhe në rast të një sulmi të pikave strategjike nga ana e Serbisë, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë se si të mbrohen apo të parandalojnë sulmet.
“Nuk them të blejmë armë, por më e pakta që duhet të kishim bërë, duhet të kishim blerë armë për vetëmbrotje dhe armë të mbrojtjes kundërajrore. Ai që ka blerë 10 mijë dronë, nuk i ka blerë për të sulmuar as shtëpinë time as shtëpinë tuaj. Nuk i ka blerë as për të sulmuar baza ushtarake, por i ka blerë për të sulmuar ato pika strategjike që kemi.
Ai të sulmon hidrocentralet dhe duke të sulmuar hidrocentralet ta ka nxjerrë jashtë funksionit komplet shtetin sepse duke mos pasur energji elektrike nuk do të funksionojë asgjë. Këto pika sot nuk kanë mbrojtje sepse ne nuk kemi mbrojtje kundërajrore, sepse nuk kemi as radarë për të funksionuar në këtë gjë”, përfundoi Goxhaj.
Gazeta Sot