Nesër Rama në SPAK: – Tradhti ndaj atdheut dhe nxitja e urrejtjes
Avokati Altin Goxhaj ka paralajmëruar se do të dorëzojë ditën e nesërme (24 shtator) një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit deklaroi në median prestigjioze ndërkombëtare New York Post, për ‘Sovranitetin e Urdhërit Bektashi’ në Tiranë.
Sipas avokat Goxhaj, me deklaratat e tij Rama ka kryer konspiracion për cënimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë dhe bashkëpunim me entitete të huaja në dëm të sovranitetit kombëtar.
Gjithashtu Goxhaj thekson se Rama ka nxitur urrejtje dhe përçarje fetare, si diskriminim të padrejtë duke favorizuar një komunitet fetar mbi komunitetet e tjera fetare të njohura nga shteti shqiptar, gjë që përbën një rrezik për harmoninë fetare.
‘Kryeministri ka përdorur këto tensione fetare si mjet për të justifikuar krijimin e këtij shteti sovran’, shkruan Goxhaj.
Njoftimi i plotë:
Nesër në 09:00 do të jem para SPAK për të dorëzuar Kallzim Penal ndaj Kryeministrit Rama për:
– konspiracion për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë dhe bashkëpunim me entitete të huaja në dëm të sovranitetit kombëtar.
– për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes fetare dhe për diskriminim të padrejtë duke favorizuar një komunitet fetar mbi komunitetet e tjera fetare të njohura nga shteti shqiptar, gjë që përbën një rrezik për harmoninë fetare. Kryeministri ka përdorur këto tensione fetare si mjet për të justifikuar krijimin e këtij shteti sovran.
Veprat penale për të cilat kallzohet:
– Neni 220 – Tradhëtia ndaj Atdheut
– Neni 219 – Bashkëpunimi me armikun
– Neni 265 – Nxitja e urrejtjes ose grindjeve
– Neni 266 – Thirrja publike për urrejtje mbi baza fetare
Nga OraNews, 23 Shtator 2024