New Yorku kthen në Irak artefakte të trafikuara
New Yorku kthen në Irak artefakte të trafikuara
20 janar 2022
Dy nga artefaktet e ekspozuara, si pjesë të koleksionit të sekuestruar që iu rikthyen Irakut, janë objekte të tregtuara jashtëligjshëm nga miliarderi Michael Steinhardt
Zyrtarë nga Iraku dhe Zyra e Prokurorit të Qarkut në Manhattan u mblodhën për të shënuar riatdhesimin e artefakteve të çmuara që ishin sekuestruar gjatë tregtisë së paligjshme. Dy nga asetet e ekspozuara të martën ishin objekte të blera nga miliarderi Michael Steinhardt: një tas prej ari i shekullit VIII dhe një pllakë fildishi.
Matthew Bogdanos, ndihmësprokuror i Qarkut të Manhattanit, ka thënë se në vitin 2003 pati fatin të ishte në Bagdad menjëherë pasi Muzeu i Irakut ishte plaçkitur.
“Atje filluam hetimin tonë me një ekip ndërkombëtar me shumë agjenci nga e gjithë bota. Dhe një nga objektet që ishte vjedhur nga Muzeu i Irakut në vitin 2003 është tasi i arit që keni parë, një vepër e jashtëzakonshme e shekullit VIII para Krishtit. Ai u zhduk, për t’u rishfaqur në treg në vitin 2020, këtu në New York”, ka thënë ai.
Muajin e kaluar “Steinhardt” dorëzoi 180 artefakte me vlerë rreth 70 milionë dollarë si pjesë e një marrëveshjeje historike me Zyrën e Prokurorit të Qarkut të Manhattanit për të shmangur ndjekjen penale. Mes tyre kishte edhe artefakte nga Izraeli.
Hetuesit kanë thënë se tasi i arit ishte grabitur nga qyteti antik Nimrud në Irak dhe ishte trafikuar nga grupi i Shtetit Islamik dhe ishte vënë re për herë të parë në vitin 2019, kur zyrtarët e Doganës dhe Kufirit të ShBA-së kapën dikë që mbante reliktet që ishin destinuar për “Steinhardt” në një fluturim nga Hong-Kongu për në “Newark International Aeroport”.
Në anën tjetër, hetuesit kanë thënë se pllaka e fildishtë i përkiste dikur mbretit të Sargonit, i cili sundoi në një zonë të Irakut të sotëm prej vitit 721 deri në vitin 725 p.e.s. Vlera e saj është 450 mijë dollarë.
Meg Reiss, ndihmëskryeprokurore e Qarkut për Manhattan, ka thënë se “këto artefakte u morën nga Michael Steinhart, koleksioni i tij kishte mbi 180 vepra të vjetra të vjedhura me vlerë rreth 70 milionë dollarë.
“Pasojë e veprimeve të tij është ndalimi i përjetshëm për tregtim me artefakte”, ka thënë ai.
Sendet e tjera në koleksionin e ekspozuar të martën u sekuestruan si pjesë e hetimeve të veçanta.
Fareed Yasseen, ambasador i Irakut në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se kur u plaçkit Muzeu i Bagdadit kishte një dëshpërim te njerëzit, sikur shpirti i tyre të ishte lënduar.
“Njerëzit qanë, unë qava. Pra, kjo është me të vërtetë e rëndësishme për ne. E dini, ne jemi një ndër vendet më të vjetra me një histori të lashtë, histori shumështresore. Nëse shikoni e vini re se populli i qeverisë irakiane po përpiqet të ruajë këtë histori. Ndryshe nga ajo që bëri ISIS kur pushtoi shumë nga qytetet që pushtoi. Gjëja e parë që bënë ishte që donin të fshinin gjithçka që tregonte historinë e atij vendi. Por identiteti është diçka specifike, ne e duam ruajtjen e tij”, ka thënë ai.
Muzetë në mbarë botën po përballen me një diskutim të madh mbi origjinën – ose zinxhirin e pronësisë – së veprave të artit, veçanërisht atyre të grabitura nga zonat e konfliktit ose nga vendet arkeologjike.
Eliot Minchenberg nga UNESCO-ja ka thënë se kur i kujtojnë nazistët, një nga gjërat e para që bie ndër mend është se ata kanë djegur libra.
“Dhe kjo po vazhdon. Ne e kemi parë këtë me ISIS-in duke shkatërruar muzetë në mbarë botën. Ne pamë se si në tregun e zi financohet terrorizmi e kështu me radhë. Pra, kjo është diçka që për fat të keq përdoret dhe instrumentalizohet prej kohësh, trafikimi i një objekti kulturor, i cili lidhet me identitetin e njerëzve. E ne këtu po japim një mesazh me rëndësi”.
Ka thirrje në rritje që artefaktet e tilla të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
Përktheu: Alberina Haxhijaj.
Nga Gazeta Koha, Prishtine