Nga 33 kontrata PPP në Shqipëri (pa përfshirë koncesionet në energji) 1/3 janë kompani të regjistruara offshore

20 nentor 2020

Gazeta Dita

Nga Ola Mitre

Myrjeme Fezaj filloi punë si laborante në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh në vitin 1985, pasi mbaroi Teknikumin në moshën 18-vjeçare. Gjatë muajit të fundit, 53- vjeçarja ishte pjesë e grupit të dhjetë grave naftëtare, që mbajtën një grevë urie 25-ditore në kërkim të 25 pagave të prapambetura nga pronarët e rafinerisë.

“Pronar kjo uzinë nuk ka tani,” tha ajo gjatë një interviste më 19 tetor, ndërsa shtoi se kompani të ndryshme kanë ardhur dhe ikur, duke i zhgënjyer.

“Privat thotë ai, por privatët ai i sillte, një ikte, një vinte, duke lënë borxhe një pas një dhe ashtu u akumuluan dhe lekët e tona dhe nuk na i japin,” u ankua Fezaj, që në atë kohë kishte pesë ditë në grevë urie.

Punëtorja e Kombinatit të Ballshit nuk është e vetmja që ka pikëpyetje mbi pronësinë e rafinerisë, e cila pas privatizimit nga biznesmeni famëkeq Rezart Taçi në vitin 2008, ka ndërruar disa herë pronësinë me kompani te regjistruara në parajsa fiskale, fonde investimesh, është konfiskuar nga banka dhe është dhënë në përdorim me kontrata qiraje, duke lënë pas një mal me borxhe ndaj buxhetit të shtetit dhe naftëtarëve.

Asetet e rafinerisë janë në pronësi të një kompanie të të quajtur “Allum Enterprises”, e cila që prej majit 2019-të është në pronësi të një kompania tjetër të  regjistruar në Zvicër e quajtur Mercado Exterior – e cila raportohet se është e lidhur me një zyrtar të lartë nga Azerbajxhani. Pronari i vërtetë i rafinerisë nuk dihet.

Rafineria e Ballshit nuk është e vetmja kompani që operon në tregun shqiptar me pronarë të fshehur pas vellos së anonimatit që sigurojnë parajsat fiskale. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se regjistrimi i aksionerëve të kompanive në juridiksione që fshehin pronarët përfitues është një praktikë e përhapur për kontratat koncesionare dhe marrëveshjet hidrokarbure.

Regjistrimi ‘offshore’ i këtyre kompanive bëhet për disa arsye, përfshi fshehjen e lidhjeve politike pas marrëveshjeve fitimprurëse me shtetin, pastrimin e parave dhe evazionin fiskal. Për t’i adresuar këto problematika, Shqipëria miratoi së fundmi një ligj për ngritjen e një regjistri të pronarëve përfitues, por ekspertët dhe aktivistët mbeten skeptikë për realizmin dhe efikasitetin e tij.

Koncesionet regjistrohen në parajsa fiskale

Në botë sot njihen rreth 80 streha fiskale, ku sipas Indeksit të Fshehtësisë Financiare (Financial Secrecy Index) për vitin 2020, në vend ta parë renditen Ishujt Cayman. Pas tyre vijnë Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Hong-Kongu dhe Singapori.

Në 10 vendet më të preferuara ‘offshore’ renditen gjithashtu edhe Luksemburgu, Japonia, Holanda, Ishujt Britanikë Virxhin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Indeksi është publikuar nga ‘Tax Justice Netuork’, – një rrjet i specializuar në kërkim, analizë dhe mbrojtjen e rregullave tatimore dhe financiare në nivel ndërkombëtar.

Parajsat apo strehat fiskale janë territore apo juridiksione që u mundësojnë personave jo rezidentë të shmangin detyrimet fiskale në vendet që kryejnë realisht aktivitetin e tyre.

Përveç avantazheve fiskale, vendet offshore mundësojnë anonimatin e personave që ‘fshihen’ pas kompanive si dhe ruajnë  sekret të lartë bankar.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se nga 33 kontrata të Partneritetit Publik Privat në Shqipëri [pa përfshirë koncesionet në sektorin e energjisë], 1/3 e tyre janë fituar nga kompani të regjistruara në parajsa fiskale. Nga këto kompani të regjistruara offshore, në 10 raste nuk njihet përfituesi fundor i tyre.

Kompanitë e regjistruara ‘offshore’ i transferojnë shpesh aksionet nga një entitet në një tjetër, një mekanizëm që shërben për të humbur origjinën e vërtetë të parave.

Ndërkaq, edhe 5 nga 6 kompanitë që kanë firmosur marrëveshje hidrokarbure për nxjerrjen e naftës rezultojnë të regjistruara në parajsa fiskale.

Fshehja e politikanëve pas kontratave koncesionare i bën ekspertët e ekonomisë skeptikë për suksesin e regjistrit të përfituesve fundorë.

——

Marrë me shkurtime nga BIRN. Ola Mitre është gazetare pranë TV Scan. Titulli është i redaksisë se gazetes