Nga kujtimet e mesuesit te pare te Shkolles ne Kryezi, Puke.
Nga kujtimet e mesuesit te pare te Shkolles ne Kryezi, Puke.
Nga: Justina Lacuku Boriçi.
Përhapja e arsimit në vitet ’30, në zonat e thella malore, është kontribut i patjetërsueshëm i rinisë shkodrane. Më 6 qershor 1934, ditën e hënë, filloi i pari mësim, në Kryezi, që shënoi hyrjen e arsimit në këtë fshat, i cili atëherë, pa asnjë mjet komunikimi e me një popullsi 100% analfabete mund të quhej i humbur në mes të bjeshkëve të veriut – kështu shprehet Filip Lacuku, mësuesi i parë i Kryeziut. Në kujtimet e tij përshkruhen vështirësitë, por njëkohësisht edhe gatishmëria e banorëve të asaj zone për të shkolluar fëmijët e tyre.
Por, për të arritur deri në këtë ditë, mësuesit shkodran, si shumë intelektualëve që kanë dhënë kontribut për të përhapur arsimin në malësitë e veriut në vitet ’30, i është dashur të niset prej qytetit të tij, Shkodër, 2 muaj më parë, më 8 prill dhe ka arritur në Komunën Fushë Arrëz, që përfshinte edhe fshatin Kryezi, më 12 prill, pra i janë dashur katër ditë udhëtim, sa me kafshë si dhe në këmbë, siç e përshkruan edhe vetë. Atë ditë janë lajmëruar krerët e fshatit që të nesërmen të mblidheshin në një vend dhe në një orë të caktuar. Pra, vetëm më 13 Prill, mësuesi mundi të arrinte në fshatin Kryezi, ku do të fillonte shkollimi i fëmijëve të asaj zone.
Krerët e fshatit, jo se kishin funksione të veçanta, por sepse ishin më të pjekur e të matur në gjykime, ku ndër të tjerë kujton: Koliq Pjetri, Sherif Veseli, Osman Sheqeri, Mark Dod Alia. Sekretari i Komunës, Elez Hoti, që e përcolli, u foli për masat që duheshin marrë, në mënyrë që shkolla të vihej sa më parë në funksionim. Edhe për ata, kjo ishte një e papritur dhe prandaj nuk ishin në gjendje të merrnin asnjë vendim pa u konsultuar me banorët e fshatit.
Koliq Pjetri mori përsipër të mbante në shtëpinë e tij mësuesin, derisa të sigurohej lokali.
U vendos që në katin e sipërm të shtëpisë së Nikoll Preng Lleshit, që ishte në të hyrë të fshatit, të bëheshin disa punime për të rregulluar dhomën-klasë dhe një dhomë tjetër më të vogël për banimin e mësuesit. Këtu do të vazhdonin mësimet deri në ndërtimin e shkollës së re. Shpenzimet për këto punime rëndonin, natyrisht, mbi banorët e fshatit.
Në kujtimet e tij, Filip Lacuku shkruan: – Më 4 qershor, ditën e shtunë, u largova nga shtëpia e Koliq Pjetrit dhe u vendosa në banesën e re. Falenderimet e mija, edhe pse të bëra me gjithë zemër, ishin një shpërblim tepër i vogël e i parëndësishëm për zemërgjerësinë e atij njeriu që jo vetëm për një ditë a dy, por për më shumë se një muaj e gjysmë më mbajti në shtëpinë e tij. Ishte një sakrificë që nuk e bën dokushdo, sidomos sepse ai nuk kishte asnjë detyrim ndaj meje si person (mbasi nuk më kishte njohur kurrë më parë, megjithëse më vonë u bëmë miq e për mua do të mbetet gjithmonë i paharruar) as si i ngarkuar me punë shtetërore, mbasi për këtë nuk i takonte atij të përgjigjej. – Nderimin dhe mirënjohjen për këtë njeri, mësuesi e shpreh edhe në letrën e ngushëllimit që i dërgon familjes së tij, kur Koliq Pjetri është ndarë nga jeta.
Koliq Pjetri
Por, ka edhe një arsye tjetër. Ky burrë i mençur e deshi aq shumë mësuesin Filip Lacuku, saqë njërit prej djemve të tij i vuri emrin Filip, i cili e gëzon edhe sot – Filip Koliqi.
Mësuesi vazhdon tregimin e tij: Mbasi u lajmëruan nxënësit sipas listave të nxjerra nga regjistrat e gjendjes civile në komunë, më 6 qershor 1934 filloi mësimi. Nga 80 ose më shumë nxënës të regjistruar, u paraqitën në shkollë jo më shumë se 35-40 nxënës, nga të cilët një vajzë e quajtur Lena Shala, (e bija e Mark Dodë Alisë), i cili e solli vullnetarisht, mbasi për vajzat, të paktën në atë krahinë nuk ekzistonte ose nuk u zbatua arsimi i detyrueshëm.
Ky ka qenë numri mesatar i nxënësve gjatë 5 vjetëve e gjysmë të qëndrimit të Filip Lacukut në atë katund. Arsyet ishin të ndryshme – thekson ai.
Në radhë të parë mentaliteti, mbasi shkolla konsiderohej si diçka e panevojshme, pa të cilën kishin jetuar prindërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit dhe që mund të ndiqej nga ata që ja kishin vaktin! Disa të tjerë i mbanin fëmijët në shtëpi për të ruajtur dhinë, delen, lopën ose për të bërë punë të tjera.
Kjo ishte arsyeja për të cilën edhe disa nga nxënësit që ndiqnin shkollën bënin mungesa pak a shumë të shpeshta e të gjata. Kishte edhe nga ata që për arsye armiqësore nuk i dërgonin fëmijët nga frika e vrasjeve për marrje gjaku, që sipas ligjeve të Kanunit nuk kursenin as moshën e njomë.
Njëkohësisht u mor vendim që çdo shtëpi e katundit të jepte një sasi drithi për të paguar ustallarët, që do të ndërtonin shkollën e re. Ndërtimi i shkollës ju ngarkua, nëqoftëse nuk gaboj, vëllezërve Engjëll e Mark Gjergji.
Në kaq vazhduan mësimet, që për arsyet, që u përmendën më lart, filluan me vonesë. Në vitet e mëvonshme filluan pak a shumë rregullisht më 1 mars dhe përfundonin me 28 nëntor.
Siç u theksua, mësimet filluan me vonesë dhe në kondita, që pak a shumë janë përshkruar edhe në shkrime të mëparshme. Bankat dhe dërrasën e zezë e pat punuar Pjetër Pernoci. Nëqoftëse do të përdorim gjuhën shekullore për cilësinë e tyre, do të mjaftonin notën “mjaftueshëm”, sepse sido që të ishin e mbaronin punën. Tekstet e shkollës, për atë kohë, nuk ishin për t’u çmuar. Përveç abetares, kishte tekste për gjuhën, aritmetikën, historinë dhe libra leximi sipas klasave. Së bashku me mjetet e tjera si fletore, lapsa, pena, goma etj., silleshin nga Shkodra dhe shiteshin në dyqanin, që më parë ishte në Fushë-Arrëz e që më vonë u afrua tek Ura e Bardhetit.
Në përgjithësi nxënësit e donin shkollën dhe mungesat i bënin vetëm kur pengoheshin nga prindërit. Koha e keqe, me përjashtim të ditëve me stuhi bore ose shiu, nuk i pengonte për të ardhur në shkollë, megjithëse veshja e tyre me këmishë e me një palë mbathje beze, me një palë opinga lope, nuk ishte aspak e përshtatshme për stinët e tjera, me përjashtim të verës. Kjo, natyrisht në vija të përgjithshme, mbasi edhe atje, si kudo, kishte ndonjë nxënës, që përpiqej t’i bënte bisht shkollës, në mos çdo ditë të paktën në rastet kur ishte i papërgatitur në ndonjë mësim ose kur kishte ndonjë lëndë që nuk i pëlqente. Por, këto ishin shumë raste të rralla. Pjesërisht – tregon Filipi, – mund të ishte edhe për fajin tim, mbasi me gjithë përpjekjet që bëja, ndoshta s’kam ditur t’jua bëja interesante një a më shumë mësime. Shpeshherë lozja me ta me një top lecke deri sa më në fund solla nga Shkodra një top futbolli, i cili nuk mund të përdorej gjerësisht për arsye të ngushticës dhe të pjerrësisë së vendit, që kishim në dispozicion. – Më tej ai vazhdon: – Në vitin e parë 1934 kisha vetëm klasën e parë, por për çdo vit erdhi duke u shtuar nga një klasë deri në katër. Kjo lloj strukture e vështirësonte mësimin, por për konditat e atëhershme ishte e domosdoshme. Kështu u vepronte pothuaj në të gjitha shkollat e fshatit në Shqipëri. Në klasën e parë dhe të dytë e kisha të vështirë dhënien e mësimit, ndoshta sepse e tillë ishte natyra ime, por më shumë për shkak të pa përgatitjes sime nga ana profesionale, mbasi shkolla e mesme që kisha kryer ishte e një profile tjetër.
Por, mangësitë e dy viteve të para jam përpjekur t’i plotësoj në klasën e tretë dhe sidomos në të katërtën. Dhe pikërisht këto dy klasa jepnin provim në fund të vitit. Këtë mënyrë veprimi e kam zbatuar me iniciativën time. Në fund të vitit jepeshin dëftesat me notat përkatëse për secilën lëndë. Siç jua kam thënë edhe me gojë, vitin e parë kam pasur vetëm një vajzë (Lena Shala). Në vitin e dytë, 1935 u regjistrua edhe një tjetër (Xheva Selmani), e bija e Selman Bugarit, më duket një emigrant kosovar i ardhur në Kryezi dhe në vitin 1938 një vajzë e quajtur Fatime, e bija e njërit që për arsye nuk e di çfarë (ndoshta gjaqesh) ishte larguar prej kohësh nga fshati për në Gjakovë dhe që në këtë vit u kthye përsëri. Pleqtë e katundit mund ta mbajnë mend. Nëqoftëse nuk gaboj quhej Mustafë Kryeziu, ose ndoshta ishte i biri.
Në vitin 1936, ndoshta prill ose në maj, mbas përfundimit të punimeve u bë transferimi në shkollën e re. Ishte një shkollë për atë kohë, që nuk mund të quhej e papërshtatshme, sidomos në krahasim me atë nga e cila u larguam, që si ndërtesë ishte e mirë, por i mungonin konditat për të qenë shkollë, siç e kam përshkruar edhe më parë.
Shkolla e re u bë me kontributin e banorëve të fshatit pa as më të voglën ndihmë nga shteti. Nga shteti, gjatë kohës që kam qenë unë, shkolla ka pasur një hartë Shqipërie me dimensione mjaft të mëdha, qe e kisha varur në klasë, një vulë si dhe regjistrat, ditarët, dëftesat që u shpërndaheshin nxënësve në fund të vitit.
Më tej ai vazhdon: – Marrëdhëniet me kolegët e rrethit ishin të rralla për arsye të distancave nga një fshat në tjetrin dhe për mungesë komunikacioni. Dy herë kam qenë në Dardhë dhe dy herë në Iballë, ku ishin mësues përkatësisht Filip Ndocaj dhe Lin Çurçija. Filip Ndocaj nga Dardha dhe Frano Jakova nga Sakati sa herë që shkonim në Shkodër ose ktheheshim nga fshatrat e tyre, ndalonin nga një natë në Kryezi tek unë. Kështu që për shkëmbim eksperience, nga pikëpamja profesionale, as që mund të bëhej fjalë. Takime më të sheshta kam pasur me Idriz Çangën kur u hap shkolla në Fushë-Arrëz, por edhe këto takime kishin më tepër karakter shoqëror se sa profesional, sepse sado afër që ishin njëra me tjetrën, këto dy shkolla në krahasim me të tjerat, një orë e gjysmë ose dy duheshin patjetër për të përshkuar distancën që i ndante.
Në vitin e parë u regjistruan nxënës edhe me moshë deri 12 vjeç, si të prapambetur, por më vonë për çdo vit u regjistruan nxënës të moshës 6 vjeç, që ishte mosha e parashikuar për shkollë.
Sipas zakoneve të atëhershme, pothuajse të gjithë nxënësit ishin të fejuar. Ndoshta vetëm mësuesi ishte i pafejuar! –
Para disa vitesh nga fshati Kryezi, disa miq të tij (meqenëse babai kishte vdekur më 1995), më kërkuan fotografi të kohës kur ai ka qenë mësues në këtë fshat. Menjëherë u përpoqa që ta plotësoj këtë detyrë dhe ua dërgova, ndaj dhe nuk i kam ato foto për të ilustruar shkrimin, që paraqita të shkruar prej tij. Megjithatë, edhe fotot që kam paraqitur m’i kanë dhënë familjarët e Koliq Pjetrit. Pra, përsëri edhe unë jam ndihmuar nga kjo familje (Filipi dhe Bjeshka), të cilët dua t’i falenderoj nga zemra.
Gjithashtu dua të falenderoj Komunën e Qafë-Malit, që në vitin 2004, me rastin e 70-vjetorit të hapjes së shkollës së Kryeziut, e ka nderuar mësuesin e parë, Filip Lacuku, me titullin “Qytetar Nderi” i Komunës Qafë-Mali.
Botuar ne Gazeten Shqiptare.