Nga mbrojtja e Ukrainës kundër Rusisë te ndihmat në Gaza, Biden kadetëve ushtarakë: Po thirreni për t’u përballur me kërcënime si kurrë më parë
26 Maji 2024
Presidenti Joe Biden u tha të shtunën të diplomuarve të Akademisë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara se brezi i tyre po thirrej për t’u përballur me kërcënime në mbarë globin dhe për të ruajtur idealet e atdheut brenda vendit “si kurrë më parë”.
Fraza e përdorur si moto nga kadetët që diplomohen këtë vit, tha Presidenti Biden, është e përshtatshme për të gjitha llojet e sfidave me të cilat ata do të përballen në detyrë si oficerët më të rinj të ushtrisë, që nga mbështetja për Ukrainën përballë sulmit të Rusisë dhe deri tek ndihmat humanitare për Gazën dhe mbrojtjen e Izraelit nga sulmet e Iranit.
“Nuk ka patur ndonjëherë një periudhë në histori, kur i kemi kërkuar ushtrisë sonë të bëjë gjëra kaq të ndryshme, në kaq shumë vende të ndryshme në mbarë botën, të gjitha në të njëjtën kohë”, tha Presidenti Biden.
Duke folur nga akademia West Point, ai konfirmoi se nuk do të lejojë dërgimin e ushtarakëve amerikanë në fushëbetejë në Ukrainë, por tha se puna e tyre për të pajisur dhe trajnuar forcat ukrainase ka ndalur “vizionin e paturp” për Evropën të udhëheqësit rus Vladimir Putin.
Presidenti Biden u kujtoi atyre se nuk po betoheshin për të qenë besnikë ndaj një njeriu apo një partie politike, por për të qenë besnikë të Kushtetutës.
Ndërsa folësit e tjerë në fjalimet e tyre lanë të nënkuptohet zemërimi partiak dhe ndarja politike në të gjithë vendin, Presidenti Biden tha: “Mbahuni fort pas vlerave tuaja që mësuat këtu në West Point”.
“Idetë kanë nevojë për njerëz që t’i mbrojnë. Duhet të mbroni lirinë tonë si asnjëherë më parë”.
Zoti Biden vuri në dukje se vitin e kaluar, për herë të parë në një dekadë, u shënua rënie e rasteve të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale në ushtri, por shtoi se është e nevojshme të bëhen edhe më shumë përpjekje kundër kësaj dukurie./VOA