“Ngeli duke përqafuar qentë e Tiranës dhe Durrësit”, Marku flet për ftesat e Ramës ndaj opozitës: Do bashkëpunim për foto dhe show
“Ngeli duke përqafuar qentë e Tiranës dhe Durrësit”, Marku flet për ftesat e Ramës ndaj opozitës: Do bashkëpunim për foto dhe show
4 dhjetor 2019
Profesori Mark Marku mbështet qëndrimin e opozitës për të mos iu përgjigjur ftesave për bashkëpunim të kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë për rubrikën “Opinion” në News24, profesori Marku u shpreh se të ulesh në tavolina për të bërë foto dhe show, sikurse kryeministri dëshiron nuk është forma më e mirë e bashkëpunimit për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sipas profesorit opozita një rol të rëndësishëm në të gjithë këtë fatkeqësi, por nuk mundet asesi që t’i kërkohet të menaxhojë këtë situatë, sepse kjo nuk është parë në asnjë vend të botës.
Për Markun, opozita ka zbutur tonet politike mjaftueshëm, por nuk duhet që të vazhdojë ta bëjë më gjatë këtë sepse sa bashkëpunues, strukturat duhet të jenë edhe kritikuese ndaj qeverisë, ndërsa thekson se tërmeti nuk pezullon demokracinë.
Pjesë nga intervista:
Mark Marku: Kemi ne një plan konkret të botuar dhe të deklaruar se si do të përballohet kjo situatë? Me kosto, si do funksionojnë grupet etj etj.
U bënë 7 ditë që ai rri vërdallë, ka përqafuar të gjithë qentë e Tiranës dhe të Durrësit dhe nuk kemi një strukturë. Kemi një Komitet gjasme të koordinimit ku dëgjojmë kryeministrin sesi flet pas asnjë lidhje me situatën.
Tek ky Komitet a duhet të ishte edhe opozita? A duhet të ishte edhe zoti Basha tek ky Komitet?
Mark Marku: Unë mendoj se të gjithë në këtë rast duhet të bashkohemi, për të përballuar sa më mirë këtë gjendje. Por tërmeti nuk pezullon demokracinë. Opozita ka rolin e vet dhe nuk ka pse t’i kërkohet përgjegjësia opozitës që të shkojë dhe të menaxhojë bashkë me qeverinë.
Të bëhen bashkë dhe të menaxhojnë këtë situatë që na goditi.
Mark Marku: Si bashkë? Si mund të jemi unë dhe ti bashkë, ti që bën pyetje dhe unë që jap përgjigje? Ne bashkë jemi, por ti në llojin tënd si gazetare dhe unë si i intervistuar dhe ne po bashkëpunojmë.
E di si e koncepton bashkëpunimin Rama? Sikur unë të kisha përgatitur pyetjet ju dhe ju më pas të më bënit pyetjet që unë i kisha bërë vetë. Këtë quan bashkëpunim Rama dhe në rastin e opozitës. E do aty që të bëjë foto, show.
Në çfarë vendi në botë i kërkohet opozitës që të menaxhojë një fatkeqësi natyrore? Nuk e kam parë këtë as në Itali, as SHBA.
Opozita dhe media tregojnë përgjegjësinë për të ulur tonet e luftës politike dhe mendoj që opozita deri në këtë moment e ka bërë, por nuk ka pse ta bëjë më. Për t’i shërbyer qytetarëve unë mendoj që edhe media, edhe të gjithë zërat e lirë të pavarur, edhe të gjitha strukturat duhet të jenë sa bashkëpunues, aq dhe kritikues ndaj qeverisë.
Gazeta Panorama