– 26.05.22

Gjykata e Lartë ka mbi 35 mijë dosje të mbetura pezull për shkak të mungesës së gjyqtarëve që ikën nga vetingu. Zgjidhjet e propozuara për zhbllokimin e ngërçit kanë qenë të shumta, por stoku i krijuar ka qenë aq i madh, sa çështjet vetëm janë shtuar.

Hartuesit e reformës në drejtësi nuk e kishin parashikuar se vetingu do të largonte aq gjyqtarë sa mungesa e tyre do të bllokonte punën e Gjykatës së Lartë.

Në këtë situatë të krijuar, qeveria është vetëofruar të sakrifikohet. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se qeveria vendosi të tërhiqet nga rekursi për rreth 3800 dosje me natyrë civile dhe administrative. Qëllimi është lehtësimi i punës së Gjykatës së Lartë.

Pra nuk ka rëndësi se qeveria ka të drejtë në çështjet që presin zgjidhje në Gjykatën e Lartë. Administrata do të tërhiqet duke u lënë fushë të lirë atye që mendon se nuk kishin të drejtë për shkak të reformës në drejtësi.