NGROHTËSIA E NATYRËS SHQIPTARE E PIKTORIT NDINI R. BARDHI. 

Nga: Jetullah Haliti,

Nga historia e artit dihet se çdo krijim artistik niset nga entuziazmi që na ngjall një autor krijues piktor, një temë e një subjekt, të cilët i zbulojmë në jetë. Ashtu siç ndodh kur duam një njeri artist, të cilit jo vetëm që i shohim portretin dhe krijimtarinë artistike, por edhe vetë pikturat e tij na duken interesante, sepse nuk e shohim me sytë e ballit por me sytë e respektit dhe të dashurisë, po ashtu edhe artisti i vërtetë produktiv e sheh realitetin në sytë e dashurisë së tij për këtë realitet.

I tillë është edhe piktori tashmë i njohur i peizazhit dhe portretit Ndini Bardhi. Atij kur i pëlqen çdo gjë reale, e bukur, estetike për njerëzit artdashës, e ka vështirë t’i gjejë të meta subjektit të tij. Për të si piktor, atë që ekziston dhe njihet si reale dhe objektive, vështrimi artistik e shndërron vetiu, duke e ngritur gjer ne ideal, gjer në vlerë shpirtërore. Tek ai kjo e vërtetë që shpjegon çdo vlerë estetike, u përket më tepër se kujtdo artistëve me dimensione dhe preferenca reale deri në ato klasike. Piktori Ndini Bardhi, si piktor i peizazhit, i bukurisë së natyrës shqiptare dhe i portretit të njeriut të zakonshëm, të njeriut krijues të vlerave shpirtërore, piktor, skulptor, aktor e artist të shumtë popullor, në modelet e përzgjedhur nga jeta, natyra, realiteti shqiptar, vendos temat e lumturisë dhe dramës, të mirës dhe të keqes, lirikës dhe poetikës gjer në shkallën më emocionale dhe impresionuese, estetike dhe shpirtërore të artit.

Arti i tij është art që flet me gjuhën e thjeshtë, e realitetit jetësor dhe njerëzor nëpërmjet të të cilit siguron suksesin edhe produktin vlerë artistike dhe shpirtërore.

Ndaj dhe nga eksperienca artistike e deritanishme e tij e shfaqur ne njëzetë e një ekspozita pikture në Shqipëri e në botë, Itali, Francë, Gjermani, Poloni, Rumani, Greqi, Maqedoni, Iran etj., në çdo vepër të realizuar arti ka ndjesi klasike të bukurisë si në peizazh dhe në portretin e njeriut. Me këtë ndjenjë estetike piktori Ndini Bardhi e ka admiruar artin klasik, po përmbi çdo ndjenjë artistike tek ai qëndron ndjenja e dashurisë për njeriun dhe natyrën universale shqiptare.

Bardhi si krijues i kompletuar nuk e kërkon madhështinë e modelimeve të tij te imagjinata, po te realiteti i prekshëm dhe i dukshëm shqiptar, te natyra dhe historia e popullit shqiptar. Kështu, arti realist i kohës dhe i jetës së tij si njeri dhe krijues, vjen i gjallë te çdo njeri, me ato tipare thelbësore artistike, që përbëjnë në vetvete ligjshmëri në të ndërtuarit e jetës e në interpretimin e saj në art, ligjshmëri, që lidhen me vetë natyrën e Ndinit, me aspiratat e tij për t’i dhënë vlera shpirtërore dhe artistike shoqërisë dhe kombit.

Bardhi është autor krijues i formuar, që e kupton në vijimësi progresive formimin e një personaliteti artistik si individ i veçantë për botën dhe njeriun, për veprën e artit si produkt në vlera estetike dhe të mendimit filozofik për artin në vetvete.

Ai nëpërmjet veprës së krijuar artistikisht përpiqet të motivoj veprën e tij duke u paraqitur para të tjerëve në ekspozitë pikture me shqetësimet e krijimit në formë, stil, individualitet dhe përmbajtje të veprës dhe artit që bën.

Duke e parë drejt e në sy veprën e piktorit të peizazhit dhe të portretit, Ndini Bardhi do të na nxis mendimin tonë për një analizë dhe studim më të detajuar profesional, ideor, konceptual dhe filozofik të artit të tij, i cili gjen shtratin dhe brumin në realitetin e gjallë shqiptar. Tek Bardhi, gjithnjë po t’i referohemi veprës së tij, peizazhit dhe portretit, shqetësimi primar është kujdesi për formën në unitet të përhershëm me përmbajtjen, tematikën dhe teknikën, si një problem që mbetet problem i krijimtarisë së tij dhe në tërësi të përjetshme, që sjell lodhje dhe sfilitje në profesionin e artit të pikturës, që ka zgjedhur.

Edhe natyra, shprehet piktori Ndini Bardhi, nëna e të gjitha gjërave, kujdeset magjishëm për formën, sepse brenda saj qëndron esenca e lëndës objekt dhe subjekt për artistin piktor. Natyra e shpreh me entuziazëm bujarinë e saj në formën e një lule plot ngjyra, në lirësinë e pafund të gjithësisë, e një ftese njerëzore, e kujdesit për formën dhe ndërgjegjen e njeriut në këtë jetë e  mbi të gjitha për shpirtin e tij. Edhe artisti, kjo krijesë e natyrës dhe promotorr i saj, merr guximin dhe krijon me shpirtin e tij krijues vepra piktorike me imazhe, motive, mesazhe, frymëzime etj. për të shprehur madhështinë e nënës natyrë, e këtij universi që në gjithëkohësi të jetës na fton që ta duam si gjënë më të shtrenjtë të ekzistencës tonë njerëzore.

Piktori Ndini Bardhi edhe si vizatues i thekur i portretit, i këtij zhanri sa të bukur e të vështirë, duke zbatuar me përgjegjësi ligjet e krijimit artistik, arrin t’u jap veprave të tij një formë profesionalisht artistike dhe estetike. Si artist i konsoliduar, në veprën e tij shohim dhe përjetojmë realisht formën artistike dhe nga ky përkushtim realizmi bëhet më emocional, më i bukur estetikisht dhe më i fuqishëm për shpirtin e njeriut artdashës. Kërkesa e njeriut (njerëzve), thotë Bardhi, ndaj bukurisë së natyrës dhe njeriut është se ai natyrën si peizazh, qoftë e pikturuar edhe nga piktori, e do të bukur dhe poetike.

Për këtë duhet vullnet njerëzor dhe një nga kërkesat themelore të artit realist figurativ është identiteti i gjuhës së autorit dhe individualiteti i shprehjes artistike.

Artisti e ka për detyrë t’i prijë shijes artistike të njerëzve, që do të thotë se ai në këtë mënyrë bëhet shprehës i ndërgjegjes estetike të bashkëkohësve me forcën e përfytyrimit të tij, e cila buron nga realiteti dhe e ngre atë realitet objektiv në realitet artistik, në mënyrë individuale të papërsëritshme.

Dhe piktori Ndini Bardhi si piktor i peizazhit dhe i portretit të njeriut e ndjen nevojën për një gjuhë të drejtpërdrejtë me botën reale dhe dinamizmin e saj.

Është pikërisht kjo përvojë që e bën veprën e tij të freskët, të vërtetë, me forcë emocionale, që gjeneron çdo mundësi të re për një art vlerash shpirtërore ndaj artit të ftohtë akademik. Bardhi ka hyrë në pikturën shqiptare si një autor i talentuar dhe serioz, me ideale të qarta realiste. I frymëzuar nga dashuria e ngrohtë për natyrën shqiptare dhe njeriun e thjeshtë dhe krijues vlerash artistike, si piktor u rrit dhe u përgatit për artin që bënë, për bukurinë e papërsëritshme të Shqipërisë, për poezinë lirike të natyrës. Ndini e merr subjektin real dhe artistikisht e pikturon në një këndvështrim të ri emocional. Harmonia e pikturës së tij është harmonia e natyrës dhe e shpirtit të tij. Emocionet tek ai janë të sinqerta, reale dhe vetjake. Si gjuetar me përvojë krijuese zgjedh shumë dhe, kur bindet për atë gjetje, merr pozicionin e poetit lirik.

Piktura e Ndinit është e veçantë me koloritin e përmbajtur, me dritën dhe shkëlqimin karakteristik mesdhetar dhe shqiptar. Gëzimi i toneve të tij është më i thellë dhe emocional. Peizazhet më të mira të piktorit Ndini Bardhi burojnë dinamizëm, kompetencë profesionale dhe ngrohtësi. Si krijues në gjithëkohësi të jetës si piktor është i shqetësuar për çdo gjetje të natyrës, shqetësim që manifestohet me lëvizjet e penelatave të tij të ashpra nga plani i parë deri në horizont të peizazhit, përtej ndriçimeve gjysmë të dukshme, përtej qiellit të egërsuar e dramatik. Por këto janë të natyrshme për krijuesin e vërtetë, sepse çdo gjë me shumë punë dhe këmbëngulje nis dhe ecën e qetë, e ngrohtë, duke ardhur gjer te ne me afshin e dashurisë dhe zemrës së tij. Tek Bardhi, e gjithë kjo është thënë në veprën e tij, thjesht, pa ekzagjerime dhe reale. E thjeshtë tavaloca, i thjeshtë motivi i vizatuar, e thjeshtë dhe e ngrohte harmonia e ngjyrave kafe, kuqërremta, të verdha, por nuk është e thjeshtë mjeshtëria me të cilën pikturon ky autor i talentuar.

Le të marrim nga piktura e Ndini Bardhit qoftë edhe një tipar të vetëm të kësaj mjeshtrie, përpunimin e sipërfaqes pikturore dhe strukturimin e shtresave ngjyrore.

Ne sot si krijues vlerash teknikisht shqetësohemi edhe për atë përshtypje që do t’i bëj artdashësit tekstura, vizatimi ngjyror apo koloristik i pikturës sonë, duke e vlerësuar këtë gjë si pjesë me rëndësi të mjeshtërisë piktorike. Ky vlerësim është i drejtë dhe rritja e rolit të fakturës është ndihmesë e kohëve të sotme. Kujdesi për sipërfaqen e motivuar piktorike nga Ndini Bardhi nuk ka munguar gjatë gjithë jetës krijuese të deritanishme. Dhe çdo element shprehës i gjetur artistikisht prej tij, qoftë i çfarëdo natyre, është vlerësuar me shqetësimin se si ta shpreh këtë në veprën e re të ardhshme. parapëlqimi ndaj fakturave të ashpra dhe të buta nga piktori Ndini Bardhi ka hyrë në stilin dhe teknikën e tij, duke e quajtur si një preferencë të tijën dhe të tjerëve në ditët tona. Për të, në jetë, krahas forcës, qëndron delikatesa, krahas thjeshtësisë, finesa piktorike. Piktura e tij na mundëson të zgjerojmë mjetet tona të shprehjes realiste dhe impresionuese. Raportet sasiore të ngjyrave tek Bardhi kthehen në raporte cilësore në harmoni të plotë estetike dhe artistike. Dëshira dhe pasioni i tij si njeri dhe krijues vlerash shpirtërore, është që të bëj një pikturë të kthjellët, të sinqertë dhe të kuptueshme për të tjerët, ku tejdukshmëria e ngjyrave dhe përpikëria e vizatimit të shprehin dëlirësinë, ndërsa gjallëria koloristike gëzimin dhe kënaqësinë emocionale. Bardhin po ta shikosh në portretin e tij fizik, shpreh një shpirt plot dritë, nga i cili buron gëzimi i praruar dhe dashuria për jetën, natyrën dhe njerëzit. Në veprën e tij shikon ndërtimin e thjeshtë të objekteve, vlerave tonale dhe dritën e fuqishme të vendit tonë, të cilat përbëjnë interesin primar dhe final të krijimtarisë artistike. Ai vizaton me thjeshtësi ato që i interesojnë. Dhe si motiv i punës krijuese, i interesojnë pikërisht ato gjëra që i shërbejnë pikturës së tij. Është nga ata piktorë që pikturën ia beson vizatimit grafik, në mënyrë që ndjeshmëria tonale e ngjyrave të jap emocione të gjalla dhe jetësore. Në metodën e punës krijuese ka si lajtmotiv poezinë e natyrës shqiptare, merr kasetën, kavaletin dhe ngjyrat, ngulet para saj duke i besuar plotësisht, e duke mos e nënvleftësuar asnjë herë atë.

Për Ndini Bardhin e bukura është konkrete, reale, ajo ndodhet para syve të tij dhe s’ka kurrfarë nevoje për fantazinë, për ndryshime dhe për shpikje. Por kjo nuk do të thotë se Ndini nuk zgjedh ose nuk di të zgjedh. Përkundrazi, ai zgjedh shumë dhe di se çfarë zgjedh. Ndini kompozon shumë mirë, sepse shkon me vetëdije te peizazhi i natyrës dhe njeriu i ditës në realitetin shqiptar, i zhveshur nga çdo paramendim formal. Ai i nënshtrohet plotësisht, në mënyrë të ndërgjegjshme, asaj që gjen aty, në gjirin e natyrës, pa u munduar asnjëherë ta shtrëngoj natyrën të futet në etyde kompozicionale të vizatuara më parë. Këtu qëndron edhe përshtypja emocionale e së papriturës që bëjnë shumë vepra në peizazhe të tij, ndërsa e papritura më e rëndësishme e këtyre peizazheve është vërtetësia e kompozimit, e vendosjes së planeve dhe objekteve.

Cilat janë disa nga tiparet e pikturës së Ndini Bardhit? Mund të thuhet me përgjegjësi artistike se bukuria e peizazhit të tij qëndron në qartësinë e vështrimit të artistit. Piktura e tij mbetet brenda shijes së kohës së tij, në kuptimin më të saktë të fjalës, dhe nuk gjejmë dot asnjë përpjekje serioze në veprën e tij që të dëshmojë si koleg piktor, se Bardhi përpiqet të dal në ndonjë farë mënyre nga kufijtë e krijimtarisë së tij artistike në stil, rrymë dhe teknikë piktorike.

Bardhi në zgjedhjen e temës, në interpretimin e saj, në ndërtimin e subjektit të strukturës piktorike, të konvertimit të natyrës në pikturë, ka punuar gjatë gjithë jetës së tij si njeri dhe piktor i peizazhit dhe portretit të njeriut.

Po të shikojmë pikturën e Ndinit në njëzet ekspozitat e hapura në Shqipëri e botë, mund të thuhet me gjuhën e profesionalizmit artistik se ajo është e toneve të ndritura optimiste, një pikturë e gëzuar dhe tërë dritë e shkëlqim. ajo është një pikturë e qetë, siç është ai vetë: i shtruar, i matur në mendim, i sigurt në atë që thotë dhe vizionar në ide e krijimtari artistike. Drita e peizazheve të tij është e qetë, e përmbajtur, optimiste dhe jetëdhënëse.

Bardhi pikturon, dhe këtë e shikojmë në pikturën e tij në stinën e vjeshtës, me kafe, të kuqe, të verdhë, me ngjyra të ngrohta e të pjekura, karakteristike si të natyrës shqiptare në stinën e vjeshtës. Për të gjatë gjithë krijimtarisë artistike si preferencë ka qenë dhe është kultivimi në mënyrë të pavarur i ngjyrës, intensifikimi i ndërgjegjshëm i saj për efekte të shprehjes artistike. Ndini është i kënaqur me organizimin natyror që gjen, dhe përpiqet t’ia nënshtrojë një disipline të caktuar, që kap syri i tij normal. Ai nuk mund ta kuptoj pikturën pa ngjyrat që gjen në natyrën e gjallë dhe reale, pa jehonën e thellë emocionale që përmban në vetvete çdo ngjyrë që natyra të josh si propozim vlerash krijuese për veprën e ardhshme.

Ku qëndron vlera e ngjyrave në peizazhet e Ndini Bardhit?

Harmonia kromatike që kërkon dhe arrin në pikturë Ndini është harmoni e kërkuar jo në paletë, por në natyrë. Ai e fillon punën pasi ka zbuluar një lidhje të caktuar ndërmjet toneve të natyrës. Tërësia e kuadrit që ndërton, përbëhet prej tonesh, të cilat e arrijnë vërtetësinë kromatike secili më vete dhe jo nga raporti i këtij toni me tërësinë.

Ndinin e ka tërhequr më tepër vjeshta nga stinët e tjera, parapëlqim ky i njohur dhe karakteristik në pikturën e tij të deritanishme. Dihet që vjeshta nënkupton “ngjyrat e pjekura”, okrat, të kuqet terra, terrat vetë, të gjelbrat e tokës dhe ngjyrat e pastra.

Në pikturën e Ndini Bardhi, drita dhe hija janë thelbësore. Ai modelon nëpërmjet dritës dhe hijes ashtu siç pikturon nëpërmjet të ngrohtës dhe të ftohtës. E ndan dritën nga hija qartë, në mënyrë opake, në zona masive.

Shkëlqimi i mjeshtërisë piktorike të Ndini Bardhit, është drita, drita e arritur në mënyrë artistike, që me dashuri ia rrëmben natyrës së bukur shqiptare me mprehtësinë e syrit të artistit të vërtetë. Është kjo aftësi gjetjesh që e kthen pamjen natyrore në art nëpërmjet një ndjeshmërie po kaq të jashtëzakonshme ndaj toneve, ndaj bukurisë së papërsëritshme tonale që paraqet pamja reale e natyrës shqiptare e zgjedhur nga ai. Për të ngrohtësia e ngjyrave dhe tonaliteti i tyre përbën esencën e një ndjeshmërie ndaj të bukurës si piktor i kompletuar dhe dinjitoz shqiptar.

Jetullah Haliti, ETI

                                                                                  Piktor, ZVICËR