16 Janar 2024

Prokuroria Speciale (SPAK) po ngushton “lakun” për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj; ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe ish-ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.

Prokurorët po thellojnë hetimet për dosjet e tyre të hapura me drejtësinë dhe përveç prangave që vetë ata rrezikojnë, mund të fundosen dhe bashkëpunëtorë të tyre të njohur. SPAK po bën hetime të thella pasurore për dyshime të fshehjes së pasurive. Janë bërë kontrolle në zyra, banesa dhe biznese, po ashtu janë sekuestruar dhe telefona.

Po hetohen importuesit dhe konsumuesit e materialeve dhe shërbimeve të shtrenjta, të pazakonta për të ardhurat e deklaruara prej tyre. Po bëhen intervista me bashkëpunëtorët dhe personat që kanë punuar në të shkuarën, apo vazhdojnë të punojnë me zyrtarët e lartë. Gjithashtu po hetohen dokumente të gjetura në shtëpitë, ndërtesat apo vilat luksoze, të ardhurat e tyre dhe faturat që kanë lëshuar për shërbimet e ofruara. Gjithashtu SPAK po analizon të dhënat përmes programeve të specializuara, po monitoron aktivitetet në rrjetet sociale dhe mediat digjitale, të personave, kompanive apo edhe institucioneve të lidhura me ta ku dyshohen aktivitete korruptive.

Dosjet e Beqajt, Krifcës dhe Xhaçkës

Koncesionet në shëndetësi mund t’i hanë kokën Beqajt, por edhe zyrtarëve të tjerë të lartë.

Ish-ministri ka disa vite që lufton me drejtësinë dhe ja ka dalë të jetë jashtë qelisë, por ditët në vijim pritet të jenë shumë të hidhur për Beqajn. Ish-ministri Ilir Beqaj hapi sezonin 2024 me disa vizita në SPAK, e teksa e hoqi mungesën e radhës për sterilizimin Beqja u ndal sërish para mafieve për dosjen SASPAK, një agjenci që e drejtoi derisa dha dorëheqjen.

Kjo çështje e regjistruar për korrupsion ndaj Ermal Kurtulaj, ngre dyshime të tërthorta dhe ndaj ish-ministrit që në dhjetor 2023 ju nënshtrua kontrollit personal dhe të banesës. Ndaj Beqajt, SPAK po bën një hetim të thellë pasuror. Burime kanë bërë me dije se SPAK dyshon se ish-ministri përmes lidhjeve me kompanitë ‘Delta Pharma’ ka tentuar të fshehë pasurinë. SPAK ka dyshime për ‘korrupsion’ dhe ‘shpërdorim detyre’ të Beqajt, por nuk ka të regjistruar një procedim, ndërkohë që ndaj tij është ushtruar kontroll në banesën e ish ministrit ku dhe janë sekuestruar telefoni, kompjuteri dhe dokumente të tjera.

Për këtë hetim, SPAK ka siguruar edhe përgjime ambientale dhe telefonike.  Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e Arben Danit (shofer i Beqajt), dhe Ermal Kurtulajt, me detyrë Koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga Agjencia SASPAC, Sabian Kurtulajt dhe Gazment Prengës. Gjithashtu janë kontrolluar firma “Delta Med” dhe restorant “Gzona” në pronësi të njërit prej anëtarëve të SASPAC. Ermal Yezeiraj avokati i ish-ministrit pranoi se Beqajt i janë sekuestruar telefonat kompjuterë dhe dokumente.

Si po “qepen” dosjet

Pas Beqajt, e rrezikuar është dhe Frida Krifca. SPAK konfirmoi së fundmi se po vijojnë hetimet për skandalin me fondet e BE.

Pak muaj më parë Brukseli ndërpreu fondet IPARD, pra paratë që shkojnë për bujqësinë, pas dyshimeve se ka abuzime dhe korrupsion, ku dyshohet se është përfshirë ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.

Bashkë me të rrezikojnë prangat dhe zyrtarë të tjerë të lartë të implikuar në shpërdorimin e parave të taksapaguesve evropianë. Mësohet se hetimet janë drejt fundit dhe shumë shpejt do të nisin arrestimet. SPAK në këtë dosje e ka shumë të lehtë të presë “fletë-arrestet” pasi ka patur një ndihmë shumë të madhe nga ndërkombëtarët. OLAF, zyra evropiane kundër mashtrimit “zbarkoi” vetë në Shqipëri dhe mblodhi të gjitha informacionet e nevojshme duke dorëzuar tek prokurorët të gjitha gjetjet e tyre.

Nga ana tjetër e rrezikuar nga SPAK është dhe Olta Xhaçka. Prokurorët janë drejt mbylljes së hetimeve për aferat me pronat në ushtri. Kjo dosje po hetohet me intensitet dhe emri më i rëndësishëm në dosje është ish-ministrja Olta Xhaçka, e cila është marrë disa herë në pyetje. SPAK-u ka përparuar shumë me zbardhjen e së vërtetës të ngjarjeve dhe përgjegjësive ligjore, të cilat i kërkojnë edhe brenda komandës ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, por edhe te pjesa politike. Aty nuk është e rrezikuar vetëm Xhaçka, por shumë zyrtarë të lartë.

Nga Elmas  BOGDANI, Gazeta Sot.