Nipi i Ismail Qemalit, Nedin Vlora: – Ndiej të njëjtat emocione si gjyshi im në 1912-ën
28 Nentor 2024
Nipi i Ismail Qemalit, Nedin Vlora ishte sot në Sheshin e Flamurit në Vlorë, ku u mbajt ceremonia e ngritjes së Flamurit.
Me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë, Nedin Vlora u takua dhe me kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, me të cilin shkëmbeu dhe një bisedë të shkurtër.
Për gazetarët, Nedin Vlora uroi festën e Pavarësisë, teksa theksoi se “ndjen të njëjtin emocion që ndjeu dhe gjyshi i tij në 1912”.
Ai uroi që Shqipëria të ketë një të ardhme gjithnjë e më të mirë.
“112 vite, është si të ishte viti i parë për mua për emocionin që shikoj kur ngrihet flamuri, është njëlloj. Është i njëjti emocion që përjetoi dhe gjyshi im në 1912. Do të doja të jepja një urim për Shqipërinë. E kaluara është e kaluar, por të shohim para të ardhmen. Uroj që Shqipëria të ketë një të ardhme gjithnjë e më të mirë. Rroftë Shqipëria e shqiptarët!”, u shpreh Nedin Vlora.