Nipi i Kadri Cakranit hedh në gjyq Alfred Moisiun pas replikës në DITA

3 maji , 2020

Pak ditë më parë DITA botoi dy replika të cilat lidhen me figurën e Kadri Cakranit.

Fillimisht ishte studiuesi Auron Tare që në një replikë me një ish zyrtar të arkivave kundërshtonte me dokumente faktin se Kadri Cakrani në burgun e Ahmet Zogut ka qenë me kushte të rehatshme.

Për këtë zoti Tare botoi kujtimet e vetë Kadri Cakranit që tregonte se si e trajtoi Zogu atë dhe familjarët e tij pas dështimit të kryengritjes së Fierit.

Duhet thënë se kjo Kryengritje që e trazoi shumë Zogun u përball me një kundër-përgjigje shumë të ashpër dhe u desh ndërhyrja e huaj për të falur disa nga kundërshtarët e Zogut nga dënimi me vdekje.

Në kujtimet e tij Cakrani përmend edhe Spiro Moisiun si “një drejtor i krishterë i devotshëm”.

Pas këtij botimi ish Presidenti Moisiu në një intervistë në DITA reagoi për këto kujtime.

Mes të tjerave zoti Moisiu shkruan: “Përpjekja për ta kthyer këtë kriminel në figurë pozitive është krejt e kotë, qoftë edhe duke botuar disa fragmente kujtimesh të tij pas kaq shumë vjetësh nga ajo luftë. Duket se ka një prapavijë të qartë dhe të organizuar mirë për ta kthyer historinë tonë përmbys…”

Pas kësaj replike ka reaguar edhe nipi i Kadri Cakranit, avokati Kujtim Cakrani, i cili thotë se do ta çojë në gjyq ish presidentin për fyerje ndaj figurave historike.

Në një reagim në rrjetet sociale ai shkruan: Nga botimi i pjesëve të kujtimeve të Kadri Cakranit, ish-presidenti i Shqipërisë z. Alfred Moisiu, ka replikuar në gazetën “Dita” mbi figurën e të atit Spiro Moisiu, ish-drejtor në burgun e Fierit ku Mbreti Zog e solli si të devotshëm nga oficer rezervist.
Në këtë replikë z. Moisiu anatemon me fjalë të dënueshme nga kodi ynë penal Komandantin e Përgj. B. Kombëtar, që në atë kohë ishte në burg, si i arrestuar për kryengritjen e Fierit.
Në vijim të një akuze të rëndë ndaj Kadri Hajredin Cakranit, nga ish-presidenti i shtetit, Studio Ligjore Cakrani po përgatit akuzën ndaj ish-presidentit z. A.Moisiu, për ta paraqitur në gjykatë në fillim të javës ardhëshme… Shpifjet, fyerjet, nxitja e urrejtjes dhe do lloj anatemimi ndaj figurave të ndritura të nacionalizmit, duhet të marrin fund përgjithmonë në këtë vend.”

Cakrani është gjithashtu avokat i Agron Tufës, i cili pasi hodhi në gjyq thuajse gjithë analistët e gazetës Dita, e braktisi gjyqin dhe u largua nga vendi duke kërkuar azil politik.

Shkrimin e Auron Tares nga nis zanafilla e debatit të fundit mund ta lexoni KETU, ndërsa replikën e zotit Moisiu mund ta lexoni KETU.

Gazeta dita