Nis ‘pushtimi’ i Tiranës nga tifozët e Romës, dhjetëra verdh e kuq vijojnë të mbërrijnë pa pushim në Rinas
Nis ‘pushtimi’ i Tiranës nga tifozët e Romës, dhjetëra verdh e kuq vijojnë të mbërrijnë pa pushim në Rinas
– 24.05.22
Në Aeroportin e Rinasit vijojnë të mbërrijnë tifozë të Romës, në kuadër të finales së nesërme të Conference League, që do të zhvillohet në stadiumin ‘Air Albania’ kundër holandezëve të Fejnord.
Në ambientet e brendshme të aeroportit, në derën hyrëse të tij, shihen qytetarë të shumtë të cilët presin anëtarët e stafit të ekipeve respektive, por edhe tifozë të ndryshëm të cilët kanë prenotuar në hotele të ndryshme të kryeqytetit shqiptar.
Ndërkohë, në ambientet e jashtme shihet një numër i madh autobusësh, njëri prej të cilëve është ai zyrtar, i cili do të presë ekipin dhe stafin e Romës, ndërsa të tjerët janë të pajtuar nga hotele apo resorte të ndryshme ku pritet të strehohen tifozët.
Kujtojmë se, gjatë ditës së sotme, rreth 100 tifozë të ekipit italian të Romës kanë mbërritur në Portin e Durrësit nëpërmjet linjës së tragetit Bari-Durrës. Tifozët kanë ardhur në mënyrë të organizuar, ndërsa policia lokale ka marrë masa për shoqërimin e tyre dhe krijimin e korsive të dedikuara për transportin e tyre drejt kryeqytetit apo hoteleve ku kanë prenotuar.
Ndërkohë pritet që mëngjesin e së mërkurës të mbërrijnë nëpërmjet linjës së trageteve mbi 350 tifozë të tjerë të ekipit të Romës, të cilët gjithashtu do të shoqërohen nga forcat e policisë.
Përveç aeroportit të Tiranës, porti i Durrësit do të jetë porta tjetër hyrëse ku pritet të vijnë disa qindra tifozë për finalen e Conference League, që do të luhet mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë.
Gazeta Shqiptare