“Nisa të këndoja që në kopsht”/ 53 vjet në skenë, Liljana Kondakçi me të njëjtin zë: Vazhdoj të dal ‘live’, nuk do ndaloj asnjëherë. (album foto).

23 Shkurt, 2020

Ajo është një këngëtare shumë e njohur në skenën e muzikës shqiptare, që i ka bërë të gjithë të ëndërrojnë me këngët e saj. Është pak nga ato raste ku artisti mund të ruajë ngjyrat e zërit të saj të dikurshëm. Edhe sot njësoj sikur doli herën e parë në skenë është një nga këngëtaret tona më të dashura për publikun mbarë shqiptarë, ajo është Liliana Kondakçi.

Liliana nuk është thjesht një këngëtare e festivaleve të këngës, por është një nga ato këngëtare që çdokush nga ne i njeh këngët e saj përmendësh. Zëri i saj natyral, një vesh absolut muzikor, ajo kishte një aftësi për të mësuar këngët shumë shpejt dhe një njeri me një zemër të madhe. Repertori i saj muzikor është kaq i madh me kaq shumë këngë të llojeve të ndryshme, sa të vjen nganjëherë çudi se si një këngëtare e vetme të këndojë kaq shumë këngë të ndryshme. Ajo ka lëvruar këngën qytetare shqiptare, këngën e muzikës së lehtë, baladën, këngën rock, çdo gjë ka kënduar Liliana Kondakçi.

Edhe ku i jepnin këngë të cilat nuk i shkonin vokalit të saj, ajo i këndonte gjithmonë për të mirën e punës. Për të treguar për Lilianën dhe repertorin e saj duheshin shumë puntata dhe është e pamundur në vetëm një pjesë të tregojmë për muzikën dhe këngët që ajo këndoi, ndaj sot në Festën e Këngës Shqiptare ne jemi shumë krenarë për pjesëmarrjen e Lilianës në këtë eveniment, ashtu si për shumë këngëtare të tjera. Liliana këndon në një lokal në Durrës “Live”, ku është shumë e pëlqyer nga publiku, që vazhdon të dëgjojë me admirim këngët e saj.

Këngëtarja këndon në 10 gjuhë të ndryshme dhe është bërë shembull për të gjithë turistët që kalojnë në Durrës, agjencitë i çojnë të gjithë turistët të dëgjojnë Liliana Kondakciun.

Në një intervistë për ‘Na ishte një herë muzika’, një emision muzikor në News24, drejtuar nga kompozitori Gjergj Leka, Liliana Kondakçi tregon se si ka nisur të këndojë, që kur ishte në kopsht dhe se si kompozitori Pjetër Gaci e zbuloi në moshën 14-vjeçare ku këndoi në festivalin në radio televizion, për të mos u ndalur asnjëherë.

Edhe tani që po merr pjesë në Festën e Këngës Shqiptare ajo thotë se ka të njëjtin emocion, edhe pse kanë kaluar 53-vjet nga dalja e parë në skenë ëndrrat për të qenë prezent në skenë nuk shuhen asnjëherë, thotë këngëtarja-është një mrekulli të jesh artist. Për Festën e Këngës Shqiptare këngëtarja Liliana Kondakçi sjell këngën ‘Zogu i bardhë’, një këngë që nuk është fare e dëgjuar. Është një këngë fituese e anketave muzikore, një kompozim i Bardhyl Danit me tekst të Xhuliana Jorganxhi. Edhe pse një këngë e kënduar në anketat muzikore kjo këngë ka mbetur në kujtesën e artistëve, e thjeshtë dhe më një tekst shumë të bukur, ajo edhe sot vjen njësoj si atëherë.

(da.xha/BalkanWeb)