Nisin problemet, Spanja paralajmëron bojkotimin e Samitit të Zagrebit

29 Janar 2020

Spanja kërcënon se do të bojkotojë Samitin e Zagrebit për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burime të besueshme në Madrid, Zagreb dhe Bruksel.

Sipas tyre, zyrtarët spanjollë i kanë paralajmëruar mikpritësit e samitit të ardhshëm se nuk do të marrin pjesë në takimin ku Kosova ka pjesëmarrje të barabartë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Po sipas burimeve, diplomatët e vendeve tjera të Bashkimit Europian janë njoftuar tashmë se Spanja mund ta anashkalojë Samitin e Zagrebit. Samiti mes përfaqësuesve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6-7 maj.

Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Qeveria në Madrid e ka sfiduar pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në të gjitha tubimet e nivelit europian. Ajo edhe më parë ka bojkotuar takime të ngjashme.

Në vitin 2018 në Sofje, kur është mbajtur Samiti me Ballkanin Perëndimor, i pari pas 15 vjetësh, Madridi zyrtar nuk ka marrë pjesë për të njëjtat arsye. Në një takim joformal të ministrave të jashtëm të BE-së dhe rajonit, i cili u zhvillua në Helsinki gushtin e kaluar, ministri i atëhershëm i punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borrell, u largua nga salla për shkak të pranisë së ministrit të Kosovës.

Asokohe, ai nuk ka qenë i emëruar për pozitën e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së. I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, për problemet e mundshme në organizimin e samitit për shkak të pjesëmarrjes së barabartë të Kosovës, kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokovic, tha se nuk është e lehtë të përputhen interesat e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

“Kur ka interesa të ndryshëm, atëherë negociohet gjatë”, tha Jandrokovic, i cili ka konfirmuar se kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviç, është në kontakt me të gjithë liderët evropianë rreth organizimit të samitit.

Jandrokovic po ashtu tha se Qeveria e Kroacisë do të bëjë gjithçka të mundur për t’iu dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor perspektivë të qartë europiane. “Jo të gjitha vendet e BE-së kanë një qëndrim dhe entuziazëm të tillë. Ne do të flasim në interesin më të mirë të fqinjve tanë” ka thënë mes tjerash ai.

©Copyright Gazeta SHQIP