Një cep i yllit… ose Leni Mërkuri e grupit të Pilurit…

Nga: Timo Merkuri.

Në qoftë se grupin “Bejka e bardhe” të Pilurit do ta çmonim si një yll në qiellin e iso-polifonisë shqiptare, hedhësen e këtij grupi, Leni Mërkurin patjetër do ta vlerësonim si një nga cepat e këtij ylli që bashkë me dritën mbi vend, lëshon këngën mbi zemrat tona.

Ishte dymbëdhjetë vjeçe nxënëse shkolle atë vit të largët të 1970, kur u ngjit për herë të parë në skenë për të kënduar me grupin e të rriturve këngën “Bilibili që dëgjon bota”, këngë në të cilin këndoi si hedhëse. Me qënë se jo të gjithë lexuesit e kuptojnë se çështë hedhësi i grupit iso-polifonik, le ta sqarojmë me pak fjalë: është zëri më i vështirë i këngës pilurjote. Është zëri që mba ekulibrin e gjithë zërrave në grup, që ngre këngën kur ajo “lodhët” apo “kotët”, ashtu si vajtorja me përvojë në grupin mortor që, kur sheh se vajtorët e tjera janë lodhur dhe kanë ulur tempin e vajtimit, ajo me një “klithmë” vajtimi e “shkund” grupin mortor dhe vendos ekuilibrin mes vajtoreve.

Leni Mërkuri e grupit të Pilurit…

Hedhësi në këngën iso-polifonike ndërhyn në këngë vetëm tr-katër herë me zërin e tij si “klithmë” vertikale, por këto momente janë vendimtare për këngën, e ngrenë atë në qiejt e realizimit ose e fundosin në baltën e dëshitimit.

Me qënë se jo të gjithë lexuesit e kuptojnë teknikën e zërave të këngës iso-polifonike, po e sqaroj në një mënyrë tjetër. Të gjitha aniet kanë dyrekun kryesor, i cili lidhet nëpërmjet kavove apo litarëve me kiçin, bashin dhe anët e anise, duke e shndruar gjithë anien në një trup të ekulibruar, që nuk përmbyset nga dallgët edhe kur e godasin anash. Gjithashtu te ky dyrek lidhen edhe velat, të cilat mbledhin erën e detit dhe, duke e përqëndruar në bazën e velave, pranë trupit të anies, forcën e saj, i jep anise forcë shtytëse dhe ekulibër.

Këtë bën edhe “hedhësi” në këngën iso-polifonike, mbledh këngën dhe forcën e zërave të saj, të cilën e vë në funksion të “lundrimit” të këngës nëpër detit e iso-s. Dhe deti i isos pilurjote është dallgë fortë e dallgë shumë. Këtë bën edhe Leni Mërkuri në këngën pilurjote. Megjithatë, i ndërgjegjshëm se jo të gjithë lexuesit kanë dijeni mbi teknikat e ndërtimit të anieve dhe lundrimit të tyre, unë ju ftoj që të mirni një këngë pilurjote në

YouTube, ku të jetë Leni Mërkuri në rolin e “hedhëses” dhe të ndiqni ndërhyrjet e saj “hedhëse” në këngë.

Leni Mërkuri, me plot gojën mund të themi se është një gjeni polifonie, sepse jo vetëm që realizoi me sukses “hedhjen” e këngëve, por edhe pse krijoi një tjetër tipologji hedhjeje në momentin kur kënga shtrohet (ulet tonaliteti i saj). Ajo krijon me zërin e saj një ngritje vertikale me tre-katër shkallë kulmore dhe rikthehet prap tek tonaliteti bazë i isos, një ngritje kjo mjaftë e vështirë në këngën iso-polifonike. Njësojë si balerini në patinazhin artistik të bëjë në ajër tre-katër rrotullime dhe pastaj të rrëshqasë normalisht mbi akull. Dhe këtë ta bëjë në mes të një grupi balërinësh që patinojnë bashkë me ‘të. Leni Mërkuri ka një zë metalik mjaft të fortë melodioz dhe dinamik. Dhe sikur kënga të “sëmuret”, “ injeksioni” që i jep ajo është me efekte si kortizon dhe kënga ringjallet menjëherë…thotë Kristo Çipa, Mjeshtër i Madh, përgjegjës i grupit “Bejk’ e bardhë”.

Leni Mërkuri e filloi karierën si hedhëse duke zvendësuar Luiza Çipën, një tjetër talent nga Piluri, por që qëndroi pak kohë në grup. Në prill të vitit 1970 Leni Mërkuri si hedhëse dhe Ermioni Mërkuri si marrëse kanë interpretuar këngën për vdekjen e Gogo Nushit. Që nga ai moment dhe deri në vitin 1978 Leni Mërkuri ishte hedhësja kryesore e grupit të Pilurit, derisa u zvendësua po nga një tjetër talenr i rrallë në këtë funksion, nga këngëtarja Vitori Mërkuri.

Leni Mërkuri ka në “biografinë” e saj “ hedhjen” e dhjetra e qindra këngë, si kënga për Gogo Nushin, Zaho Kokën, Llambro Andonin, Këngën e Vlorës, Këngën e dëshmorëve, këngën “Zoga kaçake në male”, “Këngët e Atdheut tim”, “Kuac e kuqe” etj.

Leni Mërkuri ishte bërë e pa zvëndësueshme në grupin e Pilurit dhe prania e saj impononte siguri suksesi te antarët e grupit. Kristo Çipa na tregon se : Në nëntorin e vitit 1974 Leni ishte nxënëse në teknikumin e ndërtimit në Korçë dhe grupi i Pilurit do këndonte në Tiranë këngën “28 mijë yje”. Marësja e papërsëritëshme e kësaj kënge Katina Mërkuri “Mjeshtër i Madh’, menjëherë sa konstatoi mungesën e Leni Mërkurit pranë grupit, protestoi tek grupi dhe deklaroi se nuk do e këndonte këngën pa praninë në grup dhe në rolin e “hedhëses” të Leni Mërkurit. Protesta e saj, e mbështetur nga grupi bëri që zvministri i kohës i kulturës Mantho Bala të urdhërojë drejtorin e shkollës në Korçë të niste urgjent për në Tiranë nxënësen Leni Mërkuri ‘’për një problem të madh”. Prania e saj në grupin që këndoi në Tiranë, në rolin e hedhëses bëri qëe të lindëte ajo mrekulli iso-polifonike e padëgjuar më deri më sot.

Leni Mërkuri e grupit të Pilurit…

Leni Mërkuri është edhe një marrëse dinamike dhe mjaft mirë e artikuluar. Me grupin e Pilurit ka kënduar refrenin “Hënëz e qiellit të gjerë”, me grupin e bregdetit të Himarës ka kënduar këngën “Zura një mike suljote” dhe ” Vajz’ e valeve” (kënga më e klikuar në youtub me rreth 700000 klikime).

Me grupin “Bejk’ e bardhë” ka kënduar këngën: “Këngën ma vini kuror”, “Gjeniu gjirokastrit”, këngën për Petro Markon, këngën për Vlorën, e të tjera. Në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 2009 ka marë çmimin e I si “hedhëse” e këngës iso-polifonike.

Unë do tju them se ajo ka kënduar monofoninë brilante: “Lamë dheun morrëm baltën” e cila në Festivalin Folklorik të Vlorës, me tekst të Kristo Çipës. Vërtet ka ca kohë që monofonia ka dalë nga hershmëria e artit oral shqiptar dhe është ngjitur në skenë nga antarë të grupit të Pilurit. Pak veta e njohin këtë tip kënge të stërlashtë që është më afër vajtimit se sa këngës dhe që ngjan më shumë me logatjen se sa këngë të mirfilltë. Të interpretosh këtë tip kënge duhet të jesh mjeshtër i këngës iso-polifonike dhe njohës i madh i “jetës” apo rrugëtimit të saj. Leni Mërkuri është rritur me këngën dhe e njëh më së miri atë.

Thamë se monofonia është më pranë vajtimit se sa këngës, por te grupi i Pilurit, pas përvojës së poetit Leftër Çipa, “Nder i Kombit”, tekstet e këngëve i ka marë në dorë poeti tjetër Kristo Çipa, “Mjeshtër i Madh” duke i ngritur ato në një nivel artistik të admirueshëm. Ju ftoj që të ndiqni tekstin e monofonisë “Vaj për Atdheun”:

Vaj për Atdheun

(monofoni).

Teksti Kristo Çipa “Mjeshtër i Madh”

Ku janë nisur e shkojnë

detet në këmbë i kalojnë

duan dritë por s’shikojnë

në natë një jetë rrojnë

se ky atdheu që patëm

asnjëherë se hoqi natën

në kurbet nga do që vajtëm

lamë dheun morëm baltën

O ti dheu me bunkerë

I burgosur je për herë

buzë plasur o i mjerë

s’të pashë të qeshur një herë

Kur buzëqeshur të jini

nga dheu eni më nxirrni

Leni Mërkuri ka kënduar si “hedhëse” në rreth 60 këngë me grupin “Bejk’ e bardhë” dhe dëgjuesit shprehen se…nuk mund të rreshtin së dëgjuari këngën e Leni Mërkurit..

Grupi Folklorik i Pilurit

Për merita të spikatura është dekoruar në vitin 2016 me “Urdhërin Naim Frashëri” të Artë dhe , ka marë titullin ”Personalitet i shquar i Laberisë”, ndërkohë që Bashkia Himarë ka vlerësuar me Çertifikatë Mirënjohjeje” gjithë antarët e Grupit “Bejk’ e bardhë” të Pilurit.

Sarandë, më 15.12.2020