Një e treta e punësimeve në administratë civile “të paligjshme”
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, institucioni që monitoron punësimet e administratës civile në Shqipëri, konkludon se 30 për qind e të gjitha marrëdhënieve të punës të verifikuara nga institucionet e shtetit janë kryer në mënyrë të paligjshme, me emërim të drejtpërdrejtë nga titullari i institucionit dhe pa konkurs.
Perceptimi për padrejtësi në procesin e punësimit dhe pushimeve nga puna në administratën shtetërore dhe në veçanti në atë pjesë të vogël të administratës që mbulohet nga statusi i nëpunësit civil është i gjithëpërhapur në Shqipëri, por tashmë një raport i dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë nga vetë Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil e konfirmon këtë perceptim duke konkluduar se 30 për qind e të gjitha rasteve të inspektuara kanë zbuluar raste të punësimeve me “urdhër titullari” dhe jashtë procedurave të ligjit.
“Nga pikëpamja statistikore, rezulton se gjatë vitit 2017, në institucionet e kontrolluara, janë verifikuar marrëdhëniet e punësimit për 2803 punonjës në pozicione pune që janë pjesë e shërbimit civil, nga të cilat 1964, kanë qenë marrëdhënie të rregullta punësimi, të lidhura në një nga mënyrat që parashikon ligji për nëpunësin civil dhe 839 prej tyre, ose rreth 30% e pozicioneve të punës pjesë e shërbimit civil, kanë qenë të lidhura nëpërmjet një akti të thjeshtë emërimi, të nxjerrë nga titullari i institucionit, në kundërshtim me ligjin”,- thuhet në raportin e publikuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Raporti 136 faqësh përgatitet çdo vit dhe dorëzohet në Kuvend që nga viti 2015, kur filloi funksionimi i ligjit të ri të nëpunësit civil, i cili u miratua në vitin 2013, por u shty në zbatim për dy vite me vendime të debatuara gjerësisht nga ana e qeverisë aktuale dhe akuzave se synimi i shtyrjes së zbatimit ishte krijimi i hapësirës ligjore për punësime politike.
Komisionerja aktuale, Pranvera Strakosha është zgjedhur me votat e shumicës parlamentare aktuale në vitin 2014.
Raporti i vitit 2017 flet haptazi për pozicione pune të plotësuara në kundërshtim me ligjin dhe e bërë kjo në shkallë të gjerë ndërsa thekson problemet e krijuara nga punësime të tilla si dhe nga fakti që ka vende të paplotësuara pune në administratën publike, gjë që krijon ngarkesë mbi të punësuarit e rregullt duke ndikuar “në rënien e nivelit të shërbimit ndaj qytetarëve, si në drejtim të cilësisë, ashtu edhe të zbatimit të afateve ligjore”.
Institucionet publike dhe kompanitë nën pronësi publike janë përgjegjës për rreth 164 mijë vende pune nga 600 mijë të punësuar me pagë që numërohen në vend. Institucionet e administratës qendrore kanë 81 mijë të punësuar dhe nga këto, rreth 9 mijë vetë i përkasin punonjësve me status të nëpunësit civil, status që përbën një gradë me nivel më të lartë mbrojtjeje ndaj shkarkimeve nga puna si dhe me kritere më të forta përzgjedhëse se sa punonjësit e shtetit pa status civil.
Raporti i komisionerit tregon se ky institucion ka verifikuar rreth një të tretën e të gjithë të punësuarve me këtë status, pra 2,803 punonjës dhe ka gjetur 839 të punësuar në mënyrë të paligjshme.
“Edhe pse ligji aktual për nëpunësin civil e konsideron si absolutisht të pavlefshëm aktin e emërimit, pa kryer më parë procedurat e konkurrimit, përsëri kjo praktikë aplikohet në një nivel relativisht të lartë, sidomos në institucionet e administratës vendore, ashtu si e analizuam edhe më sipër”,- thuhet në raport.
Raporti nuk bën të ditur se në cilat institucione janë vërejtur këto raste të emërimeve të drejtpërdrejta nga titullarët e institucionit në kundërshtim me ligjin dhe as ndonjë masë të marrë kundër këtyre titullarëve.
Punësimet në administratën publike të mbështetësve politikë janë një debat i vazhdueshëm në Shqipëri. Edhe pushimet nga puna për të njëjtën arsye i kushtojnë shqiptarëve dhjetëramilionë euro në vit për shkak se të pushuarit nga puna zakonisht shkojnë në gjykatë ku marrin dëmshpërblime për pushime të padrejta dhe shpesh, urdhra për rikthim në punë.
Megjithatë, rikthimi në punë me vendim gjykate rrallë herë zbatohet. Sipas raportit, gjatë vitit 2017 ka pasur vetëm një rast kur një i rikthyer me vendim gjykate e ka marrë me të vërtetë pozicionin.
Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi se, ndryshimet rrënjësore të strukturave të administratës publike janë rruga kryesore e ndjekur nga palët politike për të krijuar zhvendosje, transferime, pushime të drejtpërdrejta apo të tërthorta nga puna dhe krijim të vendeve vakante të punës që mund të plotësohen me të tjerë./BIRN/