Një kod unik për çdo shtëpi, si do ndryshojnë adresat e banesave dhe bizneseve
11 Nentor 2022
Çdo shtëpi dhe biznes do të ketë një kod unik. Ky është propozimi që vjen nga Ministria e Brendshme në projektligjin për një ndryshim në sistemin e adresave në Shqipëri.
Sipas këtij propozimi sistemi i adresave, kodi unik i shtohet 8 elementeve që kanë funksionuar deri më tani, emri e bashkisë, ai i njësisë administrative, emri i qytetit ose fshatit, i bulevardit ose rrugës, numri rendor i ndërtesës e i hyrjes si dhe kodi postar.
Sipas propozuesve ky kod ka për synim lehtësimin e memorizimit të adresës për qytetarët dhe krijimin e mundësisë për aksesimin e herëpashershëm të dokumentit unik shtetëror, pra Regjistrit Kombëtar të Adresave, që përmban elementët përbërëse të adresës.
Gjithashtu, kodi unik nevojitet për të pasur një vlerë të minimizuar të shkëmbimit të informacionit midis databazave kombëtare.
Mënyra e krijimit si dhe përshkrimi i detajuar teknik i Kodit Unik do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Dokumenti është ende në fazë konsultimi dhe pritet që në fillimin e vitit të ri të kalojë në Kuvend dhe më pas të hyjë në fuqi.
Gazeta Dita