4 Tetor 2022

Kodet e mirëkuptimit të popujve

Kur në gjysmën e dytë të shek. XIX, engjëlli mbrojtës i shqiptarëve Naim Frashëri, do të shkruante në gjuhën greke poemën ”Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” dhe pak kohë para tij Rigas Ferajo, poeti i madh ëndërrimtar dhe idealist grek, do t’i këndonte miqësisë së popujve ballkanikë, jam i bindur se përveç vetëdijes së lartë qytetare dhe emancipuese që ata jepnin për kohën, bëheshin edhe zëdhënës të popujve që u përkisnin ose më saktë, zbërthenin kodet e popujve. Sepse popujt kanë kodet e tyre të komunikimit dhe mirëkuptimit, herë të qarta e dukshme, herë-herë të mjegullta, me simbole nga më të çuditshmet.

Ballkani ynë i vogël, ky gadishull mitik, me popuj dhe kultura magjepse, që prej mijëvjeçarëve vazhdon të rrezatojë jo vetëm në Evropë pjesë e secilës është, por edhe në botë  një art të papërsëritshëm, ka qenë edhe i mbushur me grindje, sherrnaja nga më absurdet, luftra, përgjakje.

Lexoni poezinë popullore ballkanase, rapsoditë, eposin e popujve të këtij gadishulli apo letërsinë e krijuar në të dhe do të gjeni të pasqyruar dramat ballkanase në shekuj.

E megjithatë, po t’u rikthehemi kodeve të komunikimit, popujt e Ballkanit, kanë ditur, që përtej acareve të politikave përçarëse, ideologjive ekstremiste nacionaliste, stinëve të shpeshta të përgjakura që kanë shoqëruar historinë e tyre, të mirëkuptohen mes vedit. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ballkanasit e sertë, por edhe të mençur,  kanë ditur të japin dhe marrin mes tyre. Një këngë, valle, melodi befas natyrshëm kapërcente kufijtë e një fshati të humbur malor dhe qindra kilometra më në Jug, veri,lindje apo perëndim, bëhej pjesë e kulturës shpirtërore të atij vendi…

Kështu ka ndodhur edhe mes shqiptarëve e grekërve, veçanërisht në zonat skajore të tyre, apo në sinoret e ndara, apo të pandara me gurë.

Shumë vite më parë, duke ndjekur në qytetin e Durrësit  shfaqjen e një grupi popullor nga Greqia fqinje, kam ndjerë emocione të papërsëritshme, kur valltarët e talentuar grekë, kërcyen mahnitshëm vallen ”çamiko”, pra vallen e çamëve të Thesprotisë. Unë mbaj mend, që në dasmat çame në qytetin e vogë të Rrogozhinës, këndoheshin dhe kërceheshin edhe këngë e valle popullore greke. Në një nga kasetat e DVD, me këngë e valle popullore greke,  që unë i dëgjoj e shoh shpesh në shtëpinë time në Tiranë, më emocionon sa herë e dëgjoj një këngë për valltarin çam dhe trimin kundër pushtuesit turk, Osman Taka.

…. Të gjitha këto përsiatje apo meditime, më shoqërojnë sa herë që lexoj një letër që vjen përtej brigjeve të lumenjve mitikë Kalama dhe Aheron. Letra është marrë nga libri ”Margariti” (Athinë 1989, f. 125), shkruar nga Tula Stefanidhu (Malakata).

Rrëfimi i parë

Mbaj mend, mund të ketë qënë viti 2005, kur punoja në Muzeun Historik Kombëtar, më telefonuan nga recepsioni, se më priste një zotëri. Zbrita me nxitim shkallët dhe u gëzova, kur pashë Petrit Demin. E takova dhe i thashë që të linte biçikletën brënda atriumit të muzeut. Do të ulemi për një kafe, i thashë. Do ta pimë herë tjetër kafenë, më tha Petriti, por sot kam ardhur për të të dhënë një letër. E pyeta, se nga vinte kjo letër. Vjen nga Çamëria, tha. Nga Margëlliçi, shtoi, duke më zgjatur një fletë A4. Është për mua, pyeta. Është për të gjithë ne çamët, shtoi. Lexoje, më tha. E kam përkthyer nga greqishtja. Libri quhet “Margariti” dhe është botuar në Athinë, ki libër. Autorja është Tula Stefanidhu. E njeh, pyeta befas unë. Jo, jo, tha Petriti, por kur ta lexosh do të duket se e ke takuar prej kohësh dhe e njeh edhe ti.

E përcolla dhe kur u ndamë e falenderova. Ai më përqafoi dhe më tha, se do të vinte ndonjë ditë tjetër dhe do të më fliste për Selmanin, xhaxhanë e babait tim, darkën e fundit, që kishte ardhur në shtëpinë tonë, me disa partizanë të EAM-it, në fillimars të vitit 1945.

Letrën e lexova në hijen e ullinjve, që ishin në oborrin e brendshëm të Muzeut Kombëtar. E lexova disa herë. Ndoshta edhe me zë. Ishte një letër e shkurtër, por që çdo fjali, jepte informacione dhe mesazhe, që vinin nga thellësitë e viteve. Ajo i fliste të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes. Them të shkuarës, sepse Tula Stefanidhu, i rikthehet fëminisë së saj dhe kujton shoqen e saj, çamen e bukur, që “të vogla ktheheshin në ovorua dhe loznim me guralecë”. Si quhet kjo vajzë çame ose motra e saj, siç shkruan Tula Stefanidhu? Petrit Demi nuk ma tha emrin e vajzës çame.

Në vitin 2006, historiani i njohur Hajredin Isufi, në librin “ÇAMËRIA, Studime historike-Sociologjike Shek XIII-XX”, e boton këtë letër në gjuhën shqipe dhe faximilen në gjuhën greke, me këtë shënim: (Marrë nga libri i Tulla Stefanidhu(Mallakata): “Margariti”, Athinë, 1989, f.125).

Jo vetëm kaq, por ai shton edhe këtë fakt:

“Lidhur me këtë, pa dashur të bëj komente, le t’i njohim lexuesit me një letër, që një e krishterë margëlliçote, i dërgonte shoqes së fëminisë së saj, që ishin bërë motra. Ato i ndau lufta. As njera dhe as tjetra nuk dinte gjë për fatin e tyre. E krishtera nga Margëlliçi, ato që ndjente në zemrën e saj, për motrën çame, i shkroi në një letër, e cila shpreh më shumë se çdo koment e analizë, që do t’i bëhej kësaj letre.

Letra e Tula Stefanidhu (Malakata)

Bashkatdhetar, që kthehesh nga Shqipëria! Mos ke mësuar vallë për motrën time? Si ne, çame, nga vendet tona është. Jam e pikëlluar. Asnjë nuk di pas kaq shumë vite që kanë kaluar.

Bashkatdhetar! Ti, që je kthyer para do kohe nga Shqipëria, mos vallë e di në se rron ende motra ime e dashur?

Ishte truppakë, sygështenjë. E bukur. E martuar së vogli. Bijë e vetme mes katër vëllezërve. Dhe s’kishte mbushur motin, që kishte lindur një vajzë. E pamësuar ishte me vështirësitë e jetës.

Të vogla, ktheheshim në ovorua dhe loznim me guralecë. Në sterenë e madhe ulnim kokat dhe thërrisnim të dëgjonim jehonën e zërave tanë.

Motmoti besimi nuk na ndante, kisha dhe xhamia na bashkonin. Një miqësi e lashtë i lidhte familjet tona.

-Ta ketë duruar rrugën e mërgimit?

– Mendoj se po, jeton- përgjigjet zemra e përmalluar. Por, vitet kalojnë pa lajme dhe gjithçka e bren dyshimi dhe ankthi.

Dhe ja, dyzet e ca vjet më pas, nga Shqipëria vjen një letër e përmortshme, bukur shkruar nga vëllai i madh.

Në fillim për të afërmit pyet: Kush rron? Kush nuk është më? Dhe në fund vijnë vuajtje pa fund:

”Sapo lamë vatrat tona, rrugës na vdiq motra jote. Ishte vetëm njëzet vjeç. Dhe nuk vonuan ta ndiqnin e bija dhe i shoqi.

Vdiq edhe i ndjeri baba me gjyshen. Të pambaruara qenë lotët e hidhërimit para se të arrinim të shlodheshim diku.”

Letër e kobshme! Kaq vjet zëmërdridhur, kaq vjet dyshimet largoja.

O zot! Sa të tmerrshëm, sa të neveritshëm gjakëtarët, tiranët, paranojakët që vunë popujt të vriten dhe nuk i lanë të rrojnë me dashurinë e zemrën për njëri- tjetrin.

Në vend të një komenti 

Por dy fisnikët kuaj lotonin

Mbi veprën e pandreqshme më, të vdekjes.

Kavafis

Motra ime,

Merrmë dhe mua me vehte

Në natën pa tinguj.

Janis Ricos

Është një letër tronditëse, e shkruar me dhimbje, dashuri,pathos,  humanizëm… Është një letër mesazh, më e vërtetë se e vërteta, më tragjike se tragjikja. Atje shpaloset drama e një populli, që u bë pre e nacionalizmit ekstrem, që u penalizua në masë, që nga fëmija i pafajshëm e deri tek plaku i pafuqishëm dhe i sëmurë. Tula Stefanidhu (Malakata) u flet bashkëkombësve të saj, troket në ndërgjegjen e trazuar të atyre që bënë krime monstruoze,  apelon  për drejtësi e humanizëm, rikujton të pafajshmen, motrën e saj çame, miqësitë e ndërprera nga dhuna mizore.  Tula Stefanidhu (Malakata) të drithëron me sinqeritetin e saj dhe zërin revoltues në fund të letrës: ”O zot! Sa të tmerrshëm, sa të neveritshëm gjakatarët, tiranët, paranoiakët, që vunë popujt të vriten dhe nuk i lanë të rrojnë me dashurinë e zemrën për njëri- tjetrin! ”

Popujt tanë kanë nevojë për mesazhe si ajo e znj. Stefanidhu. Unë jam nga ata që besojnë në miqësinë njerëzore… Unë jam nga ata që adhuroj kulturën e madhe greke… Jam nga ata që lexoj dhe rilexoj ”Antologjinë e poezisë greke”, ndërsa në bibliotekën personale shumë vepra të autorëve grekë, që nga Homeri i madh deri tek Kazanzaqi, Kavafis, Samaras, Ludemis, Seferis, Papas, Ricos, etj, etj. Unë nuk urrej. Të parët e mi, që janë lindur e rritur pranë brigjeve të lumit Kalama, më kanë folur e më flasin për miqësitë me familjet ortodokse çame, familjet greke dhe ato vllahe të Çamërisë. Unë nuk urrej. Sepse Tula Stefanidhu (Malakata) nuk urren. Popujt kanë nevojë për zëra si ajo e znj Tula. E ardhmja u përket këtyre mesazheve. Lum ata politikanë, intelektualë apo klerikë që i kuptojnë mirë kodet që vinë nga brigjet thesprote dhe Greqia e demokracisë dhe e kulturës… Jetojmë në një epokë globale, të lirisë, demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut, qarkullimit të lirë të njeriut, respektit reciprok.

Jam i bindur se zëri i Tula Stefanidhut (Malakata) nuk është i vetëm në Greqinë fqinje. Unë nuk e njoh këtë grua e nënë. Nuk kam parë në ndonjë foto as portretin e saj… E megjithatë jam i bindur se ndonjë ditë, po të më jepej mundësia të kapërceja lumenjtë Kalama e Aheron, të shkoja në Margëlliç (Margariti) e më tutje, në Athinë, do ta njihja atë mes mijëra grave e nënave greke. Sepse Tula Stefanidhu (Malakata) është një nënë e mirë greke e ballkanase, siç janë edhe nënat shqiptare, edhe nënat serbe, boshnjake, malazeze, maqedonase, bullgare, rumune, turke… Ne, ballkanasit, kemi nevojë për këta zëra nënash, kemi nevojë për kodet e mirëkuptimit të popujve tanë.

Rrëfimi i dytë

Në qytetin e vogël të Rrogozhinës, në skajin perëndimor të tij, gjatë viteve të uftës Civile, në Greqi, u vendosën shumë familje. Ishin partizanë të EAM-it.

Mbaj mend, ndoshta mund të ketë qenë viti 1959, kur pas amnistisë së qeverisë greke, ata u riatdhesuan. Ka qenë shtator dhe binte shi i qetë, kur partizanët grekë, me gratë e fëmijët, por edhe bagëtitë, hipur në makina të hapura ushtarake, kaluan përmes qendërs së qytetit. Nuk do t’i harroj kurrë, megjithëse isha fëmi, fytyrat e tyre të trishtuara, velenxat e hedhur krahëve dhe duart që i ngrinin lart, për t’u thënë lamtumirën dhe përshëndetur banorët, që i kishin mirëpritur në qytetin e tyre të vogël. Në Rrogozhinë, e vetmja familje që mbeti dhe nuk u largua atë ditë me shi, ishte ajo Strugari, nga Filati i Çamërisë. Do të shkruaj herë tjetër për familjen Strugari, për Poliksenin, gruan e mirë dhe Dhimitrin, djalin e saj të vetëm, që e kam patur nxënës në shkollën e mesme të Rrogozhinës. Polikseni i rriti me sakrifica djalin dhe vajzën, pasi i shoqi ish partizan i EAM-it, vdiq në qytetin tonë të vogël. Babai im, i cili asnjëherë kur unë isha mësues nuk ka ndërhyrë për këtë apo atë nxënës, sepse ai nuk e bënte kurrë këtë, të vetmen ndërhyrje që mbaj mend ishte për Dhimitrin, djalin e Poliksenit. Mbaje afër dhe ndihmoje atë. U thuaj dhe mësuesve të tjerë që ti i ke shokë, që ta ndihmojnë Dhimitrin, më tha babai dhe pastaj shtoi:”Familja jonë ka patur miqësi me Panajot Strugarin, që ka qenë partizan me EAM-in. Në marsin e vitit 1945 Panajoti na mori në mbrojtje të gjithëve, pas vrasjes së Selmanit në Spatar. Ishte ai, që mes bandave zerviste që dilnin rrugës, na përcolli deri në kufirin me Shqipërinë. Dhimitri është nga gjaku i tij. Panajotin nuk kemi ku ta gjejmë, sepse është në Filat. Dua që mirënjohjen t’ja shpërblejmë me ndihmën që do t’i japësh Dhimitrit si nxënës…”.

Polikseni, djali dhe vajza e saj u larguan nga Rrogozhina, nëfillim të viteve ’90. Nuk e di nëse jeton apo jo, gruaja fisnike Polikseni. Nëse jeton, do ta përshëndesja nga larg dhe do t’i uroja shëndet. U bënë mbi 30 vjet, që nuk e kam parë Dhimitrin, ish nxënësin tim, që babai im më dha porosi të veçantë, që të kujdesesha për të. Fjalët e babait tim ishin më shumë se amanet. Ishin mirënjohje për familjen Strugari dhe Panajotin, që u shpëtoi jetën të parëve të mi, duke i përcjellë deri në kufi me Shqipërinë, në marsin e largët të vitit 1945. Tula Stefanidhu, me letrën e saj, bëri që t’i rikthehem këtij rrëfimi.

Komenti i fundit

Historiani i mirënjohur, Hajredin Isufi, në librin “ÇAMËRIA, Studime historuike-Sociologjike Shek XIII-XX”, është i pari, që trajton me seriozitet, mbështetur në dokumente dhe të dhëna të tjera, marrëdhëniet e myslimanëve me të krishtetrët në Çamëri, si dhe me grekët dhe vllehët. Tula Stefanidhu, në letrën e saj shkruan: “Motmoti besimi nuk na ndante, kisha dhe xhamia na bashkonin. Një miqësi e lashtë i lidhte familjet tona”.

Këtë të vërtetë të madhe e pohon edhe historiani Hajredin Isufi në librin e sipërcituar, ku shkruan: “Bashkëjetesa dhe harmonia vëllazërore mes dy komuniteteve në Çamëri, është aq e hershme, sa historia e tyre… Dasitë fetare asnjëherë nuk u bënë pengesë tek shqiptarët myslimanë, që të jenë në krah të krishterëve, në ditë të mira dhe të vështira e anasjelltas. Kjo dukuri gjen shprehjen e vet në shumë burime historike”.

Historiani, Hajredin Isufi, risjell një bisedë me një të krishter nga Çamëria: “E vërteta është se të rinjtë çamë, qofshin të krishterë apo myslimanë, që nuk kanë përjetuar ato periudha, kanë mungesë të plotë informacioni, për lidhjet miqësore, mes paraardhësve të tyre myslimanë e të krishterë në Çamëri. Urrejtja e armiqësia, që qarqe të caktuara politike dhe fetare janë përpjekur të nxisin e propagandojnë, duke kujtuar e treguar vetëm vrasje e përdhunime, madje edhe mburrje, se kush ka vrarë më shumë, e ka zbehur imazhin e vërtetë të bashkëjetesës vëllazërore, mes dy besimeve në Çamëri, që ishin jo vetëm miqësore, por edhe në lidhje gjaku”.

Nga Enver Kushi

Gazeta Dita