Një monument kulture në degradim. –
Një monument kulture në degradim. –
Nga Aleksandër Papa
Kisha Fjetja e Shën Mërisë në fshatin Bishqethëm është lënë në harresë totale dhe çdo ditë po shkatërrohet: mure gati të bien, trarë të kalbur e gjysmë të rënë që mbahen me shtylla provizore, çatia vende-vende e hapur dhe reshjet e shiut bien në brendësi. Para syve tanë, po humbasin vlera të jashtëzakonshme të kulturës sonë kombëtare, të pikturave murale e freskave të jashtëzakonshme që zënë krejt sipërfaqet e mureve, deri edhe tavanet e punuar nga duart e mjeshtërve gdhendës të drurit e që mbulojnë me zbukurime marramendëse e plot ngjyra çdo centimetër që të kap vështrimi. “Fresket, pikturat murale dhe të ikonografisë janë vepër e piktorëve grabovarë të familjes Katro (Çetiri), Gjergji Çetiri dhe Jani Çetiri me bijtë dhe nipat, që kanë punuar në gjysmën e dytë të shekullit 18-të dhe patën një veprimtari të gjatë deri nga gjysma e shek XIX” – shkruan Th. Popa në “Mbishkrimet e kishave të Shqipërisë”, Tiranë, 1998.
Kam shëtitur e parë shumë kisha në Shqipëri e jashtë vendit, por askund deri tani nuk më ka zënë syri një objekt kulti ku çdo pëllëmbë e mureve të brendshme të jetë e mbuluar me freska dhe piktura murale si në Kishën Fjetja e Shën Mërisë në Bishqethëm. Unike! E jashtëzakonshme!
Këto mure tanimë po degradojnë në mënyrë të skajshme: po u bie suvaja, që në shumë raste nga lagështia është fryrë e shkëputur nga muri, gati të bjerë e të marrë me vete pjesë të pikturave që nuk do mund të zëvendësohen më. Dëmtimi tashmë shprehet mjaft qartë në zbehjen e ngjyrave që vende–vende po bëhen të padukshme e, në pak kohë, pritet të humbasin vlera artistike e kulturore që, edhe pse në këtë gjendje të mjerë, kur i sheh akoma të lënë me gojë hapur. Çdo vizitor i vendit dhe i huaj do habitej me një pamje të tillë, në vend që ajo të ishte objekt nga më tërheqësit për turistët e huaj dhe vendës e që, me një publicitet të plotë e të saktë, mund t’i siguronte të ardhura këtij institucioni jo vetëm për mbijetesë, por edhe për mirëmbajtje e restaurim.
Një kujdestar – pensionist Petraq Stavre, që nuk paguhej nga askush, ishte aty dhe të shpjegonte, po më shumë ta qante hallin e kësaj gjendjeje të pashpresë! “Të vetmin shërbim kësaj kishe ia bëri futja në listën e objekteve të mbrojtura, – thotë z. Stavre, – se ndryshe edhe kjo do të kishte përfunduar si shumë simotra e do të ishte shkatërruar”.
Kishën e Bishqethmit mund ta quash pa frikë si një qendër muzeale, përfaqësuese të artit e të kulturës kishtare mesjetare të brezave të tërë piktorësh të familjes Çetiri, ku dallojnë për artin e tyre freskat me emrin e më të shquarit, piktor Johan Çetiri. Nga një mbishkrim mbi portën perëndimore të kësaj kishe, që mban datën 1798 tetor 20, lexohet: “Me dorën e Joan Çetirit nga qyteti Grabovë”, që tregon se këto punime janë kryer nga dora e Joan Çetirit. Po kështu, duke iu referuar të dhënave që na jep studiuesi i nderuar Theofan Popa, nga një mbishkrim në ikonat e kësaj kishe, që mban datën 1829, rezulton se këto punë janë të Naumit, djalit të Johan Çetirit. Ndërsa një mbishkrim tjetër mbi kolonën e anvonit të kishës, që mban datën 1849 dhe që flet mbi pikturimin e pjesës së sipërme (shtojcë të kësaj kishe), si dhe nga një mbishkrim tjetër mbi qoshen jugore të facadës perëndimore, ku flitet për pikturimin e pjesës së sipërme të skenës “Gjyqi i fundit”, më datë 1853 qershor 23, lexohet: “Me dorën e Gjergj Nikoll Çetirit dhe të nipit të tij Ndinit prej qytetit Grabovë”, që tregon se në këtë kishë kanë punuar edhe të tjerë vazhdues të traditës së pikturimit nga familja Çetiri, me emrin Ndini, nip dhe bashkëpunëtor i Gjergj Nikoll Çetirit. Janë një pasuri e tërë me vepra arti, freskash dhe ikonash interesante, si për kohën kur janë krijuar, ashtu dhe për historinë e artit e kulturës kombëtare.
Kisha “Fjetja e shën Mërisë” e fshatit Bishqethëm është një muze i gjallë edhe sepse në të janë ende si një pasuri e rrallë të gjithë ato elemente karakteristike që përbënin pajisjet e brendshme qysh nga koha e ndërtimit të saj në shekullin e 18-të (Ndërtimi i këtij objekti kulti daton në vitin 1775). Veç ikonave të vjetra, freskave e pikturave murale, tavanit prej druri të gdhendur me ngjyra, kjo Kishë “Monument kulture” ka edhe anvonin (ndërtuar prej druri të gdhendur mbi një kolonë të kishës, ku lexohet ungjilli dhe predikimet) dhe po kështu edhe vend ulëset e besimtareve qysh nga koha e ndërtimit, apo ballkonin prej druri me ngjyra, të restauruar në vitin 1951 nga dy besimtarë vendës, që sipas traditës kanë lënë edhe shënimin e tyre.
Kur e sheh nga jashtë, bashkë me territorin e gjerë të varrezave, ku prehen eshtrat e të parëve të disa fshatrave si Bishqethëm, Gorre, Rrapëz, Pirrë etj. ngelesh paksa i habitur nga kujdesi i treguar prej banorëve të kulturuar të kësaj treve për rivitalizimin e varreve të të parëve. Por vetëm deri këtu mund të shkojë interesimi i banorëve sepse për mbrojtjen e vlerave që mbart vetë kjo qendër kulti ortodokse askush nuk lejohet të vërë dorë: banorët jo se jo, po as Kisha Ortodokse, nuk mund të ndërhyjë, – na thotë kujdestari i kishës Petraqi, – sepse i ka dalë për zot Shteti që kur e vlerësoi si “Monument Kulture”. Kësaj i thonë: “Dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë”, edhe vet s’jam i zoti, po edhe të tjerët të mos venë dorë. Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje?
Instituti i Monumenteve të Kulturës, e quan se e ka kryer detyrën kur mjaftohet me publikimin në sajtin e tij në internet se “Në vitin 2014 ka realizuar evidentimin e gjendjes në terren dhe inventarizimin e rreth 2134 objekteve monument kulture, përfshirë 235 objektet e kultit”. Por mjafton të kujtojmë se qysh në vitin e largët 1963 është hartuar kjo listë nga shteti shqiptar pas një ekspedite që ish-Instituti i Shkencave kishte organizuar në gusht të vitit 1955 për kërkime në të gjitha fshatrat e qytetet e Myzeqesë për zbulimin e veprave artistike mesjetare. Po tani, pas më shumë se 60 vjet, përsëri vetëm me listat do mburret ky Institut? Apo mendon se e ka aktualizuar kur ka thënë se “duke vlerësuar gjendjen e çdo objekti ka përgatitur edhe listën e objekteve me risk të lartë dëmtimi strukturor, sepse vendosja në këtë listë e objekteve në rrezik krijonte mundësinë për realizimin e ndërhyrjeve si dhe përcaktimin e nevojave për investime”. Me kaq i ka larë duart. S’ka trajtim më burokratik të një problemi! Në këtë listë bëjnë pjesë shumë kisha, por jo Fjetja e Shën Mërisë në Bishqethëm të Lushnjes, që po shkatërrohet nga dita në ditë, ndonëse është “objekt në ruajtje” e duhet të mbrohet e restaurohet nga shteti. Për këtë flet gjendja kritike të saj, që jo vetëm nuk i afron vizitorët, por bëhet edhe shembull i keq se si trajtohen veprat e artit mesjetar në Shqipëri. E pafalshme!
Mos u kujtoni kur të rrëzohen muret e të bjerë çatia, zotërinj të Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve! Sa nuk është vonë, një grup pune me specialistë restaurues duhet të shkojnë në vend, të përcaktojnë detyra e të marrin masa të menjëhershme dhe ato në perspektivë për mbrojtjen e këtij monumenti të lashtë të kulturës sonë. Çdo ditë e javë vonesë kushton një vepër arti më pak! Brezat nuk do të na e falim shkatërrimin! Dhe për këtë dikush duhet të përgjigjet.
Jam i sigurt se bashkëpunimi i Shtetit (Institutit të Monumenteve të Kulturës) me Kishën Ortodokse të Shqipërisë, që janë njohësit më të mirë të vlerave antike kishtare e të kulturës mesjetare në vendin tonë, do të ishte mjaft i frytshëm. Kërkohet një kambanë alarmi sa nuk është rrënuar gjithçka.